Andrea Zef Skanjeti- 1906-1992



Andrea Zef Skanjeti 
[20.gusht 1906 – 29 nentor 1992]

ishte regjisor, dramaturg shqiptar nga Shkodra. Lindi ne Shkoder me 20.08.1906, Vdiq  më 29 nëntor të vitit 1992.
Në moshën 12-vjeçare shkroi dramën e tij të parë “Kusarët”, e cila tërhoqi vëmendjen e specialistëve. Në vitin 1946 u emërua regjisor në Shtëpinë e Kulturës, Shkodër. Ka vënë në skenë shfaqjen me tri akte “Dasma shkodrane”, e para në llojin e vet në Shqipëri, gjithashtu operën e parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës me Libret të Llazar Siliçit, e cila pati sukses të jashtëzakonshëm. Skanjeti njihet si themeluesi i Teatrit të Kukullave dhe ndër nismëtarët kryesorë të krijimit të Estradës së Shkodrës. Po ashtu shkroi edhe dramën e ndarë në tri akte "Nora".
I është dhënë titulli “Artist i Popullit” më 28 Nëntor 1992.

Veprimtaria e përgjithshme artistike e A. Skanjetit ka një shtrirje në kohë gati gjysëm shekullore dhe përmblidhet:

1. Krijimtaria Teatrale
a. 22 drama, komedi, melodramma, skece estrade etj.
b. 27 pjese teatrale te perkthyera e te adaptuara.
c. 8 pjese per teater kukullash.
2. Regjisure
a. rreth 75 pjese teatrale shqiptare dhe te huaja te vena ne skene, nga te cilat 20 me aktoret e Teatrit “Migjeni” te Shkodres.
b. 20 platforma regjisoriale.
c. 30 pjese teatrale me grupe diletantesh te klubeve dhe shoqerive te ndryshme te Shtepise se Kultures Shkoder, qendrat e punes, Shtepine e Pionierit, shkollat etj.
3. Krijimtaria ne proze
a. Rreth 45 tregime
4. 100 vjet teater ne Shkoder, 1879-1979 (Kujtime), botuar liber ne vitin 2002.
5. 4000 vjet nga urtesia boterore (Anekdota), botuar liber ne vitin 2006.
6. Fjalori Italisht-Shqip ( I pabotuar)
7. Filatelist (Koleksionin e pullave shqiptare e ka pothuajse te plote)



Andrea Skanjeti, mësuesi i guximshëm i talenteve

Shtysën për të përkujtuar 101-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit, regjisorit të shquar, Andrea Skanjeti (1906-1992), apo për "të shlyer" disi, një 100 vjetor të shkuar e të papërkujtuar të tij, e mora, nga i nipi, Zefi, shoku im. Pati mirësinë të më dhuronte veprën postume, librin me anekdota "4000 vjet nga urtësia botërore", të mbledhur e përkthyer nga xhaxhai i tij, A. Skanjeti. Shtanga kur në kopertinën e prapme pashë CV e tij. "Paskësh patur 100-vjetorin e lindjes, po s'kam dëgjuar për ndonjë aktivitet, - i them. "Eh, - ofshani shoku im, - kush me u kujtue…". Vite më parë, MKRS, ku unë punoja atëherë, i kishte refuzuar padrejtësisht mbështetjen financiare për botimin e këtij libri të mbetur në dorëshkrim. Ky dikaster, në jo pak raste, vazhdon të bëjë shurdhin para dukurisë tipike shqiptare, që dhjetra e dhjetra vepra me vlerë të personaliteteve të letërsisë, artit e kulturës, të gjallë apo jo, mbeten ende në dorëshkrime, për arsye financiare, apo edhe ngaqë ua zënë përherë rrugën më të shkathtët, ose fitimtarët e përhershëm të projekteve, të cilët, duke mbijetuar "nën dardhë", natyrisht nuk lënë pa ndonjë gjë edhe firmëtarët zyrtarë të këtyre projekteve...Pa lë, ka autorë, që fatkeqësisht "shesin" copyright-in e veprës së tyre "për bukën e gojës" te ndonjë botues gjahtar… Përkundër, duhet thënë, rrofshin e qofshin pinjollët amanetqarë kulturëdashës, të cilët e bëjnë mirë atë që duhet ta bëjë vetë shteti i tyre, të paktën, si homazh dhe shpërblim i vonuar për atë punë shumëvjeçare e në heshtje që bënë në dobi të kulturës sonë kombëtare paraardhësit e tyre. Kjo konsideratë m'u përforcua, kur mora thuajse në një kohë veprat postume "Anekdota", të zgjedhura e të përkthyera nga Dr. Ihsan Çabej, të botuar nën kujdesin e së mbesës, Brikena Çabej, si dhe "Humor shkodran", mbledhë e rreshtue prej Gjush Sheldisë, e të botuar me iniciativën e të birit të autorit, Pashkos.
Pra, ishte këmbëngulja e përkushtimi fisnik i Zefit, ashtu siç kishte vepruar edhe më parë me librin tjetër të rëndësishëm "100 vjet teatër në Shkodër 1879-1979. Kujtime" (Tiranë, 2002, mbështetur nga Fondacioni "Fan Noli dhe Bashkia e Shkodrës), që bëri të mundur nxjerrjen në dritë të këtij libri. Ashtu si dhe besoj që do të jetë po ai që do të vazhdojë botimin e pjesës tjetër të veprës së Andrea Skanjetit, tregimet e novelat e zgjedhura, fjalorin italisht-shqip etj.
Para se të ndalem te përvijimi i portretit në suazën e një shkrimi të tillë të njeriut fisnik, regjisorit të talentuar të qytetit të Shkodrës, mjeshtrit të skenës Andrea Skanjeti, le të shpalosim shkurtazi për lexuesin e gazetës një bilanc të veprës së tij, e cila ka një shtrirje kohore gati gjysmëshekullore. Është autor i 22 dramave, komedive, melodramave, skeçeve të estradave etj; ishte regjisori i parë i teatrit profesionist "Migjeni" dhe vuri në skenë rreth 75 pjesë teatrale shqiptare dhe të huaja, nga të cilat 20 me aktorët e teatrit "Migjeni" të Shkodrës; regjisor i Operës së parë shqiptare "Mrika"; ka përgatitur 20 platforma regjisoriale dhe ka vënë në skenë 30 pjesë teatrale me grupe diletantësh të klubeve dhe shoqërive të ndryshme, të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, qendrat e punës, Shtëpinë e Pionierit, shkollat etj.; është autor i rreth 45 tregimeve e novelave, shumica e të cilave të botuara në revistat e kohës, madje tregimi "Një dhuratë e papritur" është përkthyer në gjermanisht dhe botuar nga albanalogu i shquar Masksimilian Lamberc; ishte filatelist (koleksionin e pullave shqiptare e ka pothuajse të plotë) etj. Më 28 Nëntor 1992 i është dhënë titulli "Artist i Popullit", lajm të cilin s'arriti ta merrte vesh kurrë, pasi po atë ditë vdiq dhe u varros të nesërmen.
Historia e jetës së regjisorit të mirënjohur të skenës dhe pionierit të saj, Andrea Skanjetit mund të konsiderohet edhe si historia e teatrit, mbase edhe e lëvizjes kulturore e artistike të Shkodrës. "Kur flitet për teatër në Shkodër, flitet edhe për Andrea Skanjetin, dhe kur flitet për regjisor Andrean, flitet edhe për teatër"- do të vinte në dukje Tano Banushi, Artist i Popullit. Ai nuk pati një formim profesional, por siç pohonte edhe vetë "mjeshtërinë e teatrit e njoha me anë të përvojës dhe si autodidakt". Ishte njeri me kulturë të gjerë, shumë studioz dhe lexonte në disa gjuhë. Falë talentit të tij dhe pasionit të madh për teatër, ai arriti të kapërcente vështirësitë e mungesës së këtij arsimimi profesional dhe vuri në skenë me dinjitet shumë pjesë, të cilat edhe pas 4-5 dekadash mbahen mend.
Veprimtaria artistike e Andrea Skanjetit, duke qenë mjaft e gjerë dhe e shtrirë në kohë për gati gjysmëshekulli, natyrisht që mund të shihet në këndvështrime të ndryshme e ngushtësisht më profesionale. Dëshiroj të vë në spikamë ato, që shpeshherë, "humbasin" në kujtime, në libra memuarësh, që edhe mund të anashkalohen: intuitën, promovuesin e guximshëm të talenteve, dashamirësin e kujdestarin më të mirë të punës me aktorin.
Andrea Skanjetit i përket merita e madhe se mundi të zbulonte nga lëvizja diletante e të promovonte artistë të shquar të skenës shqiptare, si Tinka Kurti, Artiste e Popullit; Vitore Nino, Artiste e Merituar do ta quante "mësuesi i parë" në shkollën e madhe të artit teatral; Artisti i Merituar Bep Shiroka kujton "Andrea Skanjeti më mori nga "rruga" dhe më futi në teatër, siç duket diçka pau tek unë"; ai bashkëpunoi dhe ishte shok e mik me artistë të njohur të skenës shqiptare etj.
Kam përshtypjen se portretin më të goditur e të sintetizuar për Andrea Skanjetin, e ka vizatuar Artisti i Popullit Tano Banushi. Në kujtimet e tij ai shprehet: "Ti (Andrea) në "estradë", ti në dramë e komedi, ti me melodramën dhe operën, ti deri me Teatrin e Kukullave ku unë kam marrë pjesë ndonjëherë. Pra me pak fjalë siç thotë populli "edhe gurët e sokakut" e kanë marrë vesht se sa kontribut të madh i ke dhanë skenës shkodrane, të cilës i vune bazat e një teatri vërtetë profesionist në të gjitha gjinitë".
Mbiemri Skanjeti për ndonjë mediokër të kohës nuk ka tingëlluar shqiptar. Kështu, njëherë në Tiranë, në kafenenë "Internacional", ku në atë kohë (1921-1922) mblidheshin ministra, deputetë e nëpunës të ministrive, njëri syresh, një babaxhan fanatik ksenofob, u ngrit e tha:
- Zef Skanjeti ( babai i A. Skanjetit-shënim i autorit të shkrimit), që punon si teknik në Ministrinë e Botores, nuk ka mbiemër shqiptar…
Luigj Gurakuqi, me atë humorin e tij të zakonshëm, ia priti:
- E ke gabim, lum miku, më shqiptar se këtë, S'ka njeti…(kund, gjetiu, gjetkë)

 Kujtim Dashi, "Shekulli", 20.08.2007
 




Libri i Anekdotave- nga Andrea Skanjeti



4000 VJET NGA URTËSIA BOTËRORE
(Anekdota, mbledhur e përkthyer nga Andrea Skanjeti)

Shkodër, 1983


Redaktor: Zef Skanjeti
Radhitës: Gjovalin Çuni

Ji shërbëtor (e) i (e) diturisë, nëse do të jesh i (e) lirë !

1. PROMEOTEU - Mitologji

Një ndër titanët, bir i Gjapetit e babai i Daukalionit.I grabiti qiellit shkëndinë etere për t’i dhënë jetë një njeriu prej argjili. Zeusi për t’a ndëshkuar e mbërtheu në Kaukaz nga Vulkani. Atje një shkabë i hante zemrën, e cila i përtrihej përherë. Pas 30 vjetësh, Herkuli e liroi nga ky ndëshkim.
Legjenda tregon se Prometeu ishte i pari që i fali njerëzve zjarrin, duke ia vjedhur një shkëndi diellit.
Prometeu u duk mbi tokë me një flugë të ndezur. Të gjithë iu mblodhën rrotull për të admiruar një gjë kaq të mrekuellueshme dhe për t’a nderuar.
Prometeu i mërzitur dhe i dërmuar don t’i ikë syve të njerëzve dhe fshihet në një shpellë mes pyllit. Njerëzit të drejtuar nga ajo dritë, i shkonin pas dhe e nderonin.

2. ABRAHAMI
v. 1996 para Krishtit

Patriark, Ati i Ebrejve. Lindi në Ur, Kalde. Shkoi në Egjipt kur ra zi në vendin e tij. Faraoni ia grabiti gruan, Saren. Vdiq 175 vjeç.
Në kohën e Abrahamit adhuroheshin statuja njerëzish, kafshësh dhe bimësh, të cilave u jepej fuqi hyjnore.
Vetë i ati i Abrahamit, ndërtues i këtyre idhujve, i adhuronte më tepër se të tjerët.
Një ditë, kur Abrahami ndodhej vetëm në shtëpi, iu paraqit një plak për të blerë një prej idhujve.
- Sa vjeç je ? - e pyeti Abrahami.
- Tetëdhjetë-tha plaku.
- Si ?- vijoi Abrahami - je 80 vjeç dhe do të adhurosh një statujë të bërë dje nga punëtorët e babait tim ?
Plaku s’bëri zë dhe iku i turpëruar…

3. NINO
1916 p.Krishtit

Monark aziatik, themelues i të parës perandori të Asirisë, sundoi mbi një pjesë të madhe të Azisë. U vra me urdhër të Semiramidës, gruas së tij.
Nino, si pushtoi një pjesë të madhe të Azisë, zgjodhi si kryeqytet të perandorisë, Ninive.
Një ditë Nino, mbi terracën e pallatit, kundronte atë qytet madhështor dhe grumbullin e madh të popullit që sillej sa andej këtej.
- Sa lavdi - briti - për një prijës kur i nënshtrohet vullnetit të tij i gjithë populli. Mjafton një fjalë e imja, që mijëra prej tyre të më ndjekin ndër pushtime e fitore të reja !
Mbas pak ditësh e burgosën dhe e vranë…

4.DANAO
1400 p. Krishtit

Sipas mitologjisë greke, bir i Delos e i Ankinesë, vëlla i Egjiptit e atë i Danaideve, mbretëroi në Libi dhe pushtoi Agron në vitin 1450 p.Krishtit.
Mbreti Danao kishte pesëdhjetë vajza. Ishte në armiqësi të madhe me vëllanë e tij, Egjiptin. Djemtë e mbretit Egjipt, duke e ndjekur këmba - këmbës e detyruan Danaon t’u jepte për gra pesëdhjetë vajzat e tij. Por sipas porosisë së babait, nuset e reja i vranë burrat që natën e parë, vetëm Ipermenestra nderoi burrin e vet, Linçeon. Për krimin që bënë të 49 bijat e mbretit Danao, u dënuan nga perenditë që të mbushnin me ujë një fuqi të pafund, në mbretërinë e nëntokës, në Tartar.
Nënkuptohet tortura e 49 vajzave, mbasi fuqia në fjalë nuk mbushej kurrë.

5.SOLOMONI
976 p.Krishtit

Bir i Davidit e i Bersabeas, zgjeroi mbretërinë e Izraelit e filloi ndërtimin e tempullit. Qeverisi me urtësi e kujdes për 40 vjet. Thonë se është autor i Librit të këngëve e të Eklesiastit
Solomoni thoshte:
- Hardhia prodhon tre lloje frutash: qejfin, dehjen, pendimin.

***
E pyetën Solomonin se çka mendonte për gruan. Ai tha:
- Sikur tenja bren drurin, ashtu gruaja e keqe konsumon burrin. Kush e ka gruan e mirë, ka një thesar.

6. LIKURGU
Shek. IX p.Krishtit

Legjislator i Spartës. Shpalli një ligj të rreptë. U vu be qytetarëve që t’iu nështronin atyre ligjëve deri në kthimin e tij nga një udhëtim. Likurgu u nis, por u ndal në Kretë, ku edhe vdiq...
- Si është puna që ti e pranon vjedhjen - e pyetën Likurgun.
E ky:
- E pranoj, me kusht që hajnia të bëhet çiltas e pa frikë.

***
Likurgu si mori dy klyshë “vellezër”, i rriti në mënyrë të ndryshme, njërin deshti ta bëjë gopçar dhe tjetrin gjahtar.
Mbas disa kohësh, si u ndodhën spartanët në një mbledhje, ai i foli atyre:
- Fuqia e zakonit; o lacedemon, dhe fuqia e mësimit është e madhe dhe e bën njeriun të virtytshëm në mënyrën e të jetuarit. Këtë unë dua t’ua tregoj me një shëmbull.
Si tha kështu, i lëshoi dy qentë pasi kishte vënë aty pranë një sahan gjellë e një lepur. Njëri prej qenve u vu menjëherë në ndjekjen e lepurit dhe tjetri u drejtua me vrap tek sahani i gjellës.
Spartanët nuk po e kuptonin Likurgun. Atëherë ai tha:
- Këta këlyshë lindën prej një nëne, por u rritën në mënyrë të ndryshme, kështu që njëri doli gjahtar i mirë e tjetri gopçar…

7 . PISISTRATI
612-527 p.Krishtit

Nip i Salonit, tiran i Athinës. Nën sundimin e tij, Athina lulëzoi dhe u zbukurua. Gjatë jetës u dha pas grumbullimit të bronxëve, të rrasave dhe të shkrimeve të vjetra. Themeloi bibliotekën e parë popullore në Athinë me veprat e dijetarëve.
Pisistrati merr vesh se e bija ishte puthur nga një djalë i ri.
-Pse keni ardhur të ma thoni ?-pyeti kapucarin
- Që ta dënosh atë djalë.
- Pse ta dënoj ?
- Pse guxoi të puth vajzën tënde.
- Po në qoftë se në vend të puthjes i dha një shuplakë, çfarë duhet të bëja ?
- Ta dënosh njësoj.
E shikon - tha më në fund Pisistrati - Nuk din si të sillet njeriu, të njëjtit rrezik i vihet sikur dashuroi o urrej, sikur përkdheli o përbuzi, sikur puthi apo i dha një shuplakë…

8. ANASIMANDRI
610- 547 p. Krishtit

Filozof grek i shkollës ionike. Pranoi se ka shumë botë. Vizatoi i pari figura gjeometrike. Shpiku rrethin dhe hartat gjeografike, orët e para diellore, zbuloi pjerrësinë ekletike, mësoi se hëna merr dritën nga dielli e se toka është e rrumbullakët.
Anasimandri po kalonte rrugës duke kënduar. Disa çapkenë duke dëgjuar se nuk e kishte zërin e mirë, e qeshën dhe e tallën.
- Mos u zemërua Anasimandri ? Jo, jo. Duke qeshur i tha atyre:
- Një herë tjetër do të këndoj më mirë.

9. SOLONI
640-558 p.Krishtit

Ligjvënës i Athinës, një ndër 7 dijetarët e Greqisë. Shpalli ligje të admiruara dhe pjesërisht të adaptuara nga të tjerë.
Soloni arriti një ditë në Sardi, kryeqytet i Lidies, ku mbretëronte Krezi, prijësi më i pasur i asaj kohe.
Krezi e priti me nderime të mëdha Solonin. Për t’ia marrë mendtë me shkëlqimin e thesareve i tregoi pasurinë e tij. Po Soloni nuk tregohej i mahnitur, dhe nuk i jepte asnjë rëndësi gjërave që shihte.
Krezi i prekur nga indiferentizmi i tij kaq i madh e pyeti me zemërim:
- Cili simbas teje është me të vërtetë i lumtur ?
- Një qytetar athinas i quajtur Telo - iu përgjegj Soloni- i cili, si jetoi me kursim, me fëmijët të çmuar dhe të dashur nga të gjithë, pati kënaqësinë t’i shohë ata të jetojnë në paqë të vazhdueshme dhe të vdesin në luftë për atdhe.
- Mua, domethënë nuk më llogarit në mes të njerëzve të lumtur ?- vazhdoi tirani.
-Ne - ia priti Soloni - nuk dijmë të çmojmë një lumturi kalimtare. Prandaj, para se të shprehem, dua të shikoj si do të vdesësh…

***
- Çfarë të ka bërë më përshtypje në pallatin tim ?- përsëri e pyeti Krezi.
- Vizita ime dhe kotësia e luksit të pallatit tënd.

***
Solonin e pyetën një ditë se cili ishte qyteti më i lumtur në botë.
- Qyteti më i lumtur në botë - u përgjigj Soloni - është ai ku qytetarët janë aq të bashkuar saqë padrejtësia që i bëhet njerit prej tyre, konsiderohet si një padrejtësi e kryer kundër gjithë qytetit

***
E pyetën Solonin:
- Gjatë jetës suaj çfarë keni vlerësuar më shumë ?
- Shëndetin, ndershmërinë dhe punën.
- Çfarë keni urrejtur më tepër ?
- Tradhtarët, intrigantët dhe dembelët.

10. EZOPI
Shek. VI p.Krishtit

Ezopi njihet si më i madhi fabulist grek. Lindi në Frigji dhe si skllav pati tre zotëri: Dinarkun, Zantin, dhe Idmonin. Më vonë, si fitoi lirinë, Krezi, mbreti i Lidisë, e mori pranë vetes dhe e çmoi shumë. Mirëpo, me një fabul egërsoi aq shumë banorët e Delfit, sa ata e mbytën në vitin 550 p.Krishtit. Fabulat e tij ishin model dhe shumë shkrimtarë fabulash, të vjetër e modern, moren nga ai, jo vetëm formën, por dhe substancën. Ezopi fabulat nuk i shkroi, ata u trashëguan gojë më gojë. Kështu që shumë fabula mundet që nuk janë të tijat, po u transmetuan nën emrin e tij. Fedri vuri në varg disa nga fabulat e Ezopit në gjuhën latine.
Ezopi tha:
- Kush lavdërohet pa patur meritë, mund të mashtrojë atë që nuk e njeh, por bëhet qesharak në sytë e atyre që e njohin mirë.
- Ti do ta pësosh si ai gomari, i cili pasi pëlliti, doli nga pylli dhe u tha kafshëve me krenari:
- A e kuptuat sa trim jam unë ?
Një luan që e dëgjoi, ia priti:
- Edhe unë ia mbatha këmbëve nga zëri yt…

Ezopi punonte si skllav tek tregtari athinas Dinarku, dikush e pyeti:
- Besoj se Dinarku të trajton mirë.
Në vend të përgjigjes Ezopi tregoi këtë fabul.
Një arrë e mbjellë në rrugë ishte mbushur plot me kokrra. Udhëtarët e qëllonin me gurë. Një ditë arra u mërzit tha tha:
- E mjera unë ! I kënaq njerëzit me kokrra të shijshme dhe ata si shpërblim më qëllojnë me gurë.

***
Ezopit, grekët i ngritën një përmendore edhe pse ai qe rob.
-Rruga e nderit dhe e suksesit është e hapur për të gjithë.

***
Ezopit nuk i pëlqente të marrë pjesë në ceremonitë fetare pagane që bëheshin ndër ditë të caktuara. Një ditë të tillë, kur Ezopi po shkonte të plotësojë një porosi të padronit, takoi kryepriftin, i cili e pyeti plot inat.
- Ku po shkon, në faltore?
- Nuk e di - u përgjigj Ezopi.
- Duke e pandeh fyese dhe të dyshimtë përgjigjen, kryeprifti urdhëroi ta çonin në burg.
- Gjyqtarit, që e mori në pyetje, Ezopi iu përgjigj:
- Unë thashë të vërtetën dhe prandaj më burgosën. Thoni edhe ju vetë, mos vallë unë e dija se po shkoja në burg ?
Gjyqtari qeshi dhe e liroi...

***
Kur e braktisën Athinën, Ezopi skllav, kishte ngarkuar në krah një thes bukë, ndërsa skllevërit e tjerë kishin marrë sende të lehta.
- Këtë radhë nuk u tregove i mënçur aspak - i tha një nga skllevërit.
Ezopi nuk iu përgjegj atë ditë. Pas tri ditësh kur thesi u boshatis i tha skllavit:
- A të kujtohet proverbi:” Kush qesh i fundit, qesh më mirë”.

***
Një aristokrat athinas kërkonte të shitej si filozof. Një ditë mori pjesë në një darkë që kishte shtruar një tregtar i madh, Ksanthi.
Ezopi, që punonte si skllav pranë këtij tregtari, duke dëgjuar sofizmat e pseudofilozofit, iu tregoi shokëve këtë fabul:
Një qen ndiqte një lepur. Lepuri duke vrapuar, i tha qenit:
“Mos u mundo kot, ti s’je zagar, por qen i mjerë!”

11. LAO - TZE
Shek. VI p.Krishtit
Filozof kinez që shkroi një ndër librat e shenjtë të Kinës së Lashtë.

E pyetën filozofin kinez:
- Kush është i fortë ?
- I fortë- tha Lao-Tze- është kush mund të tjerët, i plotfuqishëm është ai që mund veten…

***
E pyetën prap nëse është e dobishme të jesh i mirë.
Lao - Tze tha:
- Me të mirët duhet të jemi të mirë, por edhe me të këqinjtë duhet të jemi prapseprapë të mirë, që t’i kthejmë të bëhen edhe ata të mirë.

12. CUANG- TZE
Shek. VI p.Krishtit

Filozof kinez, dishepull i Lau-Tze-së
- Unë nuk dua të më varrosin - tha Cuang -Tze dishepujve të vet.
- Do të hanë sorrat trupin - vërejtën dishepujt.
- Në qoftë së nuk do të më varrosin më hanë sorrat - tha Cuang - Tzeu - po të më varrosin më hanë krimbat e milingonat.
-Pse doni të më shpëtoni nga sorrat, kur do të më hanë krimbat e milingonat?

***
Filozofi kinez po peshkonte në breg të një lumi, kur oborrtarët e mbretit Ç’U erdhën ta lajmërojnë se mbreti e donte që ai të bënte pjesë në administratën e shtetit.
- Unë e di - tha Cuang-Tze- se në shtetin tuaj një breshkë e shenjtë, e ngordhur 300 vjet më parë, mbreti e ruan në një kanistër të mbuluar me stofë. Unë tani iu pyes ju nëse kjo breshkë pelqën më tepër të ngrehë rrëshqanë bishtin në llucë e gjallë, apo e ngordhur ta shohë vetën të nderuar ?
- Ne besojmë - përgjigjën dy oborrtarët - se breshka do të pëlqente më tepër të ngrehë bishtin në llucë e gjallë.
- E mirë- tha filozofi- edhe unë dua ta ngre bishtin tim rrëshqanë në llucë…

13. BIANTE
Shek. VII p.Krishtit
Një ndër 7 dijetarët e Greqisë së vjetër

E pyetën Biantën cila ishte kafsha më e rrezikshme.
- Tirani i kafshëve të egra - u përgjigji ai- lajkatari i kafshëve shtëpiake.
- Si duhet të sillesh me miqtë - e pyetën.
Sikur do të bëhen armiq nga çasti në cast - u përgjigj Biante.

14. KILONE
Shek. VI p. Krishtit

Një ndër 7 dijetarët e Greqisë. Mbi tempullin e Delfit bëri që të shkruhet me gërma ari: “ Njih vetveten”. Vdiq nga gëzimi kur përqafoi të birin fitimtar të Lojërave Olimpike në vitin 597 p. Krishtit.
Filozofi, duke dëgjuar mikun e tij që ankohej për mjerimet e tij, i tha:
-Shiko të këqijat e tjerëve dhe tuajat do të dukën të lehta.
Në daç të ngushëllohesh për fatkeqësitë tuaja, shiko sa më të mëdha i kanë të tjerët.

15. ÇIRI
Shek. VI p. Krishtit

Krijuesi i Perandorisë Persiane. Në vitin 559 ia grabiti fronin gjyshit të vet, Asiagut. Mundi mbretin e Lidies, Krezin, nënshtroi Azinë e Vogël, Sirinë, Arabinë e një pjesë të Sirisë, pushtoi Babiloninë dhe ia ndrroi shtratin Eufratit. U premtoi Hebrejve se do t’i kthejë në Jude dhe t’ia rindërtonte tempullin e Jeruzalemit. Qe mbreti më i madh dhe më i shquar i Orientit të Vjetër. Humbi jetën në një ekspeditë kundër shiitëve, në vitin 529 p.K.
Çiri i vogël, në oborrin e Asiagut, gjyshit të vet, dha prova të mëdha maturie, në gjasim të babait, mbretit të Persisë.
Një mbrëmje, ku mirrnin pjesë burrat më të rëndësishëm të mbretërisë, gjyshi e caktoi të mbushë kupat me verë. Kësaj detyrë ai i dha rëndësi të madhe. Dhe, me mësallën në krah, enën mbretërore që mbante në dorë, ia paraqet Asiagut me një elegancë të tillë sa të gjithëve u bëri përshtypje.
- Biri im - i tha gjyshi duke e puthur - jam kënaqur nga shërbimi yt i mirë, por ke harruar një ceremoni të rëndësishme, dmth, atë që ta provosh verën përpara se t’ia shpiesh të tjerëve.
- Nuk kam harruar- tha Çiri i vogël - po kam pasë frikë se kjo pije është helm, sepse në një gostijë tjetër, si u pi kjo pije e kuqe, të gjithëve iu morën mendtë: Njëri rrotullohej, tjetri këndonte, të gjithë flisnin mbarë e mbrapshtë dhe harronin se ju jeni mbreti dhe se ata ishin nënshtetasit tuaj, dhe në fund ju deshët të kërceni, por nuk iu mbajtën këmbët.
- Si ? – tha Asiagu- Nuk e ke parë kurrë kështu babain tënd ?

- Kurrë- iu përgjigj djali- sepse kur ai pi njëherë, nuk ka më etje dhe nuk i ndodh asgjë tjetër.

16. PITAGORA
569-470 p.Krishtit

Filozof dhe matematikan grek, themelues i shkollës italike në Kartone. I besonte metamorfozës dhe kuptoi sistemin astronomik që më vonë e zbuloi Koperniku. Pitagora zbuloi katrorin e hipotenuzës.
E pyetën Pitagorën sepse gratë ishin të ligshta.
Ai tha:

- Gratë janë të ligshta sepse janë të mbajtura vetëm nga zemra. *** Një ditë një mik e pyeti Pitagorën:
- Çfarë mbani si më karakteristike nga shkolla që drejtoni ?
Pas çdo leksioni, unë i porosis nxënësit që, para se të flenë, të mos harrojnë t’i bëjnë vetes pyetjen: “Ç’bëra sot dhe ç’lashë pa bërë ?

17. SIMONIDI
556-467 p. Krishtit
Filozof dhe poet lirik grek, ndër dijetarët më të mëdhenj të lashtësisë.

Simonidi, si u pushtua vendi i tij nga armiku, u shit si skllav me të gjithë bashkëatdhetarët e tij dhe u dërgua në vende të huaja.
Ndërsa shokët e tij të fatkeqësisë po qanin, ai qëndronte i qetë kundra fatit të keq, që e zhveshi nga pasuria dhe nga liria. Një ndër skllavëruesit duke e parë ashtu të pamposhtur, desh të dijë shkakun.
- Skllavëria më hoqi vërtetë pasuritë e mia tokësore, por nuk mund të më heqë pasurinë më të madhe, diturinë time që më ndjek kudo që të shkoj dhe të më çojnë, dhe askush nuk mund të ma grabisë… &am p;am p;nb sp;

18. KONFUCI
551-479 p. Krishtit
Filozof i madh dhe ligjdhënës kinez. Themeloi besimin e vjetër të shtetit Kinez, Konfucizmin. Ky besim u mbështet i gjithi në moralin. Shquhet urdhëresa: “Mos ia bëj tjetrit çka nuk don që të bëhet ty”.

Si e pyetën Konfucin mbi shkencën, ai u përgjigj:
- Rreth asaj që dihet, kuptohet që dihet, rreth asaj që nuk dihet që të njihet plotësisht, ja shkenca…

***
I pyetur mbi zakonet shoqërore, Konfuci tha:
Ndërsa varfëria dhe gjendja e ulët janë turp për një shtet të rregullt, pasuria e gjëndja e lartë janë turp për një shtet jo të rregullt.

***
- E beson ti se dituria është e nevojshme e pyetën Konfucin. Dhe ai:
- Të mësosh pa menduar është e kotë, por është e rrezikshme të mendosh pa pasë mësuar.

***
- Më fol për vdekjen - i tha një mik Konfucit.
- Kur nuk e njeh as jetën - vërejti Konfuci - si don të kuptosh vdekjen ?

***
Ndërsa Konfuci ndodhej në oborrin mbretëror, stalla e tij u dogj. Nuk desh të dijë për kuajt, por menjëherë pyeti:
- Mos ka ndonjë të plagosur ?

***
Njëherë e pyetën Konfucin si e dinte ai me aq siguri, që një vend është i qeverisur keq.
- Një vend që prodhon muzikë të keqe-u përgjigj - nuk mund të jetë veçse i qeverisur keq.

***
Njëri kishte ndërruar opinionin politik. Si e mori vesh Konfuci, tha:
- Vetëm më të zgjuarit e më budallenjtë nuk ndërrojnë kurrë.
Asnjë nuk e kuptoi nëse atë njeri ai e kualifikoi ndër të parët apo ndër të dytët…

***
Një ditë i thanë Konfucit:
- Filani ka gabuar.
Konfuci ia ktheu:
-Të gabosh do të thotë : Të gabosh e të mos të qortojnë…

19.THEMISTOKLIU
525-461p.Krishtit
Gjeneral grek, udhëheqës ushtarak i famshëm

Themistokliu porsa fillonte beteja u thoshte ushtarëve:
- Sapo të nisë sulmi, më ndiqni nga pas, nëse tërhiqem më vritni, nëse vritem, ma mirrni hakun.

***
Kserksi në krye të një ushtrie të madhe marrshonte me shpejtësi të madhe drejt Greqisë me qëllim që të pushtojë Athinën dhe Spartën.
Grekët po diskutonin për të gjetur mënyrën si ta përballonin armikun dhe ta largojnë nga toka e tyre.
Euribiadi, kapiteni i Spartanëve, dha mendimin e vet, por Themistokliu, kapiteni i Athinasve kundërshtoi.
Euribiadi i fyer, u hidhërua keqas dhe çoi shkopin t’i binte Themistokliut. Ky nuk u trondit fare, por u largua paksa.
- Më bjer, por më dëgjo !- tha.
Këto fjalë të matura e qetësuan Euribiadin, i cili më në fund u bashkua me mendimin e këtij njeriu të madh, aq praktik i luftës.
Dhe atdheu u shpëtua.

***
Një këngëtar e luti t’i bënte një punë jo të drejtë.
Themistokliu iu përgjigj:
- Miku im, sikur unë të lutesha të këndosh para publikut duke stonuar, a do ta pranoje ? .

***
Një baba, që donte të martonte vajzën, i kërkoi një këshillë.
- Ma kërkojnë dy veta - i tha - unë nuk di se cilin të zgjedh. I pari është i pasur, por budalla. I dyti është i zgjuar, por fukara.
Themistokliu i tha:
- Unë parapëlqej një njeri pa pasuri, sesa një pasuri pa njeri…

***
Pas një beteje dikush e lajmëroi se kufomat e kundërshtarëve kishin unaza prej floriri.
Ai tha:
- Shko e mblidhi ti, që nuk je Themistokliu…

20. ESKILI
525-456 p.Krishtit

Më i vjetri ndër 3 poetët e tragjedisë greke. Kanë mbetur vetëm 7 tragjeditë e tij. Pjesa më e madhe e tragjedive janë të shkruara mbi bazën e gojëdhënave e të mitologjisë greke. Lindi në Elevzin, pranë Athinës me origjinë aristokrate. Veprat e tija: “Lutëset”, vepër e parë, “Persianët”, “Prometeu i lidhur”, “Joja”, Ermesi”, “Oqeani”, “Pushteti”, Efesti”, “Orestia”, kjo tragjedi e fundit është më e pjekura, dhe trilogji: “Agamemnoni”, “Koeforët”, “Eumenidet”.Prej veprave të tij janë frymëzuar Kalderoni, Miltoni, Gëteja, Shileri, Sheli, Bajroni, etj. Eskili u çmua shumë në kohën e tij.
Eskili punonte edhe kur ishte njëqindvjeçar. Një mik i tha:
- Habitem si mund të gjesh forca që të shkruash edhe në këtë moshë.
Eskili iu përgjigj:
- Koha është gjithmonë e përshtatshme për të mësuar. Të dish si të plakesh është një ndër kapitujt më të vështirë në artin e të jetuarit.

21.DARI
521- 485 p.Krishtit
Mbret i Persisë, bir i Istapsit. Rrethoi Babiloninë dhe mbas një qëndrimi të fortë e pushtoi. Riorganizoi perandorinë, zaptoi Indinë, dhe si dëboi shiitët, u shty deri në Trakë e Maqedoni, por u thye keqas nga grekët në Maratonë, ku thohet se persianët lanë dy mijë të vdekur në fushën e betejës.

***
Dari, i dërgoi një ftesë mjekut të famshëm Hipokratit për ta ndihmuar që t’i kishte sa më të shëndoshë ushtarët persianë, duke i premtuar pasuri të pakufishme e lavdi.
Hipokrati iu përgjigj:
- Më parë se të jem mjek, jam grek, dhe si i tillë, nuk do të pranoj kurrë lavdi e pasuri që t’i ndihmoj persët për të vrarë grekët.

***
Dari i dërgoi një dhuratë Epaminondës, gjeneralit të Tebes.
Gjenerali ia ktheu dhuratën me këtë shënim:
- Në rast se do të bëhesh mik i tebanëve, nuk ke nevojë të blesh miqësinë time, por nëse do të mbetesh armiku i ynë, nuk ka thesar në botë që të më bënte për vete…

***
E pyetën Darin nëse ishte penduar për ndonjë gjë.
- Po - tha - për të gjithë ato fjalë që kam thënë, kur nuk duheshin thënë.

***
Dari, një ditë, i pushtuar nga kureshtja, desh të shohë gruan që dashuronte marrëzisht një oborrtar i tij. Gruaja iu paraqit, ajo ishte e shëmtuar. Si e kuptoi oborrtari përshtypjen e keqe që i bëri mbretit, i tha:
- Vetëm nga fakti se gruaja që dua t’u duk e shëmtuar, që mua më duket e mirë, mund të matësh dashurinë që unë kam për të…

22.LEONIDHA
510-480 p.Krishtit

Mbret i Spartës. Heroi i Termopileve. Luftoi kundër persianëve me 300 spartanë. Ra ndër të parët në vitin 480 p.Krishtit.

Një nënë spartane e pyeti Leonidhën, që sapo ishte kthyer nga fusha e betejës.
- Më trego, si luftoi im bir ?
- Sparta nuk ka tjetër trim si ai - iu përgjigj Leonidha.
- Jo mos e thuaj këtë - ia priti spartanja - Ai është trim sepse luftoi mes trimave.

***
Filozofi i Greqisë së lashtë Anaksagora, gjatë një vizite në Spartë, i tha Leonidhës:
- Ti je një ndër udhëheqësit më të përmendur të Greqisë.
- Jam i tillë - ia priti Leonidha - sepse kam edhe ushtarë të tillë.

***
I thanë Leonidhës në Termopile, se persët janë aq shumë sa me shigjetat e tyre do të errësojnë diellin.
- Aq më mire - iu përgjigj ai - do të luftojmë në hije.

***
Para betejës së Termopileve, Leonidha, duke parë disa ushtarë që u luteshin perëndive, u tha:
-Fitoren nuk do të na e sjellin perënditë, por shpatat dhe trimëria jonë.

***

- Ku e kanë burimin fitoret e vazhdueshme mbi armiqët - e pyeti një gjeneral athinas Leonidhën.
- Në thjeshtësinë, sepse ne spartanët nuk lejojmë që në ushtrinë tonë njeri të vjedhë lavdinë e tjetrit - iu përgjigj komandanti spartan.

***
Një ndër komandantët e Lidhjes Greke i tha Leonidhës para betejës së Termopileve:
- Thonë se Persët do të na sulmojnë me 20 mijë ushtarë, jam i mendimit të tërhiqemi.
Komandanti spartan ia priti:
- Jam këtu për t’i përballuar dhe jo për t’i numëruar armiqtë.

***
Pas betejës së Termopileve, Ksersi, duke kaluar mbi kufomat e 300 spartanëve, i afrohet Leonidhës së plagosur dhe i thotë:
- Më në fund i humbe të gjitha !
- Me përjashtim të nderit tonë dhe lavdisë së atdheut ! - iu përgjigj Leonidha duke vdekur.

***
- Ju po niseni në fushën e luftës. Ju këshilloj të ruheni nga rreziqet me të cilat mund të ndesheni!- i tha një herë e shoqja Leonidhës.
- Mos u shqetësoni aspak - ia ktheu i shoqi - Nga lufta që imponohet nuk do të vijë asgjë e keqe, ne ose do të fitojmë, ose do të vdesim.

***
- Mendoj se jeni shumë i ri për të komanduar një ushtri - i tha një gjeneral athinas Leonidhës së Spartës.
- E pranova këtë detyrë- iu përgjigj Leonidha - duke menduar se nga lufta do të kthehem më i pjekur.

***
Një ditë, komandanti Epaminonda nga Teba, pyeti Leonidhën:
- Përse ju spartanët e ndjeni veten kaq të sigurtë në qytetin tuaj ?
- Sepse Sparta - iu përgjigj Leonidha, mbahet nga burrat e jo nga tullat…

23. PERIKLIU
499-429 p.Krishtit

Kapiten i madh, burrë shteti i shquar, për një kohë qe kryetar qeverie në Republikën e Athinës. Meritoi titullin “Olimpik” për gojtari burrërore. Në administratën e tij, piktura, skulptura e arkitektura qenë në garë për të zbukuruar Athinën. Monumentet më të mëdhenj janë të shekullit të tij, i cili u quajt “Shekulli i Perikliut”

Tuçiditi i Madh, një ndër historianët më të mëdhenj të Greqisë, që jetoi në shekullin V, në politikë ishte kundërshtar i Perikliut.
Një ditë e pyetën:
- A din ta çmosh ti forcën e Perikliut ?
- Po- tha Tuçiditi - Prandaj unë ju them se ai është aq i fortë dhe i zoti, sa di të them se, në rast se unë e munda, ka qënë ai që më mundi mua, dhe këtë e bëri përpara atyre njerëzve që panë përleshjen.

***
Ndërsa ishte duke vdekur, e pyetën Perikliun pse ishte aq krenar në jetën e tij.
- Se për shkak timin asnjë në Athinë nuk ka mbajtur zi.
E kur burri i madh i shtetit vdiq, e gjithë Athina mbajti zi.

24. PROTAGORA
490-420 p.Krishtit.

Sofist grek, dishepull i Demokritit. E paditën për sjellje të mbrapshta dhe e qitën jashtë Athinës. U mbyt në një stuhi në det. Asgjë s’ka mbetë e shkruar prej tij.

Njërit, që e pyeti përse nuk lejoi që e bija të marrë për burrë armikun më të madh të babait, Protagora u përgjigj:
- Për hakmarrje !

25. EURIPIDI
80-407 p.Krishtit

Poet tragjik i madh grek, shumë pjellor. Lindi ditën kur grekët munden persianët në grykën e Euripidit, nga ku mori emrin. Ishte rival e armik i Sofokliut. Fliste keq për gratë, por u martua dy herë dhe lëshoi gratë e veta. Sokrati shkonte në teatër vetëm për të dëgjuar tragjeditë e nxënësit tij të madh. Euripidi duke parë se athinasit nuk e honepsnin si duhej, shkoi në oborrin e Arkelaut, mbretit të Maqedonisë, nga i cili pati nderime të mëdha. Nga 75 tragjeditë e tij, na kanë mbetur vetëm 17: Elqesta, Ipolito, Hekuba, Heraklidet, Herakli, Andromaka, Lutësit, Joni, Trojanët, Efgjenia në Tauridë, Elektra, Helena, Feniqet, Oreste, Efigjenia në Aulide, Bakanët, Qiklopët.

- Çfarë mëndimi keni për fatin - e pyeti një tregtar athinas Euripidin ?
- Për mendimin tim fati ndihmon në të vërtetë, por vetëm ata njerëz që gjithë jetën punojnë dhe që udhëhiqen nga një gjykim i shëndoshë !
***

- Nuk ka sëmundje më të pashërueshme se ajo e gruas - thonte Euripidi.
- Si është e mundur - pyetnin dëgjuesit.
- E po. Janë gjetur ilaçet kundër kafshimeve të gjarpinjëve të helmosur e të shtasëve të tjera të egra, por kundra gruas nuk u gjet asnjë shërim.
***

- Të këqiat vijnë të gjitha nga gruaja - pohonte gjithnjë Euripidi.
- Si i bëhet halli për të shpëtuar nga kjo e keqe - pyeti njeri.
- Po t’ishte e mundur që njerëzimi të prodhohej me anë të një mjeti tjetër, dhe jo nga barku femëror, njerëzimi do të ishte i shpëtuar nga çdo e keqe.
***

- Ti i urren shumë gratë - i thanë një ditë.
- Gratë - Zemra ime nuk ngopet kurrë duke i urryer- u përgjigj Euripidi.
***

E shoqja e Sokratit shkoi e mbytur në lot për t’i bërë të ditur të shoqit të burgosur se gjyqtarët e kishin dënuar me vdekje.
- Të kanë dënuar fare pa të drejtë - thirri ajo gjithë dëshprim.
Sokrati, me qetësinë më të madhe, por edhe me krenari iu përgjigj:
-Mos vallë do të deshe që të më dënonin me të drejtë ?…
***

Para se të vdiste, Sokrati i tha një nxënësi:
- Mos harro se jeta është e shkurtër, por e vërteta është e përjetshme. Mund të krenohet se nuk jetoi kot, vetëm ai njeri që flet gjithnjë në gjuhën e së vërtetës.
***

Pas dënimit me vdekje, gjyqtarët kërkuan nga Sokrati që ky të thotë fjalën e fundit.
- Nuk mund të kërkoj aspak mëshirë, nga ata që kanë më shumë frikë se unë, u përgjigj filozofi plak.
***

Një tregtar athinas i dërgoi Sokratit një dhuratë të vogël, por me vlerë të madhe.
Filozofi ia ktheu, duke i thënë prurësit:
- Kjo dhuratë është një lajkë.. Si dhuratat ashtu dhe lajkat, për mua, nuk kanë asnjë vlerë…
***

E pyetën Sokratin se cilin mund ta quajmë njeri të paditur.
- Njeriu më i paditur,- tha filozofi - është ai që thotë se i di të gjitha.
***

Kriti, një nxënës i Sokratit një ditë e pyeti filozofin:
- Ç’gjë është më e vështirë në jetën e njeriut ?
- Të pranojë të metat e tij - ia ktheu filozofi.
- Po më e lehta ?
- Të japë këshilla…
***

Një ditë një nxënës e pyeti Sokratin:
- Cilin keni pasur mjeshtër ?
- Përvojën e jetës - ia priti filozofi.

***
Duke kaluar bashkë me nxënësit para një dyqani, ku punoheshin kurora për fituesit e olimpiadave dhe për heronjtë e luftës, Sokrati tha:
- Është më e lehtë të thurësh një kurorë, se sa të gjesh një kokë për ta vënë atë…

***
Një nxënës i tha filozofit:
- Ç’këshillë më jepni që ta kem parasysh gjithmonë ?
Sokrati iu përgjigj:
- Përpiqu të mos përdorësh dy fjalë, kur mjafton vetëm një…

26. DEMOKRITI
470-361 p.Krishti
Filozof i Miletos, ndër më të mëdhenjtë e lashtësisë. Shpenzoi tërë pasurinë ndër udhëtime për të mësuar. Me sy indiferent, shikonte ngjarjet më të rëndësishme. Ndër rreziqe qeshej gjithmonë për të gjithë. I ngritën një statujë, por bashkëqytetarët dyshuan mos është i çmendur dhe e dërguan tek Hipokrati. Mjeku i famshëm mbas një bisede të gjatë e deklaroi shumë të dijshëm. Ndoqi filozofinë atomike, imagjinoi i pari shumësinë e botëve dhe zbuloi se Kashta e Kumtrit është e përbërë nga yje të panumërt. Paralajmëroi ekzistencen e spermatozoideve.

Njeri i pyeti Demokritin për të vërtetën.
Ai u përgjigj:
- Në qoftë se e vërteta ekziston, ne nuk mund ta njohim.

***
- Pasuria - thoshte Demokriti - është një shkencë.
E mbasi nxënësit e tij tregoheshin të çuditur, ai shpjegoi:
- Po. Shkenca thotë të kënaqesh me atë që ke. Prandaj më i pasuri i botës është ai që kënaqet me atë që ka.

***
Duke kaluar mbi urë, një athinas po falej, u kërkonte ndihmë perendive. Por, pa dashur, rrëshqiti në ujë dhe shpëtoi mbasi dinte not.
Demokriti, filozofi materialist, që ishte duke peshkuar aty pranë, tha:
- Besoj se u binde se rreziku mund të përballohet edhe pa ndihmën e perendive.

***
Dikush mori sandalet e Demokritit. Kur ky e zuri, vjedhësi u shfajësua:
- Më fal, nuk e dija që ishin tuajat.
- Po që nuk ishin tuajat e dije - i tha dijetari…

***
Demokriti nga fundi i jetës së tij u verbua. I tha një mikut të tij:
- Nuk jam në gjëndje të dalloj të bardhën nga e zeza, por dalloj të vërtetën nga gënjeshtra, të ndershmen nga e pandershmja.Mund të jesh i lumtur edhe pa dalluar ngjyrat, por kurrë pa njohur jetën !

***
- Çfarë mund të më thoni për Ferrin ?- e pyeti një aristokrat athinas Demokritin, që ishte një filozof materialist.
- Pritni deri sa të shkoj aty - iu përgjigj me ironi filozofi. Mbasi ta shikoj atë dhe të kthehem, mund të jem në gjëndje t’jua përshkruaj.

***
Një pasanik i tha Demokritit
-Kam bindjen se truri ynë drejtohet nga perenditë.
-Në rast se arsyeja dhe besimi - ia priti Demokriti - janë dhuratë e perendive, atëherë ta dish se këto dy “dhurata” kundërshtojnë njera-tjetrën.

27. SOKRATI
470-401 p.Krishtin
Princ i filozofëve të Athinës. Bir i skulptorit Sofnirmit. I mësuar për të fuqizuar trupin duke ecur mbi dëborë zbathur, luftoi veset dhe paragjykimet e kohës së vet, sidomos tepritë e demokracisë. Doktrina e tij ishte e thellë, e lartë e mprehtë nga ana e moralit. Ishte i varfër dhe këtë varfëri e lavdëronte, me të cilën ishte i kënaqur. Jepte leksione për të gjithë pa shpërblim. Platon, Senofonti, Alcibiadi qenë nxënësit e tij. U martua me Santipen, gruan me karakter të fuqishëm. I akuzuar nga Meliti për ateizëm dhe për korruptimin e rinisë, sepse tallej me zotat dhe njihte një krijues të vetëm suprem, u dënua të pijë helm (çikutën) të cilin e piu pa farë ngurrimi. Meliti u dënua me vdekje, ndërsa Sokratit athinasit i lartësuan një statujë e tempuj, në nderim të filozofit.

Sokrati fitoi nam të madh dhe u çmua si njeriu më i urti i njerëzve. Ky njeri i madh desh, të ndërtojë një shtëpi shumë të vogël në Athinë.
Dikush u çudit e tha:
- Shtëpia që po ndërton është shumë e vogël. Një njeri kaq në zë e me merita kaq të mëdha, ka nevojë për një pallat, bile shumë të madh.
- E di, shtëpia ime është e vogël, - tha Sokrati- Po sa i lumtur do të isha sikur këtë shtëpi të vogël ta mbush me miq të vërtetë…

***
Kur Sokrati ndodhej pranë oborrit të tiranit Jerome, ky i fundit i tha:
- Të jap një ditë afat që të më sqarosh ç’është Perendia !
Kaluan tetë ditë dhe Sokrati nuk po i përgjigjej.
- Përse e zgjatë kaq shumë një përgjigje me dy fjalë - e pyeti tirani.
Dhe Sokrati ia priti:
- Sepse sa më shumë mendoj për perëndinë, aq më e vështirë më duket.

***

E pyetën filozofin:
- Cilat janë gjërat më të lehta e më të rënda ?
- Gjëja më e lehtë - u përgjegj Sokrati- është të japësh këshilla. Gjëja më e vështirë është t’i zbatosh…

***
Njeri nga nxënësit e pyeti një ditë Sokratin:
- Si shpjegohet që shumë aristokratë flasin keq për Aristofanin pa e njohur mirë ?
Sokrati u përgjigj:
- Aristokratët e njohin Aristofanin, por nuk njohin të mirën, virtytin dhe të vërtetën, që predikon ai.

***
Dikush i tha Sokratit:
- Katër athinas flasin keq për ty.
- Të shkretët ata! - u përgjigj filozofi - Nuk vuajnë vetëm nga dobësitë e tyre, por edhe nga të mirat që kam unë !

***
Një ditë një nxënës i tha Sokratit:
- Duke i dhënë fund shkollës suaj, unë e ndiej veten të përgatitur për gjithçka në jetë.
- Kurse unë, sapo kam filluar të mësoj në jetë - foli filozofi…

***
Një nga nxënësit e Sokratit tip dorëlëshuar, e pyeti filozofin:
- A mund të më tregosh ndonjë mënyrë për të kursyer të hollat ?
Dhe Sokrati i tha:
- Të këshilloj që kur del nga shtëpia të mos marrësh më shumë të holla nga sa të duhen dhe të shpenzosh më pak nga sa të nevojiten…

***
Sokrati i thoshte kështu një njeriu që aprovonte me hipokrizi gjithnjë mendimet e tij:
- Më kundërshto njëherë të shkretën, që të kem përshtypjen se jemi dy vetë…
***

Duke ecur rrugës, filozofi pa një djalosh që po hidhte gurë lart e poshtë. Iu afrua dhe i tha:
- Kij mendjen se, pa dashur, mund të goditësh dhe prindërit e tu.

***
Sokrati nuk donte që nxënësit e tij të loznin me zare. Duke qortuar njërin, ky i kërkoi ndjesë duke i thënë se rrezikonte një shumë fare të vogël të hollash.
- Mirë, mirë, - ai priti Sokrati - por mos harro se humbet shumë kohë…

***
Sokrati shpesh herë shahej nga njerëz madhështorë dhe injorantë, të cilët ai i kishte qortuar për gabimet e tyre.
- Një ditë po kalonte rrugës me disa miq. Një i ri i afrohet dhe i bie shqelm. Të pranishmit u çuditën se si Sokrati duroi një dhunë të tillë.
- Ç’duhet të bëja - u tha atyre.
- Ta paditësh në gjyq - thanë të gjithë.
- Si ? - vijoi filozofi - në se një gomar më bie shqelm, ju më këshilloni që ta padis te gjykatësi ?

***
Duke biseduar me nxënësit e tij për arsyen, Sokrati tha:
- Me sa po duket arsyeja qenka shpërndarë në mënyrë të barabartë tek të gjithë njerëzit.
- Nga e nxjerr këtë përfundim - pyeti një nxënës.
Sokrati iu përgjigj:
- Sepse deri sot nuk kam dëgjuar që ndokush të ankohet për mungesën e saj…

***
Një mik e pyeti Sokratin se ç’mendonte për një llafazan i cili kishte folur gjysëm ore rresht.
- Duke përjashtuar thashethemet - ia priti Sokrati - ai nuk tha asgjë…
***

Alqibiadi krenohej për pasurinë e tij e tokat e shumta. Sokrati, miku i tij i urtë dhe i matur, e çoi një ditë te harta gjeografike dhe i tha ta kërkojë se ku gjindet Atika. Alqibiadi i tregoi një pikë që mezi shihej. Atëherë Sokrati:
- E tokët tuaja në cilën pjesë të Atikës janë të vendosura ?- e pyeti.
- Janë tepër të vogla për t’u shënuar në hartë - u përgjigj Alqibiadi.
- E shikon - përfundoi Sokrati - se ajo, për të cilin ti lavdërohesh aq shumë, nuk është tjetër, veçse një pikë e dukshme mbi tokë.

***
Kur e dënuan Sokratin për vdekje, një nxënës i tij shkoi në burg dhe e pyeti:
- A ke frikë nga vdekja ?
- Përse të kem frikë? - iu përgjigj Sokrati - Unë nuk do të takohem me të. Tani që jam unë nuk është ajo, dhe pak më vonë, kur ajo të jetë këtu, nuk do të jem unë…

***
Kur Sokrati u paraqit para gjyqit, i thanë:
- Ti për të vërtetuar pafajsinë tënde, duhet të paraqitësh dëshmitarë.
Filozofi 82 vjeçar u përgjigj:
- Varfëria dhe ndershmëria janë të vetmit dëshmitarë që do të flasin deri në fund në favorin tim…

***
Kur filloi gjyqi, njëri nga gjykatësit i tha Sokratit:
- Ki mëndjen, duhet t’i peshosh mirë fjalët që do të thuash këtu.
Sokrati ai priti me ironi:
- Do t’i peshoj nëse më jepni peshoren tuaj të drejtësisë… por siç duket ju mungon…

***
Në qelinë ku Sokrati priste vdekjen, një nxënës i tha:
- A mund të më thoni diçka për vdekjen ?
- Që të dish të vdesësh - ia priti filozofi - më parë duhet të dish të jetosh…

***
Sokratit i kërkuan të paguante para për helmin që do të pinte. Filozofi kërkoi hua duke thënë:
- Të lutem, ma jep këtë borxh pasi në Athinë duhet të paguash jo vetëm për të jetuar, por edhe për të vdekur.

28. HIPOKRATI
468-372 p.Krishtit
Njihet si mjeku i madh i lashtësisë, i lindur në Athinë. Krijoi doktrinën e krizave dhe diektikën. Nga ai arritën deri tek ne shumë vepra: Aforizmat, Pornjostikat, Traktati i erërave etj.

Një i njohur i tha Hipokratit:
- Si lum ju mjekët. Duke njohur sëmundjen që ju kërcënon, merrni masat menjëherë.
- Ne mjekët - ia priti Hipokrati - u ngjajmë rojeve të natës. I njohim mirë rrugët e rrugicat që ruajmë, por nuk dimë çfarë ndodh prapa mureve…

***
Një athinas shkoi për t’u vizituar tek Hipokrati dhe i tha:
- Ndjej lodhje dhe mungesë oreksi. Çfarë më këshillon të bëj ?
- Në rast se dëshiron të kesh oreks dhe të jesh i fuqishëm - i tha Hipokrati - vrapo. Nëse dëshiron të kesh mendje të freskët, mos e lë trupin të plogështohet. Në rast se nuk merresh me asnjë nga këto, do të duhet të vraposh kur të sëmuresh….

***
Një mjek i ri e pyeti Hipokratin:
- Ç’parim duhet të frymëzojë mjekun në ushtrimin e profesionit ?
Hipokrati iu përgjigj:
- Të ushtrojë profesionin me urti, thjeshtësi e pastërti. Kur të hyjë në shtëpinë e sëmurit, të thellohet në dhënien e diagnozës dhe të mos pranojë asnjë ryshfet.
***

Hipokrati, kur po ndodhej në shtratin e vdekjes, u tha atyre që e rrethonin:
- Po vdes i qetë pasi lashë tre mjekë të zotë.
Të pranishmit, të habitur, e pyetën:
- Qysh nuk i dimë edhe ne ? Cilët janë këta ?
Dhe Hipokrati vazhdoi:
- Uji, dielli dhe ajri.
***

Një pasanik athinas, dembel i madh, iu ankua një ditë Hipokratit:
- Nuk më hahet asgjë. Çfarë salcash dhe erëzash të përdor për të hapur oreksin ?
- Salcat dhe erëzat më të mira - ia ktheu mjeku - do t’i gjesh pas punës…

29. ALÇIBIADI
452-404 p.Krishtit
Nxënës i Sokratit, por nuk ndoqi mësimet e tij. Ambicioz, ekstravagant, guximtar dhe i pasur, arriti të bëhej gjeneral athinas. Inteligjent e gojtar, ushtroi në Athinë influencë të madhe e të rrezikshme. E futi Athinën në luftë me Siçilinë, që provokoi luftën vdekjeprurëse peleponeze. I paditur për sakrilegj, iku në Tebe, në Beozi. Athinasit e thirrën prapë, dhe kur u kthye e mbushën me nderime. Më vonë ai u mund nga Lacedemonët, Antiuku i tij, e shkarkoi nga fuqia. U largua nga Athina dhe shkoi te Farnabasi, i cili e mbyti me dorë të Lisandrit.

Në Athinë disa thashethemexhinj e zinin shpesh herë në gojë Alqibiadin, heroin e betejës së Maratonës.
Një ditë Alqibiadi del në rrugë me një qen, të cilit i kishte prerë bishtin dhe njërin vesh.
- Përse e sakatove qenin ? E gjithë Athina flet për këtë ngjarje - erdhën dhe i thanë. Këtë dëshiroja - ia priti Alçibiadi - që thashethemexhinjtë të merren me qenin tim dhe të më lenë rehat; duke mos më zënë në gojë.

30. ANTISTENI
444-365 p.Krishtit

Filozof i Athinës, dishepull i Sokratit e Diogjenit, themelues i Shkollës Cinike
E pyetën një herë Antistenin:
- Në çka përmbahet lumturia e vërtetë.
- Lumturia e vërtetë përmbahet në përbuzjen e pasurisë, qejfeve dhe sqimës. Këtë mendim, Antisteni e mësonte edhe në shkollën e tij.

31. ISOKRATI
436-338 p. Krishtit

Gojtar i shquar dhe rektor athinas, hapi një shkollë gojtarie në Athinë. I penduar se kishte ndihmuar Filipin e Maqedonisë që të pushtojë Greqinë, e la vetën të vdesë urie duke qenë 98 vjeç.

Një athinas e pyeti oratorin:
- Në Athinë ti je mbreti i fjalës. Ku qëndron sekreti i këtij vlerësimi ?
- Unë flas vetëm atëherë kur kam diçka për të thënë - u përgjigj Isokrati.

***

Një ditë, një nxënës e pyeti Isokratin: Ku qëndron sekreti i të folurit ?
- Shumë thjesht: Në çdo rast, që ndjeni se flisni pa vend, heshtni me mënd - ia priti oratori.

***
Isokrati i tha një nxënësit:
- Në rast se ti do të vazhdosh shkollën time, duhet të paguash dyfish.
- Pse - pyeti nxënësi i habitur.
- Sepse - vazhdoi Isokrati - duhet të të mësoj të flasësh dhe të heshtësh.

***
Isokrati ishte ftuar për drekë nga mbreti i Qipros, por nuk po merrte pjesë në bisedë me të ftuarit e tjerë të aristokracisë së vendit. Duke iu drejtuar filozofit, mbreti i tha:
- Dëshirojmë të dëgjojmë zërin tënd.
- Ato që di unë - ia priti Isokrati - nuk janë për këtu, kurse ato që thuhen këtu, unë nuk i di.
***

E pyetën Isokratin:
- Çfarë të kënaq më shumë në jetë ?
- Ajo që fitohet me mund dhe me djersë - u përgjigj filozofi.

32. PLATONI
429-347 p.Krishtit
Më i madhi filozof grek i lashtësisë. Dishepulli i Sokratit, shpalli Doktrinën e Dialogëve. U dha mbas koleksionit të orendive të vjetra.

Platoni nuk donte që nxënësit e tij të luanin me zare.
- Duke luajtur me zare përveç parave, shpenzoni shumë kohë, u thoshte atyre.

***
Timoteu, kapiteni athinas, u ftua për darkë nga Platoni, gjatë së cilës u bisedua gëzueshëm dhe u trajtuan disa argumenta morali shumë të rëndësishëm.
Timoteut sikur iu muar mendja, dhe kënaqësia e thellë që ndiente nuk mund të krahasohej me gëzimet e potershme të aq sofrave të tij me shokët e ushtrisë. Një muzikë e këndshme plotësonte kremtimin. Shkurt, kapiteni u nda nga kjo darkë plot kënaqësi, që nuk kishte provuar ndonjëherë.
Mbas një gjumi të lehtë e të qetë, rrjedhë e një darkës së përkorë, në mëngjes u ngrit nga shtroja i shkathët dhe i fortë.
- Sofrat tuaja, i tha Timoteu Platonit kur e takoi, nuk të kënaqin aty për aty, por edhe ditën e nesërme gjithashtu.
***

Platoni thonte për vallëzimin:
- Siç prodhon lëvizjen e të gjithë organeve, vallëzimi ka detyrë t’i japë trupit e organeve të tija shëndetin, shkathësinë e bukurinë, duke stërvitur në përkulje, hedhje e në kërcime, sipas një rregulli të lëvizjeve ritmike të shpërndara në një mënyrë të barabartë ndër arterie.
Fisnik apo vulgar, i gëzuar apo i trishtuar që të jetë, vallëzimi interpreton gjithmonë fjalët e muzikën që e shoqërojnë.

33. DIOGJENI
413-323 p.Krishtit

Filozof i shquar grek i mbiquajtur “ Ciniku”. U shqua për gjeni e trille. Si e përzuri nga shtëpia i ati, jetoi në Athinë dhe nuk zotëronte asgjë përveç një shkopi e një kupe. Banonte pranë tempullit të Çibelës në një fuqi të vjetër pa fund, që e merrte me vete nga do që shkonte. Në vdekjen e tij, qyteti i lindjes, Sinope, i ndërtoi një statujë. Për të, filozofia përmbahej në kursim, në privacionin vullnetar, dhe në përbuzjen e çdo nderimi shoqëror.

Diogjeni, që nuk kish tjetër veçse një fuqi pa fund, shkopin dhe një kupë, kur shikoi një fëmijë që pinte ujë me dorë të mbledhur, e hodhi kupën e tha:
- Edhe kjo qënka e tepërt...

***
Në banjot publike të Athinës, disa qytetarë laheshin në një pishinë me ujë të papastër.
Diogjeni kur i shikoi tha:
- Ku do të laheni pas kësaj banjoje që po bëni ?

***
Një mik e pyeti filozofin:
- Cilin nga filozofët mund të merrni si shëmbull ?
- Atë që ka përjetuar diturinë me thjeshtësi e urtësi - iu përgjigj Diogjeni.

***
Në bisedë e sipër, një mendjelehtë i thotë Diogjenit:
- Unë kam ngrenë gjithë jetën mish kau, prandaj jam i fortë si një ka.
- Nuk e besoj - ia ktheu Diogjeni me ironi - sepse dhe unë kam ngrënë gjithë jetën peshk, por akoma nuk di të notoj.

***
- Ç’duhet mbajtur mend dhe ç’duhet harruar? - pyetën Diogjenin
- Në se të kanë bërë mirë, mbaje mend; nëse ke bërë mirë, harroje - u përgjigj ai…

***
Diogjeni, kur dëgjoi se Platoni e quante njeriun “kafshë”me dy këmbë e pa pupla”, mori një gjel, dhe si ia hoqi puplat, ia hodhi në shkollë filozofit të madh, duke i thënë:
- Ja njeriu yt !

***
E pyetën Diogjenin:
- Pse jeta është kaq e shkurtër ?
- Që ta jetojmë vetëm për punë të dobishme - u përgjigj ai…

***
Një ditë Aleksandri i Maqedonisë i dërgoi Diogjenit disa vezë të mbushura me flori.
Diogjeni ia ktheu duke i thënë prurësit:
- Thuaja Lekës se e verdha e vezës më bën keq, më lejohet vetëm e bardha…

***
Dionizi, tirani i Sirakuzës, gjatë një pritjeje, kur e pa Diogjenin që bisedonte me zjarr me një nga të ftuarit, për ta vënë në lojë tha:
- Kushedi ç’lëvdatë më ke bërë mua !
- Po i thurja lëvdata drejtësisë suaj - ia priti Diogjeni.
- Ç’ të bësh ? Pa gënjeshtra nuk kalohet, shtoi filozofi…

***
Një herë, duke shetitur me një mikun e tij, Diogjeni ra në një gropë.
- Më falni - i tha miku - harrova t’ju lajmëroja se para jush ndodhej një gropë.
- Ju faleminderit, por siç e shihni këtë e gjeta vetë - ia ktheu Diogjeni.

***
Një ditë Dionizi, tirani i Sirakuzës, e pyeti Diogjenin:
- Në rast se në njerën anë të një peshoreje është vendosur paqja dhe në tjetrën anë drejtësia, ti çfarë do të preferoje ?
- Paqen - i tha Diogjeni.
- Kurse unë do të preferoja drejtësinë - e sqaroi tirani.
Dhe Diogjeni ia priti:
- Çdo njeri kërkon atë që i mungon…

***
Aristofani e pyeti Diogjenin:
- Ku dëshiron të varrosin pas vdekjes ?
- Nuk ka rëndësi vendi - u përgjigj Diogjeni - Pas vdekjes, “e ardhmja” do të dijë të na gjejë kudo që të ndodhemi.

***
E pyetën Diogjenin:
- Ç’mendim keni për oratorin Senokrati ?
Diogjeni shfaqi këtë mendim
- Ai mendohet shumë kur hesht, që të dijë ç’të thotë kur flet...
***

Kur ndieu se hajdutët i kishin hyrë në shtëpi për të vjedhur, Diogjeni u fut në një qyp. Hajdutët e gjetën aty dhe e pyetën:
- Pse u fshehe këtu ?
Diogjeni shpjegoi:
- Duke e ditur varfërinë time, më erdhi turp t’u dilja përpara...

***
Gjatë një gostie në shtëpinë e një skllavopronari athinas, një shërbëtor kishte vjedhur një gotë ari dhe, si dënim, do të ekzekutohej. Të nesermën, sheshi ishte mbushur plot me kureshtarë.
- Përse janë mbledhur tërë këta njerëz ?- pyeti një qytetar.
Dhe Diogjeni e sqaroi:
- Kusarët e mëdhenj kanë dënuar me vdekje një kusar të vogël…

***
Diogjeni, pasi kishte mbledhur një tufë me lakra për drekë, gjatë kthimit për në shtëpi takoi nxënësin e tij Aristip.
- Mjeshtër - i tha Aristipi - sikur të dije të bëje lajka, nuk do të haje lakra për drekë.
Diogjeni ia priti:
- Edhe ti, sikur të kënaqeshe me lakra për drekë, nuk do t’i lajkatoje oborrtarët.

***
Pranë një limani, doganierët e pyetën Diogjenin:
- Ç’pasuri ke me vete ?
- Shënoni: Kam drejtësinë, edukatën, vullnetin dhe guximin - i tha.
- Mos janë skllevërit e tu ?
- Jo, ia priti Diogjeni - janë padronët e mi…

***
Një pasanik mëndjemadh dhe injorant, vishte çdo ditë rroba të reja e të kushtueshme. Diogjeni tha për këtë:
- Mëkat, që një mall i keq mbështillet kaq bukur…

***
Një llafazan kishte dy orë që po fliste. Më në fund pyeti:
- Diogjen, mos të kam mërzitur ?
- Jo, jo-iu përgjigj Diogjeni - nuk më ke mërzitur aspak, pasi nuk të dëgjova fare.

***
Një mik e gjeti Diogjenin duke u përpjekur që të mësonte të këndonte dhe i tha:
- Habitem me ty, dashke të këndosh në këtë moshë ?
Diogjeni buzëqeshi
- Është më mirë të mësosh vonë, se kurrë.
***

Tirani i Sirakuzës, Dionisi, e pyeti Diogjenin :
- Çfarë flitet për mua në Athinë ?
- Athina ka gjëra të tjera më të rëndësishme sesa të merret me ty - ia priti Diogjeni.
***

- Cila është rruga më e mirë që të shpie drejt lumturisë - e pyetën Diogjenin
- Të punosh për lumturinë e të tjerëve - u përgjigj ai.

***

Një mik i tha një ditë Diogjenit:
- Klisteni është më i lumtur nga ne, pasi, duke jetuar pranë oborrit, merr pjesë në gostinë që shtron Aleksandri.
- Thuaj më mirë sa i mjerë që është - ia priti Diogjeni - Ai është i detyruar të hajë e të pijë kur i vjen oreksi Aleksandrit...

***

Në Greqinë e lashtë, një njeri zemërlig, kishte shkruar këto fjalë mbi derën e shtëpisë së tij: “Nuk lejohet asnjë e ligë të futet në shtëpinë tonë”.Kur e lexoi këtë shkrim Diogjeni, i tha :
- Po zotrote nga hyn në shtëpi ?
***

Diogjeni për herë të parë ishte në qejf dhe i qeshur. Mbi trup nuk kish tjetër, veçse një mantel të vrazhdë, që i shërbente edhe natën për mbulojë, dhe një trastë ku vendoste ushqimin. Sillej nëpër rrugët e Athinës duke u zënë herë me njërin herë me tjetrin, dhe duke u tallur me të gjithë fatkeqësitë njerëzore.
Një herë, ditën për diell, u duk në sheshin publik me një qiri të ndezur në dorë. Kur e pyetën pse:
- Kërkoj një njeri - u përgjigj…
***

Diogjeni nuk shikonte hatrin e askujt. Shpesh kishte zakon të thoshte:
- Mos iu afro shumë të mëdhenjve, dhe mos i rri shumë larg...
***

Diogjeni tha:
- Kur të vdes më varrosni në çfarëdo vendi, nuk më intereson
- Do të hanë qentë, i tha një mik.
- Atëherë më varrosni me një shkop .
- Po ti nuk do t’i dëgjosh qentë, ç’ të duhet shkopi ?
- Në qoftë se nuk do t’i dëgjoj, pse do të më interesojë se do të më hanë - përfundoi filozofi.
***

Një ditë Diogjeni, si doli nga fuqia për të parë diellin që lindte, çuditet kur sheh një fuqi pranë së tijës. Një pasanik i ri kishte vendosë të bëhej dijetar si Diogjeni, dhe prandaj kishte hyrë në fuqi si filozofi “cinik”.
- Shumë mirë !- tha Diogjeni - Siç shoh dituria paska fituar një dishepull të ri .
Mandej; si rrotulloi fuqinë e vet dhe e hodhi në det, shtoi:
- Unë kam gjetur tek ti një nxënës të denjë; plotëso tani fitoren tënde mbi vetveten. M’i dorëzo pasuritë e tua që t’ua shpërndaj të varfërve.
Djaloshi u çudit dhe tha:
- Më vjen keq, të mbes pa gjë për të tjerët nuk mundem.
La fuqinë dhe u largua. Diogjeni atëherë tha:
- Sa qesharakë janë njerëzit! Ata kujtojnë se për të qenë të urtë mjafton të imitojnë të urtit në dukje dhe jo në fakte. Po si do ta predikojnë virtytin kur ata vetë nuk dijnë ta ushtrojnë?
Si tha këto fjalë, hyri në fuqinë e re.
***

Leka i Madh, si njohu varfërinë e Diogjenit, desh ta ndihmojë.
- Ti të më ndihmosh mua! Nuk ka se si!
- Pse nuk ka se si?
- Asnjë nuk është më i varfër se ti - iu përgjigj filozofi.
- I pakënaqur për mbretërinë që të la babai, i vihesh mijëra rreziqesh për të fituar tjera mbretëri. Ndërsa unë jetoj i kënaqur me këtë që kam, dhe dëshirat e mia nuk kalojnë përtej torbës dhe zhgunit.
***

Filozofi Antistene kishte zakon t’i qortonte nxënësit e vet, duke i porositur që të ishin te vëmendshëm ndaj mësimeve të tij, por pak e dëgjonin. Një ditë, si u hidhërua, i dëboi të gjithë nxënësit e ndër to edhe Diogjenin. Por duke qënë se ky, i ndezur nga dëshira për të ndjekë shkollën e filozofit, shkonte shpesh tek ai, dhe i qëndronte me këmbëngulje pranë. Antisteni iu kërcënua se do t’i binte shkop kresë. Diogjeni nuk merrte vesh nga ky kërcënim, dhe një ditë Antisteni i ra përnjëmend.
As nga kjo gjë Diogjeni nuk iku, po qëndroi i patundur, nga dëshira që të ndriçonte mendjen me mësimet e filozofit.
- Më rrah, po deshe prap-tha-Unë vetë do ta afroj kokën. Nuk besoj të gjesh shkop aq të fortë, sa të ketë mundësi të më largojë nga shkolla yte.
Antisteni e pranoi atë nxënës aq të dhënë mbas mësimit dhe e deshi shumë.
***

E pyetën Diogjenin se çfarë gjykimi jepte për gratë inatçore dhe hidhërake.
- Ata - tha ai - janë si qypa alabastri, ku ruhet uthulla…

***

Diogjeni po shkonte i vetëm nëpër rrugët e qytetit, kur iu paraqit një djalosh, që donte të diskutojë me të. Filozofi nuk i foli, por i dha torbën e tij, si një shërbëtori dhe e urdhëroi ta ndjekte.
Djaloshi mendjemadh u turpërua dhe hodhi torbën e iku.
Mbas pak kohe Diogjeni u takua me të, dhe duke parë se ai donte t’i bishtnojë, qeshi e tha:
- Ohoo ! Torba prishi miqësinë tonë !

***

- Ç’mendoni për jetën ? - e pyeti Diogjenin një aristokrat athinas.
- Ajo ka një të mirë - u përgjigj filozofi - diturinë dhe një të keqe - injorancën.

***

I thanë Diogjenit:
- Çfarë mund të kuptojmë me fjalën egoist ?
- Me fjalën egosit mund të quajmë një njeri që tregon rreth vetes së tij gjëra që ti dhe unë do të kishim vështirë t’ia shohim tjetrit….
***

E pyetën Diogjenin:
- Çfarë duhet të bëjë një njeri që ta quajnë të mirë ?
- Asgjë më shumë sesa të sillet mirë - u tha Diogjeni …
***

Tirani i Sirakuzës, Dionizi, kur u takua me Diogjenin, për ta vënë në lojë, i tha:
- Çfarë pasurie keni siguruar me filozofinë tuaj ?
- Unë kënaqem me pasurinë që kam dhe që ia fal popullit, ia ktheu filozofi- ndërsa ju kënaqeni me thesaret që merrni nga populli...
***

Në Greqinë e lashtë, një aristokrat duke biseduar me Diogjenin i tha:
- Kam arritur të njoh mirë gjithë filozofinë e ditëve tona.
- Për mendimin tim - ia priti filozofi - ju i ngjasoni një njeriut që ecën me kandil në dorë dhe kujton se po shetitë në një ditë plot me diell.
***

Një fisnik athinas, i njohur për të këqijat që u kishte sjellë njerëzve, shkroi mbi portën e shtëpisë së tij: “Këtu nuk lejohet të hyjë asnjë e keqe” Pasi e lexoi Diogjeni, i tha fisnikut:
- Me shënimin që ke vënë në derë, vetëm zotrote nuk ke të drejtë të hysh në shtëpi…

34. EPAMINONDA
411-363 p.Krishtit

Gjeneral i përmendur teban. Nënshtroi pjesën më të madhe të Peloponezit dhe mundi spartanët në Lentro dhe në Mantihe, ku mbet i vrarë.

Epaminonda po shetiste nëpër rrugët e qytetit të porsaçliruar nga armiqtë. Qytetarët ia kishin shtruar me ahengje e dëfrime.
- Përse nuk merrni pjesë dhe ju në gëzimin tonë ?- pyeti një nga ushtarët.
Gjenerali ia priti:
- Në qoftë se do të dehemi të gjithë prej fitores, atëherë kush do ta ruaj qytetin nga armiqtë ?

***
Artaksersi, mbreti i Persisë, i dërgoi Epaminondes dhurata të pasura. Burri i madh u tha atyre që ia sollën dhuratën.

- Në qoftë se Mbreti don të jetë miku im, nuk është nevoja të ma blejë këtë miqësi; por në qoftë se ai ka mendim tjetër, nuk është aq i pasur sa të më blejë…

***
Pas betejës me persët, komandanti i Tebës mbeti i plagosur shumë rëndë nga një shtizë armike. Duke e hequr shtizën në çastet e fundit të jetës, tha:

- Po vdes i qetë, sepse asgjë armike nuk mbetet në trupin tim dhe as në atë të Tebës së lirë.

35. DIONIZI
405-318 p.Krishtit
Tiran i Sirakuzës, i shquar për egërsinë e tij. Ishte i zoti në administrimin e shtetit. Dallohet në dituri dhe sidomos në mbrojtjen e letërsisë e të filozofisë.

Dionizi, kur mori vesh se njëri kishte parë ëndërr se e kish mbytur, çoi dhe e thirri:

- Në qoftë se ti - i tha - nuk e ke menduar se një ditë do të më mbytësh, nuk do ta kishe parë natën në ëndërr...

***

Tiranit, si i ra në dorë djali i një armiku të tij, desh të hakmerrej në mënyrën më të rreptë, por që në dukje të dukej e lehtë. Nuk e dënoi për vdekje as e burgosi, por e zhyti ndër vese. Kjo gjë do t’i sillte dëmin më të madh si të jatit ashtu dhe të birit.
Që t’ia bënte jetën më të gëzueshme, e lejoi në çdo gjë që dëshironte. Asnjë nuk u kujdes për sjelljet e tij, që ta frenojë dhe ta drejtojë ndër epshe. Djaloshi u lëshua krejt mbas asaj jete kotësie dhe dembelie dhe humbi çdo ndjenjë të mirë, duke u dhënë ndër vese të ndryshme. Tirani për këtë sjellje e lëvdonte dhe e shpërblente.
Kur Dionizi u bind se djali ishte skllav i këtyre zakoneve të këqija, ia ktheu të jatit.
I ati mori masa menjëherë dhe djalin e la në dorë të edukatorëve më të mirë, me shpresë se do ta kthejë në rrugë të mbarë.
Çdo kujdes qe i kotë, djali nuk u përmirësua. U dëshprua dhe i dha fund jetës me vetëvrasje.

***


Shumë qytetarë komplotonin për t’u çliruar nga tirania e Dionizit. Ndër ta, një grua, e quajtur Liona. Komploti u zbulua dhe Liona u kap e para dhe u torturua që të tregojë shokët.
Vuajti tortura të tmerrshme, por dikur, duke pasë frikë se mos i mungon fuqia dhe do t’i tregonte shokët e komplotit, këputi gjuhën me dhëmbë.

***
Tirani i Sirakuzës, si përfundoi luftën me Kartagjenën, filloi të shkruajë vjersha, për të cilat kishte shumë pasion.
Si njeri lufte ishte i madh, por si poet i dobët. Megjithëatë oborrtarët dhe poetët që mblidhte në sofrën e tij tregoheshin plot entuziazëm kur ai lexonte vjershat e veta.
Vetëm një nuk merrte pjesë ndër këto lavdërime. Ky ishte Filoseni i famshëm dhe vjershëtar i mirë.
Një ditë Dionizi e pyeti atë si i dukeshin vjershat e tij. Filosteni tha lirisht mendimin e tij pa asnjë lajkë.
Dionizi, jo i mësuar të dëgjojë fjalë të tilla, u hidhërua dhe duke ia mbështetur zilisë këtë gjykim të guximshëm, e futi menjëherë në burg.
Të gjithë oborrtarët ndërhynë që ta lirojë.
Mbas disa ditësh e nxori nga burgu dhe i lexoi disa vjersha duke menduar se burgu do t’ia kishte vjeftë të ndërrojë gjykim.
Si përgjigje, Filoseni iu tha rojeve:
- Më dërgoni menjëherë në burg !...

***
Dionizi thirri Arkimedin që të mësonte prej tij astronominë. Një ditë, gjatë mësimit, ai i tha shkencëtarit:
- Pa hiqmi tërë këto llogaritjet e matematikës, mbasi janë shumë të rënda, të mërzitshme dhe të pakuptueshme.
Arkimedi ia priti:
- Më vjen keq, por vetëm këtu nuk ka rrugë të privilegjuar as për mbretërit…

***
Dionizi dënoi me vdekje një filozof. Lukiani, një koleg i filozofit, shkroi për të një epitaf, në të cilin vinte në dukje meritat e të dënuarit.
Me ta marrë vesh këtë, Dionizi e thirri Lukianin në pallat e i tha:
- Megjithëse ti guxove të lavdërosh atë që unë e dënova, po ta dhuroj një vazo të artë që mos të më harrosh dhe mua.
Lukiani ia priti:
- Nuk do ta harroj as vazon e artë që ta kam borxh, prandaj po ta kthej qysh tani…

36. FOÇIONI
402-317 p.Krishtit

Gjeneral athinas, kundërshtar i Demostenit. Këshilloi paqen me Filipin dhe Lekën e Madh. Mundi disa herë maqedonët, por la të pushtohej Pireu dhe qe dënuar të pijë çikutën. Është i njohur për ndershmëri. Megjithëse ishte kundër luftës me Filipin, kur populli i Athinës e urdhëroi, dijti ta drejtojë luftën me besim e guxim. La veprën e tij me vlerë “Fjalime”.

Leka i Madh i dërgoi Foçionit një dhuratë prej 100.000 skudësh. Ky e pyeti ambasadorin e mbretit, - ndër aq athinas,a ishte ai i zgjedhuri.
- Leka - iu përgjigj i dërguari - don të çmojë virtytin tënd !
- Atëherë të ma lerë mua këtë virtyt dhe të mbajë për vete thesarin, u përgjigj Foçioni…

***
Një aristokrat shkoi në shtëpinë e Foçionit. Kur e pa të zhveshur shtëpinë, vizitorja i tha së shoqes së filozofit:
- Ku i keni stolitë e shtëpisë ?
Në atë çast hyri Foçioni me dy djemtë e tij dhe ajo i tha mysafires:
- Ja ku i kam !

***
Një herë tjetër, Antipatri i Maqedonisë i dërgoi Foçionit një shumë të rëndësishme të hollash, dhe si ai nuk i pranoi, i dërguari i tha:
- Më lejo t’ia jap djalit tënd. -
- Jo, u përgjigj Foçioni - Në qoftë se djali im është i urtë, i mjafton trashigimi im. Në qoftë dorëlëshuar, sado ar t’i japësh, nuk do të jetë i mjaftueshëm kurrë.
***

Kur filozofi grek u dënua me vdekje, e priti vendimin duke qeshur.
- Me këtë qëndrim - i tha gjykatësi- ti po i vë në lojë ligjet tona.
- Po vdes i kënaqur, pasi kësaj radhe dënohem me një gjobë pa patur nevojë të kërkoj borxh ! - iu përgjegj filozofi i cili tërë jetën e kishte kaluar në varfëri.
***

Aleksandri i Maqedonisë i dërgoi Foqionit 100 talanta ari.
Filozofi i varfër nuk i pranoi dhe i tha oborrtarit:
- Kthejani florinjtë Aleksandrit dhe i thoni që të më lërë të vdes i ndershëm.

37. DANONI
401-360 p.Krishtit

Filozof pitagorik në Sirakuzë, në kohën e Dionizit.
Pitia, shoku i Danonit, për të cilin shpifën disa oborrtarë që e kishin smirë, u dënua me vdekje. Pitia para se të vdiste, kërkoi të dalë nga burgu për të rregulluar disa punë. Danoni ndej në burg në vendin e tij gjatë kësaj kohe. Në rast se nuk do të kthehej Pitia, atij do t’i ikte koka.

Pitia u kthye, Danoni u lirua dhe Dionizi plot admirim desh të bëhej mik i tyre i tretë.

***
Danoni qe njeri i mirë, këmbët i kishte të sëmura dhe aq të shtrembëra ndër gishtërinjë, sa për këpucët e tij një këpucar i mirë nuk ia mbaronte para një muaji.
Ngjau që një hajdut i hyri natën në shtëpi dhe duke mos gjetur tjetër i vodhi këpucët.
Të nesërmen në mëngjes, duke mos i gjetur këpucët, nuk bëri zhurmë dhe nuk u shqetësua fare, si do të ishte shqetësuar kushdo.
Me durim të madh tha:
- Lus Zotin që ato këpucë, ai që m’i grabiti, mos t’i përdorë kurrë dhe të jetë gjithmonë shëndosh !

38. POLIKLETI
Shek. V p.Krishtit
Polikleti skulptor i përmendur i Greqisë së lashtë, nxënës i Fidies.

Skulptori grek, për t’ia mbyllur gojën kritikëve, nisi të punojë dy statuja me të njëjtën përmbajtje. E para punohej sipas kritikëve, kurse tjetra në fshehtësi.
Kur u ekspozuan, u pëlqye ajo që u punua pa ndërhyrjen e kritikëve.
Vizituesve të ekspozitës u thoshte:
- Truporja që pëlqehet është vepër e imja, kurse ajo tjetra, është vepra e kritikëve të mi…

39. KRATE
shek.V.p.Krishtit
Filozof grek i përmendur. Lindi në Tebë, Boeci.

Thuhet se filozofi hodhi paret e veta në det, që të jepej më lirisht pas mësimeve. Disa thonë se ai depozitoi pasurinë te një bankier, duke urdhëruar që t’ia dorëzonte femijëve të tij, vetëm atëherë kur të përcaktohet se ata janë të çmendur.
Ai thonte:
- Në qoftë se fëmijët e mij kanë për të qenë punëtorë e ekonomikë, do të jetojnë me mundin e tyre dhe nuk do të kenë nevojë për pasuri; në qoftë se janë përtacë dhe dorëlëshuar, nuk do t’i mjaftonte kjo që kam dhe sado pasuri të mëdhaja qofshin.

40. ANASTAGORA
shek.V.p.Krishtit

Filozof i përmendur, mjeshtër i Euripidit, i Perikliut, thuhet dhe i Sokratit. Vuri themelet e filozofisë atike! Paralajmëroi eklipset dhe besoi se hëna është e banuar!
E pyeti njëri Anastagorën pse njerëzit gënjejnë?
Anastagora u përgjigj:
- Që të mos u besohet kur të thonë të vërtetën…

41. ARISTOFANI
shek.V.p.Krishtit
Më i famshmi poet komik grek, armik i Sokratit e Euripidit. Shkroi më se 50 komedi, nga të cilat mbetën vetëm 11 të plota. Më e famshmja mban emnin “Retë” dhe u shkrua për të përqeshur Sokratin.

Një athinas i tha Aristofanit:
- Deri sot nuk kam dëgjuar të më bëjnë asnjë kritikë.
- Kjo-i tha Aristofani-tregon se ti nuk paske asnjë shok të vërtetë…

***
Një tregtar athinas i dhuroi Aristofanit një qengj, por ky ia ktheu duke i thënë:
- Nëse të pranoj sot një qengj, nesër jam i detyruar të pranoj një dash, dhe pasnesër një ka. Në rast se i pranoj, duhet t’i paguaj pastaj me ndershmërinë time…

Dikush e pyeti Aristofanin:
- Cila është kafsha më e rrezikshme në botë?
Aristofani tha:
- Nga kafshët e egra është luani, kurse nga shtëpiakët-lajkatari.

42. ARISTIPI
shek.V.p.Krishtit
Filozofi i shquar grek nga Çirene. Si dishepull i Sokratit themeloi shkollën e Çerenaike. Mësonte se lumturia e njeriut fitohet ndër qejfe. Dionizi e mbajti në oborrin e vet.

- Si është e mundur - e pyeti një mik Aristipin - që nuk je fyer, kur Dionisi, që të ftoi për drekë, nuk të dha vendin e nderit, por të vuri në vëndin e fundit.
- Pse të fyhem? Unë kuptova menjëherë se Dionisi desh ta bëjë të luajtshëm atë vend që më shënonte mua.

***
- Si duhet të jetë nusja yte-e pyetën.
- As e bukur, as e pasur, as e shëmtuar dhe as e varfër. Sepse po qe e bukur, të tradhton, po qe e pasur të sundon, po qe e shëmtuar nuk të pëlqen, po qe e varfër, të varfëron.

***
Aristipi kishte një mikeshë. Disa gojëkëqinj i thanë se ajo nuk e dashuronte.
Aristipi u tha atyre:
- As peshqit nuk më dashurojnë, por mua më pëlqejnë shumë.

***
Dikush donte që i biri të kishte për mësues Aristipin, por ky kërkoi një shpërblim që ai s’mund ta paguante.
-Me atë çmim - tha - unë blej një skllav…

43. ELEAZARI MAKABEU
shek. V p.Krishtit
Një ndër vëllëzërit Makabé, princër hebrej të fisit të Asmoneive. Disa nga këta vëllezër dhanë jetën duke luftuar për atdhe.

Ishtë ndezur lufta mes hebrejve, të udhëhequr nga Juda Makabé, dhe Sirianëve të udhëhequr nga Mbreti Antiok.
Eleazari, vëlla i Judës, duke parë një ndër elefantët e ushtrisë siriane që ishte më i lartë se tjerët dhe i stolisur dhe i armatosur më mirë, me armaturën mbretërore, mendoi se mbi të do të qëndronte mbreti armik. Pa frikë se po sakrifikonte jetën për popullin e vet, hyri me guxim midis ushtrise armike dhe duke hapur rrugën me shpatë në dorë, u fut nën elefant dhe me një të rëne shpate e mbyti, por kafsha e madhe duke rënë e zuri nën të guximtarin.

44. KSERSI
shek. V p.Krishtit
Mbret i Persisë, luftoi me grekët në luftën e famshme të Termopileve.

Para betejës së Termopileve, mbreti persian i dërgoi Leonidhës një mesazh me dy fjalë:
“Dorëzoni armët! ”
Dhe komandandi grek iu përgjigj shkurt:
“Ejani t’i merrni! ”…

***
Mbreti Ksers kapi një zbulues spartan dhe, tek donte që të merrte vesh sekretet e ushtrisë kundërshtare, filloi ta godiste me kamxhik, duke i thënë:
- Duhet të flasësh me çdo kusht !
Por zbuluesi spartan i tha:
- Ai që di të flasë, di edhe kur duhet të heshtë !

***
Pse spartanët janë kaq të fortë?- pyeti mbreti i persëve një komandant spartan.
- Një popull - ia priti komandanti - sado i vogël në numer që të jetë, në rast se është i bashkuar, nuk njeh kurrë ndjenjën e dobësisë.

45. AGESILAU
399-360 p.Krishtit
Mbret i Spartës, kapiten i përmendur, më i madhi i Lakedemonve. Mundi persët në Azi e në Korone. Gjithashtu mundi Tebanët, Argivët, e Athinasit, të besëlidhur kundër Spartës. Epaminonda e mundi në Mantinea.

Agesilau, mbret i Spartës, në rrethin familjar harronte madhërinë mbretërore kur jepej pas përkdheljeve të të birit të tij të vogël. Ky monark i tmerrshëm për armiqtë, shpesh vraponte kaluar mbi shkop për të dëfryer trashëgimtarin e fronit.
Një dëshmitar i këtij qëndrimi qesharak të mbretit nuk e përmbajti të qeshurit:
- O mik - tha mbreti - prit të qeshësh kur edhe ti të bëhesh baba si unë…

46. ARISTOTELI
386-332 p.Krishtit

Më i madhi dhe më i dijshmi ndër filozofët grekë të lashtësisë. Lindi në Stagjirë të Maqedonisë. Në rini u dha pas armëve e bëri jetë të çthurur. Më vonë iu vu studimeve filozofike, si dishepull e pastaj si rival i Platonit. Themeloi filozofinë peripatetike. “Peripat” quhej në Athinë një vend ku Aristoteli mësonte duke shetitur. Për 8 vjet qe pedagog i Lekës së Madh. La shumë vepra ndër të cilat: Retorika, Poetika, Dialektika.

- Ç’ mendon për Platonin - e pyetën një herë Aristotelin.
Është njeri i madh ! u përgjigj Aristoteli
- Domethënë e do ?
- E dua - vazhdoi dijetari - por më tepër se atë, dua të vërtetën…

***
- A e din - i thanë disa miq Aristotelit - se janë shumë që flasin për ty ?
- Si mund ta di që ata flasin për mua, kur unë nuk jam aty.
- Shi për këtë kemi ardhur ta themi.
- Shi për këtë nuk më intereson fare - u përgjigj Aristoteli
- Le të më rrahin po deshën… kur unë të mos jem aty…

***
- Pse ?- e pyetën disa miq- i dhe lëmoshë atij njeriu. Ai nuk është aspak i mirë.
Dhe Aristoteli ia ktheu:
- Unë i dhashë lëmoshë një njeriu..
- Nuk desha t’i jap lëmoshë një të mirit…

***
Aristoteli ndodhej në një mbledhje publike, ku mori fjalën një llafazan, që u zgjat shumë. Më në fund e pyeti filozofin:
- Nuk të çuditi aspak kjo elokuenca ime ?
- Një gjë më çuditi shumë - iu përgjigj qetë Aristoteli - si patën durim aq shumë këta njerëz, të cilëve nuk i mungonin këmbët që të iknin…

47. DEMOSTENI
384-322 p.Krishtit
Gojëtari më i madh i Greqisë së vjetër. Ciceroni e quajti Princi i Gojëtarëve.

U ngrejt kundër tutorëve kur ishte i ri dhe i detyroi t’ia kthejnë pjesën më të madhe të pasurisë. Për 15 vjet iu kushtua ngjarjeve të atdheut e të luftojë kundër Filipit të Maqedonisë, që donte të vinte nën zgjedhë vendin e tij. Kundra këtij mbreti janë të famshme Filipiket dhe 3 Olintiaket, që ngjallën urrejtje të fortë tek Grekët kundra mbretit maqedon. Luftoi në Korone, e pas asaj ditë të kobshme u kthye në Athinë e u përpoq të mbrojë qytetin. Mbas vdekjes së Filipit u tregua jo më pak armik i Lekës, të birit. Por i akuzuar se Leka e theu me para, u largua nga Athina, dhe u kthye vetëm pas vdekjes së Lekës. Si i shpalli luftë Antipatrit, sunduesit të Maqedonisë, dhe duke parë se nuk kishte farë shprese në fitore që të mos bijë në dorë të armikut, u arratis dhe menjëherë piu helmin e vdiq.

Një orator i ri e pyeti Demostenin:
- Si duhet të veproj për t’u bërë gojëtar i mirë?
- Të flasësh në dhomë, të flasësh në publik, dhe vazhdimisht të flasësh…por të thuash vetëm të vërtetën.

***
E pyetën Demostenin:
- A është e vështirë që të bëhesh gojëtar i madh ?
- Oh jo ! - ia priti Demosteni - përkundrazi është shumë e thjeshtë… Mjafton të jesh i ndershëm dhe të thuash gjëra të vërteta, pa fraza të stërholluara.

***
Demostenin e pyetën se si u bë gojëtar i shquar.
Ai u përgjigj se kish harxhuar më shumë vaj se verë.
Bënte aluzion se nuk dëfrente, por lexonte edhe natën me kandil.

***
Në kohën e sundimit të 30 tiranëve në Athinë, në një mbledhje publike Demosteni tha:
- Duhet të shpallet me anën e një dekreti që gomerët janë kuaj.
- Përse duhet bërë kjo - pyeti Soloni.
- Që t’u mbyllim gojën fqinjve e të mos thonë për ne se kemi fatin të qeverisemi prej gomerëve…

***
Kur bënte fjalë për aristokracinë e Athinës, Demosteni thoshte me ironi:
- Kur shkoi Herkuli në Olimp dhe i përshendeti të gjithë perënditë, i ktheu krahët Plutosit, perendisë së pasurisë.
Zeusi, i habitur, e pyeti:
- Përse nuk e nderon Plutosin ?
Dhe Herkuli ia priti:

- Sepse në tokë e kam parë të shoqëruar vazhdimisht me njerëz të ligj…

***
Demostenin e pyetën një herë:
- Ç’duhet të bëj njeriu që t’i përngjaj sa më shumë Zotit ?
- Të bëjë mirë - u përgjigj ai.

***
E pyetën një ditë Demostenin:
- Një gojëtar i mirë - ç’duhet të dijë të bëj
- Të deklamojë- iu përgjigj.
- E mandej?
- Të deklamojë.
- E mandej ?
- Të deklamojë.

48. TEOFRASTI
371-386 p.Krishtit

Filozof grek, nxënës i preferuar i Aristotelit, të cilin e zevendësoi mbas vdekjes në drejtimin e shkollës. Vepra e tij kryesore: Karakteret morale.
Teofrasti, duke biseduar me një mik të tij, i thotë:
- Kam parë një rast interesant. Një gjarpër kafshoi një intrigant dhe a dini ç’ndodhi ?
Për çudi - Në vend që të vdiste intigranti, ngordhi gjarpri !

49. FILIPI I II I MAQEDONISË
359-336 p.Krishtit

Mbret i një politike të rafinuar, pushtoi vende e qytete më tepër me anë të arit se sa të armëve. Aktiv e gojëtar i madh, duronte me vullnet të madh sakrificat e luftës. Administroi shtetin mirë, forcoi ushtrinë dhe krijoi të famshmet “Falangje”. Mundi Poemët, Trakët, Ilirët dhe pushtoi dhe qytete të tjera të Greqisë. Demosteni nuk pushoi njëherë së kundërshtuari ambicjet e tij. Por Filipi e mundi keqas në Kerone, duke luftuar kundër persianëve, u vra nga Pausoni. Leka i Madh, ishte i biri ,i cili mbretëroi pas tij.

Filipi, edhe pse zemërgjërë e shpirtmadh, morali i tij qe shumë elastik ?
Shpresh thoshte:
- Fëmijët mahniten me lojëra, burrat me premtime.

***
Në oborrin e Filipit ishte njëri që fliste keq për mbretin.
- Duhet ta largosh - tha një oborrtar.
- Aspak - u përgjigj Filipi - Sot flet keq për mua vetëm në oborrin tim, nesër, po ta largojmë, do të flasë keq gjithkund.

50. LEKA I MADH
356-323 p.Krishtit


Leka, mbret i Maqedonisë, bir i Filipit, lindi në Pelm. Kur qe djalosh zaptoi kalin e egër Buçefalo, dhe i shpëtoi jetën babait në luftë. Njëzetvjeçar hypi në fron, nënshtroi Darin në Granik, dhe në Iso. Mori Tiron e Sidonin, pushtoi Egjiptin dhe ndërtoi Aleksandrinë. Preu Nyjen Gordiane dhe kaloi në Azi. Mundi persianët në Arbela, mori Babiloninë, Suzen e Persopolin. Tejkaloi Indinë, mundi mbretin Pero, që pastaj u bë aleat i tij. Vdiq në moshë të re në Babiloni. Ka qenë njeriu më i madh i lashtësisë. Ëndërroi monarkinë botërore. Ndërtoi mbi 20 qytete në emrin e tij. Mbrojti shkencëtarë, filozofë e letrarë.
Leka i Madh si u takua me Diogjenin dhe admiroi urtësinë e filozofit të madh, tha: - Po të mos isha Leka, doja të isha Diogjeni !

***
Leka u thonte të gjithëve:
- Nuk di ta ndaj Aristotelin, mësuesin tim, nga Filipi, babai im - njeri më fali jetën e tjetri më mësoj si të jetoj…

***
Lekës i raportuan se midis ushtarëve është dhe një i quajtur Lekë, cili para betejës është i pari që ia mbathi këmbëve.
Leka i Madh e thirri këtë ushtar dhe i tha:
- Ose hiq dorë nga frika, ose ndërro emrin, përndryshe nuk ke vënd në ushtritë e mia.

***
Leka i Madh kur ndodhej në më të lartën shkallë të madhërisë së tij, u gjet një ditë, gjatë marrshimit ngadhnjimtar, i penguar nga dëbora e madhe. U ndez për të një zjarr i madh e ndërsa po ngrohej i ulur në fronin mbretëror, vuri re një luftëtar plak, që dridhej nga të ftohtit. Shpartalluesi i perëndorisë së Darit, u ngrit e shkoi menjëherë tek ai, e mori për dore plakun e ngathur dhe e vuri në fronin e tij.

***
Leka, para se të nisej për të luftuar në Azi, ua shpërndau miqve të vet gati të gjithë pasurinë me shtëpia, vila dhe ara.

Një ndër gjeneralët i tha:

- E për vete çka mban, o mbret ?

- Po mbaj shpresën - u përgjigj.

- Edhe ne-shtoi atëherë gjenerali-bëjmë pjesë në të, derisa luftojmë bashkarisht.

***


Egjiptianët iu paraqitën një ditë Lekës, dhe kërkuan që ai t’i shtërngonte hebrejt, t’ua kthejnë të gjitha pasuritë, që ata kishin marrë nga Egjipti.
Hebrejt u mblodhën në këshill. Një plak i shqepët doli e tha:
- E mbroj unë këtë çështje, e cila nuk ka nevojë për ndonjë avokat me vlerë.

- Të gjithë e pranuan, dhe si u paraqit në gjyq para mbretit tha:
- Unë e njoh të drejtën e egjiptianëve, por ti, o mbret i madh duhet të njohësh dhe të drejtën tonë. Ne hebrejtë, 600.000 vetë, kemi qënë që i kemi shërbyer dhe kemi punuar për egjiptianët për 400 vjet. Të na paguajnë ata hakun e duhur, dhe ne do t’ua kthejmë pasuritë që morëm nga Egjipti.
Leka i Madh e gjet të drejtë fjalën e plakut hebre. Egjiptianët ikën në heshtje.

***
Leka i Maqedonisë po kalonte orët e fundit të jetës. Pranë tij qëndronte e shoqja, e cila e pyeti:
- Mund të na tregosh ku i ke fshehur thesaret ?
- Në xhepat e gjeneralëve të mi - tha Leka...


51. ZENONI
340-254 p.Krishtit
Filozof në zë grek nga Qipro. Themeluesi i sektit të stoikëve dhe të dialektikës. Stoik vjen nga fjala Stoa, kështu quhej Portiku i Athinës, ku ai mësonte publikisht. Abuzoi duke u dhënë përherë mbas sofizmës.

Filozofi Zeno i kishte inat llafazanët.
Një ditë i tha një mikut:
- Disa nuk kuptojnë që natyra na ka dhënë dy veshë dhe një gojë; për të dëgjuar më shumë e për të folur më pak.
***
Një athinas i pasur, dha një mbrëmje kremtimi për nder të ambasadorëve të mbretit të Persisë. Për t’i dëfryer sa më mirë miqtë mendoi të ftojë edhe filozofët e qytetit. Këta e panë të arsyeshme të tregojnë gjithë urtinë e tyre me anë fjalimesh të gjata.
Zenoni nuk foli, por u ndrye në një heshtje të plotë. Ambasadorët të çuditur e pyetën:
- Çka do t’i tregojmë për ju, o Zenon, zotërisë sonë ?
- Asgjë - u përgjigj ftohtë filozofi - Vetëm se keni takuar në Athinë një plak që di të heshtë…

52. TEOKLITI
315-250 p.Krishtit

Poet grek, lindi në Siçili. Krijues përmes Idileve i poezisë bukolike, ku shprehte me një shije të rafinuar gjëndje të natyrës.
Para betejës së Tigranës, një nga luftëtarët e pyeti Teoklitin:
- Përse do të sulmojmë pikërisht tani? Jam i mendimit se nuk është gjetur moti më i përshtatshëm për fillimin e betejës.
Teokliti tha:
- Mos harro kurrë këtë që po ta them tani: Fitorja jonë do ta sjellë edhe motin e mirë.

53. PRAKSITELI
IV. p.Krishtit

Skulptor i famshëm athinas, i pakalueshëm në krijimin e formave njerëzore, sidomos në trupore gruaje.
Praksiteli ishte shumë i thjeshtë. Një ditë u thirr si dëshmitar dhe gjykatësi e pyeti:
- Ç’profesion ushtroni ?
Praksiteli u përgjigj:
- Jam skulptori më i madh i kohës.
Kur e takoi një mik i tha:
- Më ke habitur me atë përgjigje që dhe në gjyq.
Praksiteli e sqaroi:
- Nuk gjeta tjetër rrugë. Kur deponova në gjyq më detyruan të them të vërtetën, vetëm të vërtetën,… dhe unë e thashë.

***

Një ditë skulptori i tha Frinesë, gruas së tij të ardhshme:
- Zgjidh statujën që unë çmoj më tepër dhe do të ta dhuroj.
Të nesërmen, sapo u takuan në rrugë, Frineja i tha:
- Renda shpejt, se të mori zjarr studioja !
- Shpëtoni “Kupidon”- thirri Praksiteli.
Frineja e zgjuar, që kishte gënjyer, ia kërkoi këtë statujë dhe ai ia dhuroi.

54. KALIMAKU
III shek. p.Krishtit

Poet i shquar grek nga Cirine. Nga ai kemi veprën Epigramet dhe Pagzimin e Pelades. Të lashtit e deklaruan poet të parë.

E pyetën një ditë Kalimakun si bënte të gjykojë një libër për një kohë të shkurtër.

- Nga pesha - përgjigji Kalimaku - sa më shumë peshon, aq më i madh është, sa më i madh është, aq më shumë budalladheqe përmban.

55. ARKIMEDI
287-212 p.Krishtit

Më i përmenduri matematikan i lashtësisë. Lindi në Sirakuzë. Mbroi atdheun i sulmuar nga gjenerali romak Marçelo, të cilit ia dogji anijet me pasqyrat djegëse. Teoria e tij mbi levën qe bazë e statikës. Shpiku sferen, vidhën, që u quajt me emrin e tij, makarenë, katapultën etj.
Arkimedi kur zbuloi teorinë e levës, nuk pushonte duke thënë:
- Më jepni një pikë mbështetje dhe do të ngre lart botën !

***

Si u pushtua Sirakuza, një ushtar romak hyri në shtëpinë e tij. Ai e gjet Arkimedin në studim e sipër, po nuk e njihte cili është.
- Kush jeni ju ?- e pyeti.
Arkimedi, i kredhur siç ishte në zgjidhjen e një problemit, nuk mundi të nxjerrë nga goja emrin e vet.
- Ushtari romak, duke e marrë për armik e vrau.

56. SIUN - TZE
shek. III p. Krishtit
Filozof i famshëm kinez.

Filozofi kinez ishte i mendimit se njerëzit janë të këqinj.
- Pse ti beson se njeriu është i keq ?
- Sepse aspiron të mirën-u përgjigj Siun Tze - është aq e vërtetë kjo, sa që i thati kërkon të mbajet, i shëmtuari të bëhet i bukur, i ulti të bëhet fisnik.

57. EUKLIDI
shek. III p.Krishtit

Më i madhi gjeometër i Lashtësisë. Nuk dihet vendlindja. Në Athinë studioi nën Platonin, pastaj jetoi në Aleksandri të Egjiptit, ku pati ndër nxënësit e tij, mbretin Tolome. Elementet e gjeometrisë, përbëjnë veprën e tij më të famshme, me të cilën lëvdoheshin kohët e lashta.
E pyetën Euklidin për Arkimedin.
- Arkimedi - tha Euklidi - për mua është mjeshtri më i madh i botës.

58. STIFLONI
shek. III p.Krishtit
Filozof grek nga Magara e istmit të Korintit.

Pas pushtimit të qytetit Magara, një gjeneral takoi filozofin e i tha:
- Ke ndonjë ankesë ? Mos vallë ushtarët e mi të kanë grabitur pasurinë ?
- Jo-u përgjigj Stifloni gjakftohtë - pasi dituria nuk mund të grabitet.

59. KURIO DENTALO
III p. Krishtit
Mantilo Kurio Dentalo, romak me vlerë, tri herë konsull, është autor i ligjëve Curie de comiting. Mundi sanitët, sabinët, lukanët e luftoi kundër Pirros në Taranto (274). Tokat e fituara në luftë ia ndau të varfërve, nga 4 jugër secilit. As për vete nuk mbajti më tepër.

Kur mbas fitores, iu ndanë tokat të varfërve nga 4 jugër secilit, Kurio Dentalos deshën t’i japin më tepër.
- Jo- tha ai- Nuk është e denjë të urdhërojë një ushtri, ai që nuk kënaqet me aq sa i mjafton një luftëtari të thjeshtë !

***

Konsulli romak u dërgua për të vendosur kushtet e paqës me Senitët. Këta i dërguan një shumë të madhe të hollash, që të vepronte në favor të tyre, por ai ua ktheu duke thënë:
-Varfëria ime ju bën të shpresoni se unë do të thehem me para. Ju duhet ta dini se unë dua më mirë të urdhëroj e të sundoj mbi ata që kanë ar, se të kem unë vetë ar !

60. SULA
135-78 p.Krishtit


Sula, diktator romak, që pushtoi Epirin dhe Greqinë njeri shumë i egër dhe luftëtar i paepur.
Pasi romakët shkatërruan shumë qytete të Epirit, me Sulën në krye dhe po iu afroheshin Athinës, një filozof grek i tha popullit:
Ngrihuni të gjithë në këmbë, të përballojmë romakët që duan të fshijnë kujtimin e lavdisë së Homerit, Sokratit, Perikliut dhe Demostenit…
61. CICERONI
106-41 p.Krishtit

Marko Tulio Ciceroni, orator i famshëm romak e filozof. Shkrimet e tij janë të shquara. Traktatet filozofike janë monumente të vërtetë historike dhe modele të larta gojtarie. Ndër shumë vepra janë për t’u përmendë Katilinet, Filipinet dhe Letrat.
Ciceroni i tha Neronit:
- Kur nuk ke të drejtë, nuk mund të jem i një mendjeje me ty !
- Duhet të mos harrosh - iu përgjigj Neroni - që koka ime është më e madhja e Romës.
- Një kokë e vetme - ia priti Ciceroni - vlen shumë pak në krahasim me kokat e të gjithë romakëve.

***

Në Romën e lashtë, një mjek dhe një avokat, në shenjë respekti për njeri-tjetrin, nuk po vendosnin dot kush të hynte i pari dhe ia lëshonin radhën shoku - shokut.
Oratori Ciceron, që i pa, u tha duke treguar me gisht avokatin:
- Më parë duhet të hyjë xhelati, kusari duhet t’i shkojë pas…
***
Ciceroni i urrente avokatët dhe i sulmonte sa herë që i paraqitej rasti.
Një ditë një avokat i tha:
- Si shumë po leh kundër nesh.
- Unë - ia priti Ciceroni - leh vetëm kur më dalin përpara kusarët…
***

Ciceroni duke folur për avokatët, thoshte:

- Në rast se ke të bësh me avokatin, shkatërrohesh edhe kur e humbet edhe kur e fiton davanë…

***

Në Romën e lashtë, në një nga seancat gjyqësore, po merrej në shqyrtim vrasja e një kosulli, i cili ishte një kriminel me emër.
Gjykatësi pyeti Ciceronin:
- Kur është vrarë Konsulli?
Ciceroni, avokati dhe oratori i famshëm iu përgjigj aty për aty:
- Vonë, shumë vonë…
***

Në senatin e Romës, një senator po vinte vërdallë se nuk po gjente vend për t’u ulur. Ciceroni, që e njihte mirë senatorin dallkauk, i tha:
- Do të kisha dhënë karrigen time, por e di se nuk do ta pranosh, sepse zotrote je mësuar të qëndrosh ulur mbi dy karrige.

62. POMPEU
106-45 p.Krishtit
Gjeneral romak. Mundi Sestorin dhe shfarosi pjesën e mbetur të ushtrisë së Spartakut; shpartalloi Mitriadin dhe shkatrroi piratët. Formoi triumviratin e parë me Çezarin e Krasin. Vdekja e këtij të fundit dhe fitoret e Çezarit në Galje, ngjallen rivalitet dhe shaktuan luftën civile, e cila mbaroi me humbjen e Pompeut në Preselie (viti 49 p.Krishtit). U strehua në Egjipt, ku u vra nga Tolomeo.

Një dezertor u pyet nga Pompeu pse ishte pa kalë.
- E lashë në fushatën e Çezarit - u përgjigj dezertori.
- Bukur - tha Pompeu - nëse shnderove veten, të paktën shpëtove nderin e kalit tënd!

*** Konsujt romakë, Pompeu dhe Krasi, që ishin kundër kryengritësve, premtuan një shpërblim prej 100 mijë skudash për kokën e Spartakut.

Kur e mori vesh këtë gjë, Spartaku tha:
- Shumë e paskan vlerësuar kokën time. Për kokën e tyre unë nuk jap as edhe një kacidhe !

63. ÇEZARI
100-44 p.Krishtit

Kajo Jul Çezari, gjeneral i famshëm, një ndër njerëzit më të mëdhenj që jetuan, lindi në vitin 100 p. Krishtit nga familja fisnike Julia, që krenohej se rrjedh nga Juli, i biri i Eneas. Studioi në Rodi pranë Apolonit. Formoi Triumviratin e Parë me Pompeun e Krasin dhe mbajti sundimin e Galisë, të cilën e nënshtroi. Kur u kthye në Romë u deklarua Diktator i Përgjithshëm, kështu Republika Romake ra përgjithmonë. Në Frasalie e mundi Pompeun, rivalin e tij të madh. Bruti, djali i tij i adaptuar, e vrau, i përbetuar me të tjerë, me qëllim që të ngjallin qeverisjen republikane. Sipas historianit grek Plutarkut, Çezari pushtoi 800 qytete e nënshtroi 300 shtete. Riformoi kalendarin romak, kultivoi poezinë, pasuroi muzeumin e tij të madh me gurë të çmueshëm, basorelieve, statuja, piktura e gjithëfarë objektesh artistikë të vjetër. Nga ai kemi komentarët e luftës Galike, Anti Catonia, De Analogia.
Si kaloi Rubikonin, Çezari e dinte se shpallej armik i Republikës Romake. Por me arin e mbledhur në Galie, ia doli të fitojë të fuqishmit e Romës.
Dhe kështu thohej:
- Çezari pushtoi Galiet me hekurin e Romakëve e Romën me arin e Galëve.

***

Është e njohur, se kur u lëshua të kalojë Rubikonin, Çezari briti:
- Zaret u hodhën!
Po jo të gjithë e dinë, se pak minuta përpara, ai kishte thënë:
- Jam i humbur, në qoftë se nuk e kaloj këtë lum, po nëse e kaloj, do të shkaktoj shumë fatkeqësi !

***

Vetëm në një rast mund t’i mbetesh borxh drejtësisë dhe të vertetës - tha Çezari.
- Kur ?- e pyetën.
- Kur don të mbretërosh…

***

- Nuk mund ta shoh statujën e Lekës së Madh pa qarë - tha Çezari kur ishte në Kaqide.
- Pse - e pyetën
- Sepse mendoj atë që bëri, kur kishte ende moshën time.
- E çka bëri ?
- Pushtoi të gjithë botën !

***
Disa miqve Çezari, pak kohë para se të vdiste, u rrëfeu se nuk kishte frikë nga personat e shëndoshë, të plotë, e të majmur, por vetëm nga ata të thatit, shëndetligj e të mbetë.
I thatë, shëndetlig dhe i zbehtë ishte Bruti, që mbas pak ditësh do ta vinte nën shpatë diktatorin.

64. KATONI
96-45 p.Krishtit

Romak i shquar, tribun në vitin 63 p.K., luftoi kundër Pompeut e Çezarit. Pasi humbi luftën në Tarso dhe s’mundi të mbrojë Utikën, u ther që të mos binte në dorë të Çezarit. Filozof, stoik, aspironte më tepër të jetë njeri i mirë, se sa të dukej i tillë. Gjatë luftës civile vishej përherë me rroba të zeza.
Katoni, armik i përbetuar i Çezarit, thoshte se ky kalonte shumë orë duke studiuar mënyrën se si ta shkatërronte Republikën.
Po kush e di sa orë shpenzoi Katoni për t’ia arritur këtij përcaktimi dhe kush e di sa hipoteza i ishin dashur para se të arrinte të shprehej në atë mënyrë.
Por, sa do të kishte dhënë Katoni për të ditur, se në ç’mënyrë Çezari donte të shkatërrojë Republikën.
***
Një ditë, kur Katoni ishte fëmijë, ndodhej vetëm në shtëpi, kur iu paraqit një senator romak, që njihej si njeri i pashpirt. Me përkdhelje desh t’ia mbushë mendjen, që të ndërhynte pranë xhaxhait në favor të tij.
- Nuk mundem-i tha Katoni - pse çështja nuk më duket e drejtë.
Atëherë senatori kapi djalin dhe iu afrua dritares.
- Do të të hedh poshtë - tha- nëqoftëse nuk e jep fjalën.
- Më hedh poshtë po deshe, po që të flas në favor tënd, mos shpreso. Ta përsëris, çështja yte është e padrejtë.

65. SPARTAKU
98-71 p.Krishtit

Udhëheqës i skllevërve që ngritën krye kundër Romës, që për dy vjet me 10.000 skllevër shpartalloi legjionet e Romës. Më në fund u vra në vitin 71 p. Krishtit.
Konsujt romakë Pompeu dhe Krasi, që luftonin kundër kryengritësve premtuan një shpërblim prej 100 mijë skudash për kokën e Spartakut.
Kur e mori vesh këtë gjë, Spartaku, tha:

- Shumë e paskan vlerësuar kokën time. Për kokën e tyre nuk jap asnjë kacidhe.

***

Para betejës së famshme midis Spartakut, Pompeut dhe Krasit, një ushtar e pyeti Spartakun:
- Përse e vrave kalin ?
- Në rast se e fitoj betejën - iu përgjigj Spartaku - kuaj do të gjej me mijëra. Në qoftë se e humbas luftën, kali nuk më nevojitet, pasi nuk kam ndërmend ta braktis fushën e betejes.

66. VIRGJILI
70-19 p. Krishtit

Marrone Plinio Virgjili, princ i poetëve latinë, i lindur në një fshat afër Mantovës, nga një kusibërës modest. U vlerësua shumë nga Augusti. Nga ai kemi Eneidën, Egloget, Bukolikët e Gjeorgjikat, vepra poetike të famshme, të përkthyera në shumë gjuhë të botës.

I thanë poetit se një kritik kishte folur keq për të. E Virgjili tha:
- Kundër kësaj kritike unë do të hakmerrem duke përfituar nga këshilla e saj e mirë.
***

Një intelektual anglez, duke punuar në një fshat, ku kishte shkuar në çifligun e një miku të tij, lëvdohej se kishte njohuri për punët e bujqësisë, sepse kishte lexuar Gjeorgjikat e Virgjilit (ku përshkruhej si punohet dhe si mbillet toka).
Një fshatar, pasi ia pa punën, tha:
- Poeti megjithë mend mund të ketë qënë i madh, por duke parë punën tënde, mendoj se ka qënë një bujk i keq.

67. SENEKA
2-60 pas Krishtit

Filozof i famshëm latin nga Kordova. Agripina ia besoi edukimin e Neronit. Pjesmarrës në komplotin e Pisoniti, cili u zbulua, preu damarët ndërsa ishte në banjë. Botoi Maksimet morale, të cilat nuk i vuri në praktikë. Shumë shkrime filozofike e pedagogjike kanë mbetur nga ai, si dhe shumë sentenca morale e disa tragjedi si Trojanet, Agamemnoni, Fedre etj.

E pyetën Senekën:
- Cili është ndryshimi në mes të kulturuarit dhe injorantit ?
- Po ai ndryshim - u përgjigj filozofi - që dallon të gjallin nga i vdekuri.

***
Seneka tha:

- Ai që mbyti veten pse nuk u dashurua, u mbyt tepër shpejt. Është tamam koha që nuk duhet të dëshprohesh për asgjë...

***

Seneka kishte një kujtesë të mrekullueshme.
Tregohet se ai ishte në gjendje të përsërisë dymijë emra të dëgjuar njëherë të vetme.
Fitoi admirimin e përgjithshëm kur recitoi fjalë për fjalë dyqind vargje të lexuara nga dyqind nxënës.

***
Filozofi ia përplasi në fytyrë të vërtetën perandorit Neron.
Një senator që e dëgjoi, i tha:
- Si nuk ke frikë nga një njeri para të cilit dridhet tërë bota ?
- Më mirë preferoj të vërtetën me rrezik - iu përgjigj Senatori - se lajkat që vrasin ndërgjegjën.

***

Një ditë, një senator e këshilloi filozofin që të përkulej përpara fuqisë së Neronit, për të mos e dënuar me vdekje.

- Më këshillon të zgjasë disa ditë të jetës sime - iu përgjigj Seneka - por për mendimin tim, jeta është një borxh që çdo njeri duhet ta paguajë si i lirë e jo si skllav.

***

- Çfarë mendimi mund të jepni për jetën ?- e pyeti një mik Senekën.

- Ajo do të jetë e gjatë - ia ktheu filozofi - në rast se do të matet me punën që bën njeriu dhe jo me kohën që kalon…

***

Seneka përsëriste shpesh:
- Njeriu i mençur është ai që i jep rëndësi kohës, që di t’i vlerësojë ditët dhe orët, duke kuptuar rëndësinë e çastit. Jeta rrjedh dhe e vetmja gjë që na përket plotësisht është koha. E keqja është se disa e shkelin me të dyja këmbët këtë dhuratë të natyrës…

68. KALIGOLA
11- 41

Kaligola njihet si më i llahtarshmi ndër perandorët romakë. Bir i Gjermanikut dhe i Agripinës, së pari qeverisi me urti, pastaj shfaqi një karakter të një egërsie të padëgjuar. U vra nga Kas Çereu.
Kaligola, në një audiencë me dy senatorë, papritur nisi të qeshë.
- Pse qeshni, o August - pyetën senatorët.
- Sepse mendoj - u përgjigj menjëherë perandori - se po të dua, mund t´iu mbys të dyve menjëherë.

***

Kaligola, që nuk falte njeri, fali një herë një njeri të popullit, i cili, si e pa perandorin të ulur në tempullin e Kastorit, që ta adhuronte populli, zuri të qeshë. Perandori i çuditur e pyeti pse qeshi.

-Po qesh - tha njeriu - pse ashtu ndenjur dukesh tamam një budalla.
69. PLINI
23-79

Natyralist i shquar dhe shkrimtar latin nga Komo. Prefekt në Misena, vdiq viktimë e një shpërthimi të Vezuvit, sepse siç thohej, iu afrua tepër kraterit. Është autor i enciklopedisë së gjerë „Historia e Natyrës“, e cila përmban të gjitha njohuritë që të lashtit kishin mbi botën dhe qëniet që e popullonin. Vepra e tij „Commentari electorum“ u vlerësua shumë. Tregohet se një librar spanjol ofroi 84.000 lire për këtë vepër.

- Unë, tha një ditë Plini - nuk jam hakmarrës, por me gjumin hakmerrëm.
- Shpjegohu - i thanë- Si mund ta bësh këtë gjë ?
Plini shpjegoi:
- Duke fjetur sa më pak.
Miqtë qeshën, atëherë Plini vijoi:
- Kush flen, jeton më pak se sa do të jetonte po të mos flinte. Kështu që gjumi është autori grabitçar më i tmerrshmi i jetës së njeriut. Unë dua të jem i grabitur sa më pak që të jetë e mundur dhe kështu i vjedh gjumit atë çka ai don të më vjedhë mua, pra duke fjetur sa më pak.

70. AGRIPINA
27- 59

Bija e Gjermanikut. Lindi në Kolonie, u martua me Enobardin dhe pati Neronin. Për herë të tretë, si mbeti vejushë u martua me Klaudin, që adaptoi Neronin, i cili e mbyti.
Agripina duke parë se i biri i prishte paratë kot së koti dhe po i jepte fund pasurisë së tij, përdori një marifet për ta qortuar.
Një ditë që ai shpenzoi gjysmë milioni, Agripina vendos në një tryezë të dhomës së vet po atë shumë me monedha argjendi.
Kur djaloshi u kthye në shtëpi dhe hyri në dhomë për ta përshendetur nënën, u çudit e pyeti:
- Ç´është gjithë kjo mori paresh ?
- Biri im, tha Agripina - këto janë paratë, që ti ke shpenzuar sot marrëzisht në pak orë.
Thonë se kjo mjaftoi për ta sjellë në vete e në rrugë të mbarë.

***

Neroni, gjakatari i njohur, dërgoi një besnik të vetin, që të vrasë t`ëmën Agripinën.
- Vrasësi iu mat t`i binte kokës me një dru.
Agripina i tha:
- Mos i bje kokës, por barkut tim, sepse ky është fajtor që i dha jetën tim biri!

71. NERONI
37- 68

Perandor romak që hypi në fuqi me ndihmën e pretorianëve. Preferonte kulturën aziatike mbi atë perëndimore. La Oktavien dhe mori grua Popenë, e cila e ndihmoi në zhdukjen e Agripinës, nënës së tij. Thuhet se dogji Romën, së cilës i këndoi me lirë himnin e djegies së Trojës. Për të marrë hak për këtë djegie, dënoi kristianët , nga të cilët mbyti me mijëra, së bashku me qytetarë të shquar, ndër të cilët Senekën, Lukanion dhe vetë Popenë. Për të kënaqur ambicjet, nuk la gjë pa bërë në mënyrën më barbare. Si mori vesh se Galba u proklamua Perandor, urdhëroi një libert që ta therë.

Neroni pyeti një skllav:
- Në rast se do të isha skllav sa do të më çmoje ti ?
- Tri aspra - u përgjigj skllavi.
- Vetëm peshqiri që fshihem unë kushton 3 aspra.
- Unë për atë e kam fjalën…

***
Një ditë Neroni i tha Astrologut të tij:
- Pashë në ëndërr sikur dhurova 1000 sesterca.(monedha romake prej argjendi) Si shpjegohet kjo ?
- Kjo do të thotë se madhëria juaj është bujar vetëm në gjumë - u përgjigj astrologu…
           
72. PLUTARKU
50 -120
Historian i shquar e moralist grek nga Koronea në Beocie. Mësues i perandorit Adrianit. Troiani e emëroi konsull. Nga ai kanë mbetur këto vepra: Jeta paralele, Veprat morale.

- Ç`mendon për kurorëthyerjen ?- e pyetën Plutarkun.
S`është gjë tjetër- u përgjigj ai - veçse kurreshtje e qejfeve të të tjerëve…

***
- Në qoftë se do të largohem nga Koronea - tha një ditë Plutarku - ky fshat do të bëhet edhe më i vogël.
Dhe kështu ai nuk u kthye më as në Romë as në Athinë, po vdiq në Koronea.
***

- Ç`thua për burrin - e pyetën Plutarkun.
- Burri duhet të sundojë gruan - tha ai - jo si zotëria siç vepron me skllavin, por si shpirti që vepron me trupin, me një dashuri e afrim reciprok me të cilin është lidhur, duke e përgëzuar dhe shpërblyer.

***
- Ç`thua për gruan - E pyeti Plutarkun një mik.
Dhe ai:
- Me drita të shuara të gjitha gratë ngjasojnë…

***
Tregon Plutarku:

Një nënë rrinte në kujdes të madh në kohën, kur jo larg saj zhvillohej lufta. Kur arrin një shërbëtor i tmerruar.
- Mos kemi humbë luftën ?- e pyeti.
- Jo, kemi humbur tre bijtë e tu - u përgjigj me dhëmbje shërbëtori.
- Njeri i poshtër - briti- gruaja - Unë të pyeta nëse u fitua lufta.
Dhe vrapoi në tempull për t‘iu falur nderës zotave.

***
Plutarku tregon dhe këtë:
Një mbret i Persisë doli për gjah i shoqëruar nga një shumicë e madhe oborrtarësh. Dikur mbretin e mundoi etja, dhe pikërisht atëherë kur gjindeshin në një fushë të madhe, ku nuk ndodhej asnjë krua, as rigë uji. Papritur iu paraqit një kopësht i madh me çedra, portokalla dhe rrush të pjekur.
Një ndër oborrtarët iu afrua mbretit dhe i tha:
- Madhëri, ju mund të shuani etjen me frutat e këtij kopështi.
Mbreti nuk pranoi
- Nuk kam guxim të ha - tha - po ta marr unë një vile të vetme rrushi, i gjithë kopështi do të shfaroset nga oborrtarët e mi.

73. TROJANI
52-117

Perandor romak, i quajtur Ati i Atdheut. Qeverisi me drejtësi e maturi. Zgjëroi kufinjt e perandorisë, duke përfshirë Dacien e Mesopotaminë.
Trojani mori vesh se një farë Surra donte ta vrasë. Armikun mendoi ta mund me anë të miqësisë. I paftuar shkoi në një mbrëmje për darkë tek ai, dhe u ruajt nga rojtari i Surrës.
Një ndër të ftuarve që e vuri në dijeni se Surra ishte përbetuar ta vrasë, Trojani i tha:
- Nuk është e vërtetë, sepse po të kishte dashur ai këtë, për të cilën e akuzoni, do ta kishte kryer shumë lehtë.
- Më vonë Surra qe emëruar tribun nga vetë Trojani, i cili duke i dhënë shpatën e tribunit, i tha:
- Me këtë, më mbro nëse qeveris mirë perandorinë, më vra në qoftë se veproj keq.

74. DEMODAÇE
120-200

Filozof nga Kreta, bashkëkohës i Mark Aurelit. U çlirua nga pasuria që të ishte i lirë për tu dhënë pas filozofisë. Praktikonte virtytin pa mburrje dhe vesin pa ashpërsi. Desh të vdesë duke qëndruar përherë i qeshur.
E pyetën Demodaçen pse kishte aq pak nderim ndaj ligjeve.
- Sepse janë të padobishme.
- Të padobishme !
- Po, pasi të mirët nuk kanë nevojë për ta, ndërsa të këqinjtë nuk çajnë kokën për ta…

75. TEODOSI
346 -395

Teodosi I, i quajtur i Madh, perandor romak, lindur në Galicie, mbrojti Kristianizmin. Me fitoret mbi Hunët, Vizigotët, vonoi rënjen e perandorisë. Ndau perandorinë mes dy djemve, Arkadi e Onori, njërit perandorinë e Lindjes e tjetrit të Perëndimit.
Perandori i Romës, Teodosi i Madh, duke ditur sa pak vlerë ka lindja fisnike dhe pasuria e trashëguar pa një edukatë të mirë, dërgoi njerëzit e vet në katër anët e mbretërisë për të gjetur dijetarin më të mirë. U gjet filozofi Arsene. Këtij ia la në dorë djemtë e vet, që t`ia mësojë.
Djemtë, madhështorë si bijë perandori, gjatë mësimit, vetë mësonin ndenjur, kurse filozofin e mbanin në këmbë para tyre. Kur e shikoi këtë gjë, Teodosi tha:
- Ngrihuni e lëshojani atë vend mjeshtrit. Lindja e pasuria janë të rastit, për të cilat ju nuk keni farë merite, dhe një ditë mund t’i humbisni. Kurse dija është meritë e vërtetë e filozofit, që do të nderohet përherë e gjithkund.

76. HARUM AL RASHID
766-809

Lindi në Ray të Persisë. Si kalif absid i Bagdadit, luftoi kundër Perandorisë Bizantine. Ishte një ndër heronjtë e tregimeve Njëmijë e një netë.
Kalifi kishte në oborrin e tij një shakaxhi të quajtur Baluli. Një ditë kalifi i kërkoi Balulit listën e të marrëve të Bagdadit.
- Dëgjo - iu përgjigj shakaxhiu - Më mirë po shkruaj listën e të diturve se është më e shkurtër, dhe kështu del vetvetiu lista e të marrëve…

77. ALFREDI I MADH
859-901

Mbret i Anglo-Saksonëve, i përmendur për fitoret mbi Danezët. Hartoi Kodin e Ligjëve. Ishte ndër mbretërit më të urtë të Anglisë.
Mbreti Alfred, çdo orë të ditës e kishte të zënë me veprime të veçanta. Njëzet e katër orëshin e ditës e ndante në tri pjesë. Njerën pjesë ia dedikonte gjumit, ngrënies dhe shetitjes. Tjetrën leximit e shkrimit. Të tretën, punëve shtetërore. E kish zakon të thotë:
- Koha është shumë e çmueshme. Nuk duhet humbur kot. Koha është një minierë nga e cila secili duhet të nxjerrë metalin e çmueshëm.

78. AVICENA
930-1037

Filozof natyralist, mjek, matematikan, poet e mendimtar i shquar pers, me emër të vërtetë Abu Ali ul - Husain.
Një i sëmurë e pyeti një ditë Avicenën:
- Pse më mjekon ndryshe nga shoku im që ka të njëjtën sëmundje ?
Avicena iu përgjigj:
- Duhet të dish se secili njeri i veçantë ka natyrën e tij, që i përket vetëm atij. Rrallë qëllon, ose është krejt e pamundur që dy njerëz të kenë të njëjtën natyrë.

79. KANUTI
1015-1056

Mbret i Danimarkës dhe i Anglisë. Pushtoi Norvegjinë. U quajt i Madh.
Mbreti Kanuto, i mërzitur nga oborrtarët e vet që e madhëronin më tepër se duhej për fuqinë e tij, dhe duke dashur t’i tregojë realitetin, një ditë urdhëroi që ta çonin me gjithë fron në breg të detit. Si e çuan atje tha:
- Ti, o det, je imi, ashtu dhe toka ku rri është imja. Atëherë pra, unë të urdhëroj, o det, mos të guxosh të vish te toka ime dhe ta lagësh zotërinë tënd.
Porsa tha mbreti këto fjalë, deti me një baticë të madhe u shtri mbi një pjesë të mirë të tokës, dhe ai vetë u lag keqas.
- E shikoni - u tha oborrtarëve - sa “i fuqishëm” është një mbret…

80. SAADI
1184-1291

Sheik nga Shirasi i Persisë. Një ndër poetët më të mëdhenj të Persisë. Kryevepra e tij njihet poema Kopështi i Trëndafilave.
Shahu i Persisë i tha një ditë poetit:
- Unë jam i pasur, unë jam i lumtur, mua nuk më mungon asgjë.
- Ty të mungon vetëm lumturia - i tha Saadi - sepse të pasurit nuk janë të lumtur, kurse të lumturit janë të pasur.

***
I thonë poetit Saadi:
- Përse nuk të kanë në sy të mirë njerëzit e pallatit ?
- Sepse oborrtarët - ia priti ai - duan ata të cilëve u ngjajnë...

***
Dikush e pyeti poetin ç’ndryshim kishte mes mbretit dhe atij.
- Mbreti - u përgjigj ai - është skllav i pasioneve të tij, kurse unë i sundoj ata....

***
Poeti persian, qortoi një ditë një oborrtar për karakterin e tij të dobët. Oborrtari iu përgjigj:
- A e din ti, se ky karakter i lëkundshëm më ka bërë të arrrij ku jam, i mbushur me lavdi dhe pasuri ? Dhëmbët, që dukeshin aq të fortë filluan të më bien, ndërsa gjuha, që është aq e butë dhe e lëvizshme nuk pësoi gjë.
- Ki kujdes - ia - priti Saadi - nëse nuk kafshon atë gjuhë, mund të rrezikosh jetën.

***
Shahu i Persisë, një ditë thirri poetin dhe i tha:
- Kam shkruar disa vargje dhe kërkoj një mendim nga ju.
Pasi i hodhi një sy vargjeve, poeti tha:
- Për ju, madhëri, nuk ka asgjë të pamundur. Për një çast t’u shkrep të shkruash vargje të dobëta dhe ia arrite qëllimit…

***
Saadi, kur ishte i ri, u grabit nga piratët. Një tregtar, pasi pagoi piratët me 30 monedha ari e liroi dhe e detyroi të martohet me vajzën e tij, një grindavece dhe e paditur, e cila i thoshte dendur Saadit:
- Mos harro se babai im të dha lirinë për 30 flori.
- Po - buzëqeshte Saadi me ironi - për 30 flori e rifitova lirinë, por për 30 mijë (aq ishte pasuria e saj) e humba përsëri.

***
Poeti shkoi një herë tek një i pasur për t’i kërkuar borxh.
Pasaniku e pyet:
- Si është e mundur që dijetari vjen të trokasë në derën e një të pasuri, ndërsa i pasuri nuk shkon kurrë te dijetari ?
- Shumë thjesht - u përgjigj Saadi - Kjo ngjet sepse i dituri i çmon të mirat e pasurisë, kurse i pasuri as që i njeh të mirat e diturisë...

***
Poeti persian Saadi banonte në një shtëpi të thjeshtë.
- Kjo tregon – thoshte me buzë në gaz Saadi - se është më lehtë të renditësh vargje se gurë…

81.DANTE ALIGHIERI
1265-1321

Dante (Durante) Alighieri lindi në Firence dhe vdiq në Ravena. Poet i madh, filozof, teolog, ishte gjeniu më i madh i Mesjetës. U qujt poeti hyjnor, ati i gjuhës italiane. Ishte 9 vjeç kur dashuroi Beatriçen (Portinari) dhe e përjetësoi ndër „Rimat“, sa ajo ishte gjallë, dhe pas vdekjes në Komedinë Hyjnore. Si mësues, pati Bruno Latinin. Mësoi shpejt matematikën, astronominë, filozofinë, e letërsinë. Nga Gjoto pikturën, nga Kasela muzikën. Dante martohet me Xhema Donati, me te cilën ka dy djem e dy vajza. Si guelf lufton trimërisht kundër Gjibelinëve e Pizanëve. Në v.1294 shkruhet në artin e mjekëve të farmacistëve , në v. 1296 merr pjesë në Çentiviratin, dhe më vonë është në kryesi. Kur ra partia e të bardhëve, familja dëbohet nga Firence, dhe poeti dënohet dhe më rëndë, me djegie të gjallë nëse do të kapej në qytet. Endërroi bashkimin e Italisë. Kaloi një jetë endacake në Paris, Lion, Piza, Padova, Lunigjana, Luka, Verona e në fund në Ravena. Përveç Komedisë Hyjnore, shkroi „Il convito“, „Jeta e re“, „ De monarchia“, „De vulgaris eloquii“ etj.
Kur Dante ndodhej në oborrin e sundimtarit të Veronës, princi i tha njëherë:
- Unë habitem, z. Dante, si është e mundur që një njeri kaq i ngritur sa ju të urrehet nga gjithë oborrtarët, kur karagjozin e duan kaq shumë.
Dante u përgjigj:
- Shkëlqesia e juaj do të habitej më pak po të kishte parasysh se duam më shumë ata që na ngjajnë më shumë…

***
Pasi qëndroi njëzet vjet në mërgim, Dante u kthye në vendin e tij.
E pyetën:
- Ç’përshtypje të kanë lënë vitet e mërgimit ?
- Buka e huaj është e hidhur-iu përgjigj Dante - Kur ngjitja e zbritja shkallët, më dukej vetja si në një anije pa vela që përplaset nga dallgët e oqeanit dhe kërkon të kthehet sa më parë në limanin nga qe nisur…

***
Më kot Firenze, shumë vonë, plot lavdi për birin e saj të madh, reklamoi eshtrat e tij, por Ravena nuk dëgjoi t’ia lëshojë eshtrat e shquara.
Mauzoleu artistik që admirohet në Santa Kroçe në Firencë me fjalët „Nderoni të lartin poet“ është bosh.

***
Dante i tha Gjotos:
- Sa keq që fëmijët tuaj nuk janë aq të bukur sa engjëjt që pikturon.
- Puna është se engjëjt i bëj ditën, kurse fëmijët natën - u përgjigj Gjoto, që mjerisht e dinte se fëmijët e tij nuk ishin aspak të hijshëm…

***
Dante nuk ia dilte të çlirohej nga një njeri i mërzitshëm.
- Një ditë poeti, befas e pyeti, cila është kafsha më e madhe ?
- Nuk e dini ?- ia bëri tjetri.
- Jo.
Elefanti.
- Tamam - Elefant, shko !

***
Gruaja yte të tradhëton - i tha një mik Dantes.
Dante nuk bëri zë.
Të nesërmen miku përsëriti thënien.
- Dëgjo - atëherë i tha Dante - mos mendon ti se e njeh gruan time më mirë se e njeh ajo veten ?
- Jo, sigurisht.
- Atëherë pra, derisa ajo thotë se nuk është e vërtetë sa thua ti, unë nuk kërkoj tjetër prej teje, veç të më lësh të qetë.

***

Një bufon e pyeti një ditë Danten, pse ai, Dante, duke qënë aq i dijshëm dhe inteligjent, ishte aq i varfër.
- Nuk e di u përgjigj Dante
- Po unë që jam aq budalla - tha atëherë bufoni - kam arritë të jem aq i pasur ?
- Puna është se ti ke pasë fatin të gjesh një padron që të ngjan.

***
Një fisnik napolitan u ndesh në dyluftim me një fisnik tjetër, sepse ai ngulte këmbë se Ariosti është më i madh se Dante. Simpatizanti i Dantes u plagos për vdekje dhe para se të vdiste tha:
- E pra, unë nuk kam lexuar as Danten as Ariostin.
- Po ateherë pse u përleshe ?- e pyeti një ndër dëshmitarët.
Sepse mora vesh që as kundërshtari im nuk i kishte lexuar…

82. KENKO YOSHIDA
1283-1350

Kenko Joshida (Kanejosh) poet japonez, autor i Euresuregusa (Heroi i Cisires) ku i qanë hallin zhdukjes së mirësjelljes së dikurshme.
- A e dini se syprina e brishtë e lëkurës së njeriut ka një ngjyrë që të joshë? - tha Kenko Joshida.
- Si e provoni këtë ?- e pyetën.
- Gjysmëperëndia Kume, kur pa këmbën e bardhë të një gruaje që po lahej në lum, kaq u trondit sa humbi mundësinë që të ngjitej në ajër.
83. PETRARKA
1304- 1374

Lindi në Arezo të Italisë, jetoi për një kohë të gjatë në Avinjon të Francës, ku njohu Lauren. Pati zyre diplomatike të ndryshme. Është autor veprash historike, filozofike dhe të poemës latine Afrika. Vepra tjera: Odet, Vjershat. Famën më të madhe e fitoi me vjershat e shkruara në nder të Laurës, të quajtura „Canzoniera“. Vdiq në Arkua, ku i ruhen eshtrat.
Françesko Petrarka u dërgua nga i ati në Universitetin e Bolonjës. I riu, në vend që të jepej mbas studimit të ligjëve, u vu të mbledhë kode të vjetra dhe të shkruajë vjersha, për të cilat kishte prirje e talent.
Si e mori vesh i ati, erdhi në Bolonja dhe e qortoi rreptësisht të birin që po linte drejtësinë. Poezitë e kodet ia hodhi në zjarr. Djali u dëshpërua duke parë mundin e tij të shkuar dëm.
- I ati i prekur nga një dëshpërim i tillë i shpëtoi nga flakët një kopje të Virgjilit e të Ciceronit.
- Virgjili - i tha i ati - le të ngushullojë ndër studimet e thata të ligjeve, të cilat do të mësohesh t’i kesh në hatër sipas udhëheqjes së Ciceronit.

84.TIMURLENGU
1336-1425

Luftetar i madh dhe udhëheqës fitimtar tartar. Fitoi luftën e Ançirës mbi Bajazitin.
Një herë Timurlengu si e shikoi veten në pasqyre dhe vuri re sa i shëmtuar ishte, ia shkrepi të qarit. Shërbëtori sapo e pa, nisi edhe ai të qajë.
- Po ti ç’ke që qan ? - i tha luftëtari i shemtuar.
- Si mos të qaj, zotëri ? Ju një herë e patë vetën në pasqyrë dhe ia shkrepët të qarit, po unë i shkreti, që ju shoh për ditë…

85. DONATELI
1383-1466

Skulptor i famshëm fiorentin. Veprat e tij më të mëdha: Judita e Davidi.
Pak sepse nuk ishte i kënaqur për kokën e trupores së Gatamelatit, pak sepse venecianët nuk e nderonin sa duhej, Donateli ia theu kokën trupores që kishte gdhend.
Një nga populli iu suall me tërbim:
-A di se edhe unë ta thej kokën ty ?
- Pse jo !- briti Danoteloja - Në qoftë se je i zoti të ma vendosësh prap në vend, siç do t’ia vë unë Gatamelatit, jam në dispozicion tënd…

86. ZHANË D’ARK
1412-1431

Heroina e famshme franceze, bijë fshatarësh, theu anglezët në rrethimin e Orleansit. Bëri të konsakrohet mbret Karli VII. Kur tentoi të çlirojë Parisin, u zu rob në Kompienjë dhe iu dorëzua anglezëve që e dënuan me djegie në turrën e druve si heretike dhe shtrigë. U shenjtërua në vitin 1904.
Zhanë D’Arka në krye të ushtrisë franceze, i mundi anglezët, por e tradhëtuar u zu rob dhe u dënua të digjet në turrën e druve.
Një nga ushtarakët, që luftoi nën komandën e Zhanës, kur pau që po e përpinin flakët, tha:
-Duket e pakët në mes të zjarrit, por deri dje, ishte kjo, heroina që i dha zjarr luftës për liri të atdheut të saj.

87. ALFONSI I ARAGONES
1416-1458


Mbret i Napolit, i quajtur “Shpirtamdhi”, pushtoi Napolin e Siçilinë e muar emrin mbreti i dy Siçiljeve Pëlqente klasikët. Kërkoi ndihmën e Skënderbeut në luftë, dhe lidhi aleancën kundër Venedikut.
Alfonsi ushqente ambicje të krijonte një perandori të madhe në Mesdhe, prandaj kërkoi ndihmën e Skënderbeut, duke i premtuar ta ndihmojë kundër turqve.

Skënderbeu pranoi të bëjë aleancë me të dhe të shkëmbejë ambasadorë. Përkrahja e mbretërisë së Napolit, ndër shtetet më të fuqishme të kohës, do t’i vlente shumë. Por ndihma e tij ishte shumë e vogël.
***

Mbretit Alfons i thanë:
- Nënshtetasit nuk janë të kënaqur, madhëri.
- Pse ?
- Sepse taksat janë shumë të rënda !
- E ç’thonë ?
- Flasin keq për Madhërinë tuaj.
- A paguajnë
- Po, janë të detyruar
- Shumë mirë. Në qoftëse ato pranojnë veprimet e mia, edhe unë mund t’i pranoj fjalët e tyre…

***

Që martesa te jetë e lumtur, duhet që burri të jetë shurdh dhe gruaja e verbër…
- Kështu thoshte shpesh herë Alfonsi i Aragonës, “Shpirtmadhi“.

88. BELINI
1426 -1516

Belini (Gjon) piktor i famshëm, mjeshtër i Gjergjonit dhe i Ticianit.
Piktori i famshëm italian Gjon Belini ishte ftuar nga sulltan Mehmeti II për të punuar tablonë „Prerja e kokës së Gjon Pagëzuesit“
Pa mbaruar akoma tabloja sulltani i tha:
- Prerja e kokës nuk paraqitet ashtu si në realitet.
Për të provuar këtë ai urdhëroi t’i pritet koka një skllavi para syve të piktorit.
Belini u bind, por u trondit aq shumë, sa të nesërmen la përgjysëm tablonë bashkë me pallatin...

89. PONTANI
1426 - 1503

Burrë shteti, poet, historian dhe latinist i mirë, themeloi Akademinë Pontane
Pontani, që njihej si humanist i shquar, një ditë i tha miqve:
- Sot e mbrapa do të jem zot i mendimeve të mia.
- Pse, dje nuk ishe? - e pyetën.
- Jo, sepse vetëm sot kam rënë në fatkeqësi, dhe mendimet e mia nuk i përkasin më asnjë mbreti.

90. KRISTOFOR KOLOMBI
1446-1506

Astronom, matematikan, udhëtar, lundërtar italian nga Gjenova. Lindi nga prindër të varfër. Zbuloi Amerikën në vitin 1492.
Kur udhëtonte Kristofor Kolombi, një marinar frikacak e pyeti:
- Ka raste që të mbytet një anije si kjo jona ?
- Mos u tremb - ia priti Kolombi - pasi anije të tilla mund të mbyten vetëm një herë ...

91. LORENZO DE MEDICI
1448-1491

Lorenzo de Medici, i quajtur „Manjifico“ shpëtoi nga komploti i „Pazzi“- ve. Kryetar i Rrepublikës në Firence. Ndërtoi biblioteka, muzeume, dhe universitetin e Pizës. Mik i Mikelangjelos, Policianit e artistëve të tjerë të mëdhenj, ndihmoi shumë në lulëzimin e arteve dhe shkencave. Letrar i shquar, la poezi e shkrime me vlerë.
Lorenci kishte shumë për zemër të bëjë për vete armiqtë.

Shpesh thoshte:
- Mjeti më i sigurtë që i shërben më mirë interesave tuaja është të fitosh mirësinë e atyre që i ke më tepër kundërshtarë.
Një oborrtar i paraqiti, një ditë, Jak Tebalduçin, fiorentin, i cili kishte komplotuar kundër jetës së princit, Lorenci i kënaqur i tha atij:
- Nuk do ta dija për nder në se do të më kishe paraqitur një mik. Po tani, që më bëre të fitoj miqësinë e Tebalduçit, që në të kaluarën qe armiku im, nuk di se si t’ju falenderoj. Të lutem, shërbime të tilla, të bësh më shpesh.
Me këto fjalë Lorenco de Medici fitoi zemrën e Tebalduçit, i cili që prej asaj dite qe një ndër besnikët e tij.

92. MEHMETI II
1451-1481

Pushtoi Konstandinopojën dhe nënshtroi Bosnjen. Luftoi kundër Skënderbeut. Rrethoi dhe u mund nga Skënderbeu, ashtu siç qe mundur dhe i ati Murati II, i cili vdiq në rrethimin e Krujës.
Paul Eriko, venedikas, ishte sundimtar i Konstandinopulit, kur Mehmeti II e rrethoi. Si mbaruan ushqimet, qytetarët, duke parë se u duhej të dorëzoheshin, i dërguan fjalë Mehmetit se do t’iu nënshtroheshin me një kusht, që t’ia shpëtonte kokën, sundimtarit të tyre të mirë.
Mehmeti ia dha fjalën dhe dyert e qytetit iu hapën. Menjëherë kërkoi Paulo Erikon, të cilin e sharroj përgjysëm. Atyre që thonin se Mehmeti II e hëngri fjalën, ai iu përgjigj kështu:

- Fjalën e mbajta. Kokën ia shpëtova, por jo ijët…

***

Mehmeti II mbahej si trashëgimtari i perandorëve romakë, dhe prandaj, si pushtoi Konstandinopolin, tha:
- Tani duhet të pushtoj Romën !
Dhe qe afër realizimit të ëndrrës së tij perandorake, por vdiç në vitin 1481, pikërisht në kohën kur ushtritë e tij kishin zbarkuar në Otranto, duke qenë në rrugën drejt Romës.

93. LEONARDO DA VINÇI
1452-1519

Leonardo da Vinçi, lindi afër Empolit, Itali. Piktor, skulptor, arkitekt dhe inxhinier i famshëm. Bëri shumë shpikje. La një Traktat Pikture dhe shumë piktur, ku ndër më kryesoret:Darka e fundit (Milano), Xhakonda (Louvre, Paris), disa kode, Vëllimin e I të Anatomisë.
Si i ke kapërcyer të gjitha ato vështirësi në jetë ?
- E pyetën Leonardo Da Vinçin.
- Duke ndjekur rrugën më të shkurtër - ia priti Leonardi.
- U hyra vështirësive mes për mes…

***
Leonardi i urrente lajkatarët. Thoshte për ta:
-Lajkatarët i ngjasin piktorëve që kërkojnë ta paraqesin portretin e një gruaje, 30 vjet më të re.

***
Leonardi duke parë një punim të ri të Rafaelit, i bëri disa vërejtje. Dhe, kur vuri re se Rafaelit nuk i erdhi mirë, i tha:
-Mos u mërzit ! Duhet ta dish se nuk është nxënës i zoti ai që nuk bën përpjekje që ta kalojë mjeshtrin e vet !

***
Duke admiruar statujën e Davidit, e cila ishte një kryevepër, Leonardo da Vinçi i tha Mikelanxhelos:
- Mund të them pa e tepruar se ju keni përdorë kokën e Zeusit !
- Në rast se nuk do ta kisha përdorur çekiçin e Hefestit - ia ktheu buzagas Mikelanxhelo - nuk besoj se do të dilte gjë nga koka e Zeusit.

***
Leonardi punoi planifikimin e qytetit të ri të Milanos, që parashikonte rrugë të gjëra, shtëpi të bukura, shërbime shoqërore etj. Në shërbim të familjes Sforca, përfundoi ndërtimin e kanalit të Martesanas, i cili lidhte dy kanale të lundrueshëm.
Projektoi disa lloj makinash luftarake, të cilat sot njihen si frymëzime për tankun, mitrolozin, parashutën, helikopterin etj.
94. LUIGJI I XI
1461-1483

Mbret i Francës, mundi kualicionin e zotërinjve dhe bashkoi me shtetet e tij Pikardinë e Burgonjën.
Nxiti industrinë dhe lundrimin detar. Solli shtypin në Paris dhe krijoi Postën me kuaj.

***

Mbreti Luigji XI, desh ta ndëshkojë për vdekje astrologun që paralajmëroi vdekjen e favoritës së tij, e cila vdiq sipas thënieve të astrologut.
Kur e sollën në prani të mbretit, astrologu pyeti:
- Pse doni të më dënoni për vdekje ?
- Pse je një sharlatan.
- E pra unë paralajmërova atë, që me të vërtetë ngjau.
- Ajo që ngjau ishte shenuar nga Zoti. Ti nuk mund ta dije më parë. E din për shëmbull se kur do të vdesësh ti ?
-Po. Tri ditë para Madhërisë suaj.
Mbas kësaj përgjigje, mbreti, tepër i prekur, nuk e ndëshkoi për vdekje…

95. SULLTAN SELIMI
1467-1520

Sulltan Selimi i Turqisë, pushtoi Egjiptin dhe Sirinë.
Sulltan Selimi i premtoi një çmim të lartë mjekut çifut po t’ia dilte të helmojë Bajazitin, babanë e tij. Mjeku i mundur nga lakmia e parasë kreu porosinë dhe Bajaziti vdiq i helmuar.
Sulltani atëherë në vënd të çmimit, ngarkoi njerëzit e vet t’ia presin kokën çifutit duke i thënë:
- Ky tradhtar do të më japë helmin edhe mua një ditë, nëse i premtohet një shpërblim i mirë…

96. LUIGJI XII
1472-1519

Mbret i Francës, i quajtur Ati i popullit. Me ndihmën e Venedikut pushtoi dukatin e Milanos. Me anë të një pakti të fshehtë, shtiu në dorë Napolin.

I mundur në Seminora e në Çerinjola, iu desh të braktisë Italinë. Më vonë hyri në besëlidhjen e Kambrajt kundër Venedikut, të cilin e mundi në Agneledo, por Papa Juli II, si formoi Lidhjen e Shenjtë, ia arriti ta nxjerrë nga Milano, pas fitores së Novarës.
Një pasanik i oborrit të Luigjit XII sillej keq me një fshatar. Si e mori vesh mbreti dha urdhër që mos t’i jepnin bukë atij fisniku, po vetëm bylmet e verë.
Fisniku iu ankua mbretit.
- Pse ? - pyeti mbreti, nuk të mjafton bylmeti e vera ?
- Buka është e nevojshme për jetën - u përgjigj fisniku.
Atëherë mbreti:- Nuk e kuptoj pra pse sillesh aq keq me ata që punojnë për ta dhënë atë ?

97. KOPERNIKU
1473-1543

Nikolla Kopernik, astronom, i famshëm nga Thorn (Prusi) zbuloi Sistemin planetar.
Kur Koperniku shpalli teorinë e heliocentrizmit, kisha e akuzoi për herezi.
- A e din se këtë teori kisha e ndalon ?- i tha një prelat.
- Teoritë mund t’i ndalojë - ia priti Koperniku - por jo tokën.

98. ARIOSTI
1474-1564

Ludovik Ariosti, poet i shquar italian, autor i vepres së famshme „Orlandi i Terbuar“. Shkroi edhe satira, komedi, sonete etj. Si komediograf i shekullit XIV, një skenë të komedisë së tij e pikturoi vetë Rafaeli. Biblioteka e Ferrarës, ku poeti vdiq, ruan nji divid dhe një karrige të tij.
Një ditë i ati e qortoi Ludovikun për më se një orë. Ludoviku nuk i doli zot vetes, nuk foli fare. Si shkoi i ati, dhe si e pyeti i vëllai për gjithë atë heshtje, Ludoviku u përgjigj:
- Vëlla i dashur, në komedinë që po shkruaj është një baba që e qorton të birin, kështu që, kur im atë më bërtiste, unë hapja sytë dhe dëgjoja me kujdes. Nuk doja të humbas as një fjalë, as edhe një gjest…

***
Kur Ariosti shkruante Orlandin, Bembo, poet e shkrimtar klasik, i tha:
- Pse nuk e shkruan latinisht ?
- Pse ta shkruaj latinisht ?
- Pse latinishtja është gjuhë botërore.
- Por unë nuk e njoh aq mirë.
- E njeh shumë mirë, përkundrazi.
- Po, por jo si italishten. Dhe unë dua të jem jo shkrimtar i dytë latin, por shkrimtar i parë italian.

99. MIKELANXHELO
1475 -1564

Mikelanxhelo Buonaroti lindi ne Firence të Italisë, u shqua mbi të gjithë piktorët dhe skulptorët e vjetër. Veprat e tij më të famshme janë: Mauzoleu i Julit II, Davidi e Baku, Gjyqi universal. Drejtoi punimet në Kishën e Shën Pjetrit në Romë, dhe ndërtoi kupolën e famshme të saj, Kampidolin, pallatin Farnese, varret e Lorencit dhe Julianit të Medicëve, me statujat Dita e Nata, duke lënë në çdo vepër gjurmët e gjeniut të jashtëzakonshëm.

***
Një mik i tha Mikelanxhelos:
- Habitem me ju mjeshtër. Si mund t‘i kushtoni aq kujdes në punën tuaj dhe detajeve pak rëndësishme.
-Vogëlsirat sjellin përsosmëri - u përgjigj skulptori i madh - ndërsa përsosmëria nuk mund të jetë kurrsesi një vogëlsirë !

***
Një piktor i tregoi Mikelanxhelos një tablo të kopjuar nga disa vepra të ndryshme. Mjeshtri e pa, qeshi dhe tha:
- Tabloja është e bukur, por kur të ndahen „“lakrat“ pas vdekjes, çdo piktor do të marrë pjesën e tij, kurse ty do të mbetet veçse korniza...

***
Një piktor kishte paraqitur në tabllo një livadh ku po kulloste një gomar.
- Nuk e kuptoj - i tha dikush Mikelanxhelos - në mes të natyrës kaq të bukur pse e ka paraqitur të gjallë gomarin ?
- Mos u çudit, secili piktor mundohet të nxjerrë veten e tij më mirë se të tjerët - ia priti Buonaroti, që nuk kishte aspak simpati për piktorin.

***
Një ditë Mikelanxhelo i tha Leonardo Da Vinçit:
- Njerëzimi për të cilin keni bërë kaq shumë, nuk do t’ju harrojë kurrë !
- Sa më shumë të bëj - ia ktheu Da Vinçi - aq më pak kam bërë…

***
Karli V e pyeti Mikelanxhelon:
- Çmendim ke për piktorin gjerman Albreht Dyrer ?
Mikelanxhelo i tha:
- Sikur të mos isha Mikelanxhelo, do të dëshiroja më mirë të isha Dyrer, sesa Karli V.

***
Mikelanxhelo po bisedonte mbi vdekjen me një mik.
- Unë - tha miku - e kam frikë vdekjen.
- Po jeta a të pëlqen ?
- Po.
- Edhe vdekja duhet të pëlqejë derisa si jeta si vdekja janë vepra të njëjtës natyrë.

***
E pyetën Mikelanxhelon:
- A është i vështirë profesioni juaj ?
- Jo, aspak - iu përgjigj Mikelanxhelo - Mjafton të marrësh një copë mermeri.
- Po pate durim t’i heqësh pjesët e tepërta, me siguri del statuja …

***
Kur në qëndër të Firencës po ngrihej një monument madhështor për nder të Neptunit (Perëndisë së Detrave), oborrtarët servilë dhe lajkatarë të dukës Kozimi dei Mediçi, tundnin kokën në shenjë pëlqimi për këtë vepër boshe, kurse ditën e përurimit, Mikelanxheloja i tha një mikut të tij:
- Është për të ardhur keq që u harxhua kot një copë kaq e madhe mermeri për një vepër kaq të vogël…

100. TOMASO MORO
1480- 1533

Dijetar, publicist e kancelar i Henrikut VIII, mbretit të Anglisë. Utopia është vepra e tij. Iu pre koka sepse nuk pranoi të njohë supermacinë shpirtërore të mbretit.
Tomazo Moro u dënua me vdekje nga mbreti dhe ndërsa po hypte në podin e vdekjes, iu lut një të pranishmit që ta ndihmojë, duke ia dhënë krahun. Ngase ai ngurroi, buzëqeshi dhe i tha:
- Mos ki frikë, o mik, se unë nuk do të zbres dhe nuk do t’ju jap asnjë shqetësim tjetër.
- Kur e vuri qafën në konop, mjekrra iu vesh atij, atëherë u kthye nga xhelati e i tha:
- Prit sa ta rregulloj mjekrën, ajo nuk ka bërë asnjë faj dhe nuk meriton të pritet.
Me këto fjalë ai iu nënshtrua vdekjes.