4000 VJET NGA
URTËSIA BOTËRORE
(Anekdota, mbledhur
e përkthyer nga Andrea Skanjeti)
Shkodër, 1983
Redaktor: Zef
Skanjeti
Radhitës: Gjovalin
Çuni
Ji shërbëtor (e) i
(e) diturisë, nëse do të jesh i (e) lirë !
1. PROMEOTEU -
Mitologji
Një ndër titanët,
bir i Gjapetit e babai i Daukalionit.I grabiti qiellit shkëndinë etere për t’i
dhënë jetë një njeriu prej argjili. Zeusi për t’a ndëshkuar e mbërtheu në
Kaukaz nga Vulkani. Atje një shkabë i hante zemrën, e cila i përtrihej përherë.
Pas 30 vjetësh, Herkuli e liroi nga ky ndëshkim.
Legjenda tregon se
Prometeu ishte i pari që i fali njerëzve zjarrin, duke ia vjedhur një shkëndi
diellit.
Prometeu u duk mbi
tokë me një flugë të ndezur. Të gjithë iu mblodhën rrotull për të admiruar një
gjë kaq të mrekuellueshme dhe për t’a nderuar.
Prometeu i mërzitur
dhe i dërmuar don t’i ikë syve të njerëzve dhe fshihet në një shpellë mes
pyllit. Njerëzit të drejtuar nga ajo dritë, i shkonin pas dhe e nderonin.
2. ABRAHAMI
v. 1996 para
Krishtit
Patriark, Ati i
Ebrejve. Lindi në Ur, Kalde. Shkoi në Egjipt kur ra zi në vendin e tij. Faraoni
ia grabiti gruan, Saren. Vdiq 175 vjeç.
Në kohën e
Abrahamit adhuroheshin statuja njerëzish, kafshësh dhe bimësh, të cilave u
jepej fuqi hyjnore.
Vetë i ati i
Abrahamit, ndërtues i këtyre idhujve, i adhuronte më tepër se të tjerët.
Një ditë, kur
Abrahami ndodhej vetëm në shtëpi, iu paraqit një plak për të blerë një prej
idhujve.
- Sa vjeç je ? - e
pyeti Abrahami.
- Tetëdhjetë-tha
plaku.
- Si ?- vijoi
Abrahami - je 80 vjeç dhe do të adhurosh një statujë të bërë dje nga punëtorët
e babait tim ?
Plaku s’bëri zë dhe
iku i turpëruar…
3. NINO
1916 p.Krishtit
Monark aziatik,
themelues i të parës perandori të Asirisë, sundoi mbi një pjesë të madhe të
Azisë. U vra me urdhër të Semiramidës, gruas së tij.
Nino, si pushtoi
një pjesë të madhe të Azisë, zgjodhi si kryeqytet të perandorisë, Ninive.
Një ditë Nino, mbi
terracën e pallatit, kundronte atë qytet madhështor dhe grumbullin e madh të
popullit që sillej sa andej këtej.
- Sa lavdi - briti
- për një prijës kur i nënshtrohet vullnetit të tij i gjithë populli. Mjafton
një fjalë e imja, që mijëra prej tyre të më ndjekin ndër pushtime e fitore të
reja !
Mbas pak ditësh e
burgosën dhe e vranë…
4.DANAO
1400 p. Krishtit
Sipas mitologjisë
greke, bir i Delos e i Ankinesë, vëlla i Egjiptit e atë i Danaideve, mbretëroi
në Libi dhe pushtoi Agron në vitin 1450 p.Krishtit.
Mbreti Danao kishte
pesëdhjetë vajza. Ishte në armiqësi të madhe me vëllanë e tij, Egjiptin. Djemtë
e mbretit Egjipt, duke e ndjekur këmba - këmbës e detyruan Danaon t’u jepte për
gra pesëdhjetë vajzat e tij. Por sipas porosisë së babait, nuset e reja i vranë
burrat që natën e parë, vetëm Ipermenestra nderoi burrin e vet, Linçeon. Për
krimin që bënë të 49 bijat e mbretit Danao, u dënuan nga perenditë që të
mbushnin me ujë një fuqi të pafund, në mbretërinë e nëntokës, në Tartar.
Nënkuptohet tortura
e 49 vajzave, mbasi fuqia në fjalë nuk mbushej kurrë.
5.SOLOMONI
976 p.Krishtit
Bir i Davidit e i
Bersabeas, zgjeroi mbretërinë e Izraelit e filloi ndërtimin e tempullit.
Qeverisi me urtësi e kujdes për 40 vjet. Thonë se është autor i Librit të
këngëve e të Eklesiastit
Solomoni thoshte:
- Hardhia prodhon
tre lloje frutash: qejfin, dehjen, pendimin.
***
E pyetën Solomonin
se çka mendonte për gruan. Ai tha:
- Sikur tenja bren
drurin, ashtu gruaja e keqe konsumon burrin. Kush e ka gruan e mirë, ka një
thesar.
6. LIKURGU
Shek. IX p.Krishtit
Legjislator i
Spartës. Shpalli një ligj të rreptë. U vu be qytetarëve që t’iu nështronin
atyre ligjëve deri në kthimin e tij nga një udhëtim. Likurgu u nis, por u ndal
në Kretë, ku edhe vdiq...
- Si është puna që
ti e pranon vjedhjen - e pyetën Likurgun.
E ky:
- E pranoj, me
kusht që hajnia të bëhet çiltas e pa frikë.
***
Likurgu si mori dy
klyshë “vellezër”, i rriti në mënyrë të ndryshme, njërin deshti ta bëjë gopçar
dhe tjetrin gjahtar.
Mbas disa kohësh,
si u ndodhën spartanët në një mbledhje, ai i foli atyre:
- Fuqia e zakonit;
o lacedemon, dhe fuqia e mësimit është e madhe dhe e bën njeriun të virtytshëm
në mënyrën e të jetuarit. Këtë unë dua t’ua tregoj me një shëmbull.
Si tha kështu, i
lëshoi dy qentë pasi kishte vënë aty pranë një sahan gjellë e një lepur. Njëri
prej qenve u vu menjëherë në ndjekjen e lepurit dhe tjetri u drejtua me vrap
tek sahani i gjellës.
Spartanët nuk po e
kuptonin Likurgun. Atëherë ai tha:
- Këta këlyshë
lindën prej një nëne, por u rritën në mënyrë të ndryshme, kështu që njëri doli
gjahtar i mirë e tjetri gopçar…
7 . PISISTRATI
612-527 p.Krishtit
Nip i Salonit,
tiran i Athinës. Nën sundimin e tij, Athina lulëzoi dhe u zbukurua. Gjatë jetës
u dha pas grumbullimit të bronxëve, të rrasave dhe të shkrimeve të vjetra.
Themeloi bibliotekën e parë popullore në Athinë me veprat e dijetarëve.
Pisistrati merr
vesh se e bija ishte puthur nga një djalë i ri.
-Pse keni ardhur të
ma thoni ?-pyeti kapucarin
- Që ta dënosh atë
djalë.
- Pse ta dënoj ?
- Pse guxoi të puth
vajzën tënde.
- Po në qoftë se në
vend të puthjes i dha një shuplakë, çfarë duhet të bëja ?
- Ta dënosh njësoj.
E shikon - tha më
në fund Pisistrati - Nuk din si të sillet njeriu, të njëjtit rrezik i vihet
sikur dashuroi o urrej, sikur përkdheli o përbuzi, sikur puthi apo i dha një
shuplakë…
8. ANASIMANDRI
610- 547 p.
Krishtit
Filozof grek i
shkollës ionike. Pranoi se ka shumë botë. Vizatoi i pari figura gjeometrike.
Shpiku rrethin dhe hartat gjeografike, orët e para diellore, zbuloi pjerrësinë
ekletike, mësoi se hëna merr dritën nga dielli e se toka është e rrumbullakët.
Anasimandri po
kalonte rrugës duke kënduar. Disa çapkenë duke dëgjuar se nuk e kishte zërin e
mirë, e qeshën dhe e tallën.
- Mos u zemërua
Anasimandri ? Jo, jo. Duke qeshur i tha atyre:
- Një herë tjetër
do të këndoj më mirë.
9. SOLONI
640-558 p.Krishtit
Ligjvënës i
Athinës, një ndër 7 dijetarët e Greqisë. Shpalli ligje të admiruara dhe
pjesërisht të adaptuara nga të tjerë.
Soloni arriti një
ditë në Sardi, kryeqytet i Lidies, ku mbretëronte Krezi, prijësi më i pasur i
asaj kohe.
Krezi e priti me
nderime të mëdha Solonin. Për t’ia marrë mendtë me shkëlqimin e thesareve i
tregoi pasurinë e tij. Po Soloni nuk tregohej i mahnitur, dhe nuk i jepte asnjë
rëndësi gjërave që shihte.
Krezi i prekur nga
indiferentizmi i tij kaq i madh e pyeti me zemërim:
- Cili simbas teje
është me të vërtetë i lumtur ?
- Një qytetar
athinas i quajtur Telo - iu përgjegj Soloni- i cili, si jetoi me kursim, me
fëmijët të çmuar dhe të dashur nga të gjithë, pati kënaqësinë t’i shohë ata të
jetojnë në paqë të vazhdueshme dhe të vdesin në luftë për atdhe.
- Mua, domethënë
nuk më llogarit në mes të njerëzve të lumtur ?- vazhdoi tirani.
-Ne - ia priti
Soloni - nuk dijmë të çmojmë një lumturi kalimtare. Prandaj, para se të
shprehem, dua të shikoj si do të vdesësh…
***
- Çfarë të ka bërë
më përshtypje në pallatin tim ?- përsëri e pyeti Krezi.
- Vizita ime dhe
kotësia e luksit të pallatit tënd.
***
Solonin e pyetën
një ditë se cili ishte qyteti më i lumtur në botë.
- Qyteti më i
lumtur në botë - u përgjigj Soloni - është ai ku qytetarët janë aq të bashkuar
saqë padrejtësia që i bëhet njerit prej tyre, konsiderohet si një padrejtësi e
kryer kundër gjithë qytetit
***
E pyetën Solonin:
- Gjatë jetës suaj
çfarë keni vlerësuar më shumë ?
- Shëndetin,
ndershmërinë dhe punën.
- Çfarë keni
urrejtur më tepër ?
- Tradhtarët,
intrigantët dhe dembelët.
10. EZOPI
Shek. VI p.Krishtit
Ezopi njihet si më
i madhi fabulist grek. Lindi në Frigji dhe si skllav pati tre zotëri: Dinarkun,
Zantin, dhe Idmonin. Më vonë, si fitoi lirinë, Krezi, mbreti i Lidisë, e mori
pranë vetes dhe e çmoi shumë. Mirëpo, me një fabul egërsoi aq shumë banorët e
Delfit, sa ata e mbytën në vitin 550 p.Krishtit. Fabulat e tij ishin model dhe
shumë shkrimtarë fabulash, të vjetër e modern, moren nga ai, jo vetëm formën,
por dhe substancën. Ezopi fabulat nuk i shkroi, ata u trashëguan gojë më gojë.
Kështu që shumë fabula mundet që nuk janë të tijat, po u transmetuan nën emrin
e tij. Fedri vuri në varg disa nga fabulat e Ezopit në gjuhën latine.
Ezopi tha:
- Kush lavdërohet
pa patur meritë, mund të mashtrojë atë që nuk e njeh, por bëhet qesharak në
sytë e atyre që e njohin mirë.
- Ti do ta pësosh
si ai gomari, i cili pasi pëlliti, doli nga pylli dhe u tha kafshëve me
krenari:
- A e kuptuat sa
trim jam unë ?
Një luan që e
dëgjoi, ia priti:
- Edhe unë ia
mbatha këmbëve nga zëri yt…
Ezopi punonte si
skllav tek tregtari athinas Dinarku, dikush e pyeti:
- Besoj se Dinarku
të trajton mirë.
Në vend të
përgjigjes Ezopi tregoi këtë fabul.
Një arrë e mbjellë
në rrugë ishte mbushur plot me kokrra. Udhëtarët e qëllonin me gurë. Një ditë
arra u mërzit tha tha:
- E mjera unë ! I
kënaq njerëzit me kokrra të shijshme dhe ata si shpërblim më qëllojnë me gurë.
***
Ezopit, grekët i
ngritën një përmendore edhe pse ai qe rob.
-Rruga e nderit dhe
e suksesit është e hapur për të gjithë.
***
Ezopit nuk i
pëlqente të marrë pjesë në ceremonitë fetare pagane që bëheshin ndër ditë të
caktuara. Një ditë të tillë, kur Ezopi po shkonte të plotësojë një porosi të
padronit, takoi kryepriftin, i cili e pyeti plot inat.
- Ku po shkon, në
faltore?
- Nuk e di - u
përgjigj Ezopi.
- Duke e pandeh
fyese dhe të dyshimtë përgjigjen, kryeprifti urdhëroi ta çonin në burg.
- Gjyqtarit, që e
mori në pyetje, Ezopi iu përgjigj:
- Unë thashë të
vërtetën dhe prandaj më burgosën. Thoni edhe ju vetë, mos vallë unë e dija se
po shkoja në burg ?
Gjyqtari qeshi dhe
e liroi...
***
Kur e braktisën
Athinën, Ezopi skllav, kishte ngarkuar në krah një thes bukë, ndërsa skllevërit
e tjerë kishin marrë sende të lehta.
- Këtë radhë nuk u
tregove i mënçur aspak - i tha një nga skllevërit.
Ezopi nuk iu
përgjegj atë ditë. Pas tri ditësh kur thesi u boshatis i tha skllavit:
- A të kujtohet
proverbi:” Kush qesh i fundit, qesh më mirë”.
***
Një aristokrat
athinas kërkonte të shitej si filozof. Një ditë mori pjesë në një darkë që
kishte shtruar një tregtar i madh, Ksanthi.
Ezopi, që punonte
si skllav pranë këtij tregtari, duke dëgjuar sofizmat e pseudofilozofit, iu
tregoi shokëve këtë fabul:
Një qen ndiqte një
lepur. Lepuri duke vrapuar, i tha qenit:
“Mos u mundo kot,
ti s’je zagar, por qen i mjerë!”
11. LAO - TZE
Shek. VI p.Krishtit
Filozof kinez që
shkroi një ndër librat e shenjtë të Kinës së Lashtë.
E pyetën filozofin
kinez:
- Kush është i
fortë ?
- I fortë- tha
Lao-Tze- është kush mund të tjerët, i plotfuqishëm është ai që mund veten…
***
E pyetën prap nëse
është e dobishme të jesh i mirë.
Lao - Tze tha:
- Me të mirët duhet
të jemi të mirë, por edhe me të këqinjtë duhet të jemi prapseprapë të mirë, që
t’i kthejmë të bëhen edhe ata të mirë.
12. CUANG- TZE
Shek. VI p.Krishtit
Filozof kinez,
dishepull i Lau-Tze-së
- Unë nuk dua të më
varrosin - tha Cuang -Tze dishepujve të vet.
- Do të hanë sorrat
trupin - vërejtën dishepujt.
- Në qoftë së nuk
do të më varrosin më hanë sorrat - tha Cuang - Tzeu - po të më varrosin më hanë
krimbat e milingonat.
-Pse doni të më
shpëtoni nga sorrat, kur do të më hanë krimbat e milingonat?
***
Filozofi kinez po
peshkonte në breg të një lumi, kur oborrtarët e mbretit Ç’U erdhën ta
lajmërojnë se mbreti e donte që ai të bënte pjesë në administratën e shtetit.
- Unë e di - tha
Cuang-Tze- se në shtetin tuaj një breshkë e shenjtë, e ngordhur 300 vjet më
parë, mbreti e ruan në një kanistër të mbuluar me stofë. Unë tani iu pyes ju
nëse kjo breshkë pelqën më tepër të ngrehë rrëshqanë bishtin në llucë e gjallë,
apo e ngordhur ta shohë vetën të nderuar ?
- Ne besojmë -
përgjigjën dy oborrtarët - se breshka do të pëlqente më tepër të ngrehë bishtin
në llucë e gjallë.
- E mirë- tha
filozofi- edhe unë dua ta ngre bishtin tim rrëshqanë në llucë…
13. BIANTE
Shek. VII
p.Krishtit
Një ndër 7
dijetarët e Greqisë së vjetër
E pyetën Biantën
cila ishte kafsha më e rrezikshme.
- Tirani i kafshëve
të egra - u përgjigji ai- lajkatari i kafshëve shtëpiake.
- Si duhet të
sillesh me miqtë - e pyetën.
Sikur do të bëhen
armiq nga çasti në cast - u përgjigj Biante.
14. KILONE
Shek. VI p.
Krishtit
Një ndër 7
dijetarët e Greqisë. Mbi tempullin e Delfit bëri që të shkruhet me gërma ari: “
Njih vetveten”. Vdiq nga gëzimi kur përqafoi të birin fitimtar të Lojërave
Olimpike në vitin 597 p. Krishtit.
Filozofi, duke
dëgjuar mikun e tij që ankohej për mjerimet e tij, i tha:
-Shiko të këqijat e
tjerëve dhe tuajat do të dukën të lehta.
Në daç të
ngushëllohesh për fatkeqësitë tuaja, shiko sa më të mëdha i kanë të tjerët.
15. ÇIRI
Shek. VI p.
Krishtit
Krijuesi i
Perandorisë Persiane. Në vitin 559 ia grabiti fronin gjyshit të vet, Asiagut.
Mundi mbretin e Lidies, Krezin, nënshtroi Azinë e Vogël, Sirinë, Arabinë e një
pjesë të Sirisë, pushtoi Babiloninë dhe ia ndrroi shtratin Eufratit. U premtoi
Hebrejve se do t’i kthejë në Jude dhe t’ia rindërtonte tempullin e Jeruzalemit.
Qe mbreti më i madh dhe më i shquar i Orientit të Vjetër. Humbi jetën në një
ekspeditë kundër shiitëve, në vitin 529 p.K.
Çiri i vogël, në
oborrin e Asiagut, gjyshit të vet, dha prova të mëdha maturie, në gjasim të
babait, mbretit të Persisë.
Një mbrëmje, ku
mirrnin pjesë burrat më të rëndësishëm të mbretërisë, gjyshi e caktoi të mbushë
kupat me verë. Kësaj detyrë ai i dha rëndësi të madhe. Dhe, me mësallën në
krah, enën mbretërore që mbante në dorë, ia paraqet Asiagut me një elegancë të
tillë sa të gjithëve u bëri përshtypje.
- Biri im - i tha
gjyshi duke e puthur - jam kënaqur nga shërbimi yt i mirë, por ke harruar një
ceremoni të rëndësishme, dmth, atë që ta provosh verën përpara se t’ia shpiesh
të tjerëve.
- Nuk kam harruar-
tha Çiri i vogël - po kam pasë frikë se kjo pije është helm, sepse në një
gostijë tjetër, si u pi kjo pije e kuqe, të gjithëve iu morën mendtë: Njëri
rrotullohej, tjetri këndonte, të gjithë flisnin mbarë e mbrapshtë dhe harronin
se ju jeni mbreti dhe se ata ishin nënshtetasit tuaj, dhe në fund ju deshët të
kërceni, por nuk iu mbajtën këmbët.
- Si ? – tha
Asiagu- Nuk e ke parë kurrë kështu babain tënd ?
- Kurrë- iu
përgjigj djali- sepse kur ai pi njëherë, nuk ka më etje dhe nuk i ndodh asgjë
tjetër.
16. PITAGORA
569-470 p.Krishtit
Filozof dhe
matematikan grek, themelues i shkollës italike në Kartone. I besonte
metamorfozës dhe kuptoi sistemin astronomik që më vonë e zbuloi Koperniku.
Pitagora zbuloi katrorin e hipotenuzës.
E pyetën Pitagorën
sepse gratë ishin të ligshta.
Ai tha:
- Gratë janë të
ligshta sepse janë të mbajtura vetëm nga zemra. *** Një ditë një mik e pyeti
Pitagorën:
- Çfarë mbani si më
karakteristike nga shkolla që drejtoni ?
Pas çdo leksioni,
unë i porosis nxënësit që, para se të flenë, të mos harrojnë t’i bëjnë vetes
pyetjen: “Ç’bëra sot dhe ç’lashë pa bërë ?
17. SIMONIDI
556-467 p. Krishtit
Filozof dhe poet
lirik grek, ndër dijetarët më të mëdhenj të lashtësisë.
Simonidi, si u
pushtua vendi i tij nga armiku, u shit si skllav me të gjithë bashkëatdhetarët
e tij dhe u dërgua në vende të huaja.
Ndërsa shokët e tij
të fatkeqësisë po qanin, ai qëndronte i qetë kundra fatit të keq, që e zhveshi
nga pasuria dhe nga liria. Një ndër skllavëruesit duke e parë ashtu të
pamposhtur, desh të dijë shkakun.
- Skllavëria më
hoqi vërtetë pasuritë e mia tokësore, por nuk mund të më heqë pasurinë më të
madhe, diturinë time që më ndjek kudo që të shkoj dhe të më çojnë, dhe askush
nuk mund të ma grabisë… &am p;am p;nb sp;
18. KONFUCI
551-479 p. Krishtit
Filozof i madh dhe
ligjdhënës kinez. Themeloi besimin e vjetër të shtetit Kinez, Konfucizmin. Ky
besim u mbështet i gjithi në moralin. Shquhet urdhëresa: “Mos ia bëj tjetrit
çka nuk don që të bëhet ty”.
Si e pyetën
Konfucin mbi shkencën, ai u përgjigj:
- Rreth asaj që
dihet, kuptohet që dihet, rreth asaj që nuk dihet që të njihet plotësisht, ja
shkenca…
***
I pyetur mbi
zakonet shoqërore, Konfuci tha:
Ndërsa varfëria dhe
gjendja e ulët janë turp për një shtet të rregullt, pasuria e gjëndja e lartë
janë turp për një shtet jo të rregullt.
***
- E beson ti se
dituria është e nevojshme e pyetën Konfucin. Dhe ai:
- Të mësosh pa
menduar është e kotë, por është e rrezikshme të mendosh pa pasë mësuar.
***
- Më fol për
vdekjen - i tha një mik Konfucit.
- Kur nuk e njeh as
jetën - vërejti Konfuci - si don të kuptosh vdekjen ?
***
Ndërsa Konfuci
ndodhej në oborrin mbretëror, stalla e tij u dogj. Nuk desh të dijë për kuajt,
por menjëherë pyeti:
- Mos ka ndonjë të
plagosur ?
***
Njëherë e pyetën
Konfucin si e dinte ai me aq siguri, që një vend është i qeverisur keq.
- Një vend që prodhon
muzikë të keqe-u përgjigj - nuk mund të jetë veçse i qeverisur keq.
***
Njëri kishte
ndërruar opinionin politik. Si e mori vesh Konfuci, tha:
- Vetëm më të
zgjuarit e më budallenjtë nuk ndërrojnë kurrë.
Asnjë nuk e kuptoi
nëse atë njeri ai e kualifikoi ndër të parët apo ndër të dytët…
***
Një ditë i thanë
Konfucit:
- Filani ka gabuar.
Konfuci ia ktheu:
-Të gabosh do të
thotë : Të gabosh e të mos të qortojnë…
19.THEMISTOKLIU
525-461p.Krishtit
Gjeneral grek,
udhëheqës ushtarak i famshëm
Themistokliu porsa
fillonte beteja u thoshte ushtarëve:
- Sapo të nisë
sulmi, më ndiqni nga pas, nëse tërhiqem më vritni, nëse vritem, ma mirrni
hakun.
***
Kserksi në krye të
një ushtrie të madhe marrshonte me shpejtësi të madhe drejt Greqisë me qëllim
që të pushtojë Athinën dhe Spartën.
Grekët po
diskutonin për të gjetur mënyrën si ta përballonin armikun dhe ta largojnë nga
toka e tyre.
Euribiadi, kapiteni
i Spartanëve, dha mendimin e vet, por Themistokliu, kapiteni i Athinasve
kundërshtoi.
Euribiadi i fyer, u
hidhërua keqas dhe çoi shkopin t’i binte Themistokliut. Ky nuk u trondit fare,
por u largua paksa.
- Më bjer, por më
dëgjo !- tha.
Këto fjalë të
matura e qetësuan Euribiadin, i cili më në fund u bashkua me mendimin e këtij
njeriu të madh, aq praktik i luftës.
Dhe atdheu u
shpëtua.
***
Një këngëtar e luti
t’i bënte një punë jo të drejtë.
Themistokliu iu
përgjigj:
- Miku im, sikur
unë të lutesha të këndosh para publikut duke stonuar, a do ta pranoje ? .
***
Një baba, që donte
të martonte vajzën, i kërkoi një këshillë.
- Ma kërkojnë dy
veta - i tha - unë nuk di se cilin të zgjedh. I pari është i pasur, por
budalla. I dyti është i zgjuar, por fukara.
Themistokliu i tha:
- Unë parapëlqej
një njeri pa pasuri, sesa një pasuri pa njeri…
***
Pas një beteje dikush
e lajmëroi se kufomat e kundërshtarëve kishin unaza prej floriri.
Ai tha:
- Shko e mblidhi
ti, që nuk je Themistokliu…
20. ESKILI
525-456 p.Krishtit
Më i vjetri ndër 3
poetët e tragjedisë greke. Kanë mbetur vetëm 7 tragjeditë e tij. Pjesa më e
madhe e tragjedive janë të shkruara mbi bazën e gojëdhënave e të mitologjisë
greke. Lindi në Elevzin, pranë Athinës me origjinë aristokrate. Veprat e tija:
“Lutëset”, vepër e parë, “Persianët”, “Prometeu i lidhur”, “Joja”, Ermesi”,
“Oqeani”, “Pushteti”, Efesti”, “Orestia”, kjo tragjedi e fundit është më e
pjekura, dhe trilogji: “Agamemnoni”, “Koeforët”, “Eumenidet”.Prej veprave të
tij janë frymëzuar Kalderoni, Miltoni, Gëteja, Shileri, Sheli, Bajroni, etj.
Eskili u çmua shumë në kohën e tij.
Eskili punonte edhe
kur ishte njëqindvjeçar. Një mik i tha:
- Habitem si mund
të gjesh forca që të shkruash edhe në këtë moshë.
Eskili iu përgjigj:
- Koha është
gjithmonë e përshtatshme për të mësuar. Të dish si të plakesh është një ndër
kapitujt më të vështirë në artin e të jetuarit.
21.DARI
521- 485 p.Krishtit
Mbret i Persisë,
bir i Istapsit. Rrethoi Babiloninë dhe mbas një qëndrimi të fortë e pushtoi.
Riorganizoi perandorinë, zaptoi Indinë, dhe si dëboi shiitët, u shty deri në
Trakë e Maqedoni, por u thye keqas nga grekët në Maratonë, ku thohet se
persianët lanë dy mijë të vdekur në fushën e betejës.
***
Dari, i dërgoi një
ftesë mjekut të famshëm Hipokratit për ta ndihmuar që t’i kishte sa më të
shëndoshë ushtarët persianë, duke i premtuar pasuri të pakufishme e lavdi.
Hipokrati iu
përgjigj:
- Më parë se të jem
mjek, jam grek, dhe si i tillë, nuk do të pranoj kurrë lavdi e pasuri që t’i
ndihmoj persët për të vrarë grekët.
***
Dari i dërgoi një
dhuratë Epaminondës, gjeneralit të Tebes.
Gjenerali ia ktheu
dhuratën me këtë shënim:
- Në rast se do të
bëhesh mik i tebanëve, nuk ke nevojë të blesh miqësinë time, por nëse do të
mbetesh armiku i ynë, nuk ka thesar në botë që të më bënte për vete…
***
E pyetën Darin nëse
ishte penduar për ndonjë gjë.
- Po - tha - për të
gjithë ato fjalë që kam thënë, kur nuk duheshin thënë.
***
Dari, një ditë, i
pushtuar nga kureshtja, desh të shohë gruan që dashuronte marrëzisht një
oborrtar i tij. Gruaja iu paraqit, ajo ishte e shëmtuar. Si e kuptoi oborrtari
përshtypjen e keqe që i bëri mbretit, i tha:
- Vetëm nga fakti
se gruaja që dua t’u duk e shëmtuar, që mua më duket e mirë, mund të matësh
dashurinë që unë kam për të…
22.LEONIDHA
510-480 p.Krishtit
Mbret i Spartës.
Heroi i Termopileve. Luftoi kundër persianëve me 300 spartanë. Ra ndër të parët
në vitin 480 p.Krishtit.
Një nënë spartane e
pyeti Leonidhën, që sapo ishte kthyer nga fusha e betejës.
- Më trego, si
luftoi im bir ?
- Sparta nuk ka
tjetër trim si ai - iu përgjigj Leonidha.
- Jo mos e thuaj
këtë - ia priti spartanja - Ai është trim sepse luftoi mes trimave.
***
Filozofi i Greqisë
së lashtë Anaksagora, gjatë një vizite në Spartë, i tha Leonidhës:
- Ti je një ndër
udhëheqësit më të përmendur të Greqisë.
- Jam i tillë - ia
priti Leonidha - sepse kam edhe ushtarë të tillë.
***
I thanë Leonidhës
në Termopile, se persët janë aq shumë sa me shigjetat e tyre do të errësojnë
diellin.
- Aq më mire - iu
përgjigj ai - do të luftojmë në hije.
***
Para betejës së
Termopileve, Leonidha, duke parë disa ushtarë që u luteshin perëndive, u tha:
-Fitoren nuk do të
na e sjellin perënditë, por shpatat dhe trimëria jonë.
***
- Ku e kanë burimin
fitoret e vazhdueshme mbi armiqët - e pyeti një gjeneral athinas Leonidhën.
- Në thjeshtësinë,
sepse ne spartanët nuk lejojmë që në ushtrinë tonë njeri të vjedhë lavdinë e
tjetrit - iu përgjigj komandanti spartan.
***
Një ndër
komandantët e Lidhjes Greke i tha Leonidhës para betejës së Termopileve:
- Thonë se Persët
do të na sulmojnë me 20 mijë ushtarë, jam i mendimit të tërhiqemi.
Komandanti spartan
ia priti:
- Jam këtu për t’i
përballuar dhe jo për t’i numëruar armiqtë.
***
Pas betejës së
Termopileve, Ksersi, duke kaluar mbi kufomat e 300 spartanëve, i afrohet
Leonidhës së plagosur dhe i thotë:
- Më në fund i
humbe të gjitha !
- Me përjashtim të
nderit tonë dhe lavdisë së atdheut ! - iu përgjigj Leonidha duke vdekur.
***
- Ju po niseni në
fushën e luftës. Ju këshilloj të ruheni nga rreziqet me të cilat mund të
ndesheni!- i tha një herë e shoqja Leonidhës.
- Mos u shqetësoni
aspak - ia ktheu i shoqi - Nga lufta që imponohet nuk do të vijë asgjë e keqe,
ne ose do të fitojmë, ose do të vdesim.
***
- Mendoj se jeni
shumë i ri për të komanduar një ushtri - i tha një gjeneral athinas Leonidhës
së Spartës.
- E pranova këtë
detyrë- iu përgjigj Leonidha - duke menduar se nga lufta do të kthehem më i
pjekur.
***
Një ditë,
komandanti Epaminonda nga Teba, pyeti Leonidhën:
- Përse ju
spartanët e ndjeni veten kaq të sigurtë në qytetin tuaj ?
- Sepse Sparta - iu
përgjigj Leonidha, mbahet nga burrat e jo nga tullat…
23. PERIKLIU
499-429 p.Krishtit
Kapiten i madh,
burrë shteti i shquar, për një kohë qe kryetar qeverie në Republikën e Athinës.
Meritoi titullin “Olimpik” për gojtari burrërore. Në administratën e tij,
piktura, skulptura e arkitektura qenë në garë për të zbukuruar Athinën.
Monumentet më të mëdhenj janë të shekullit të tij, i cili u quajt “Shekulli i
Perikliut”
Tuçiditi i Madh,
një ndër historianët më të mëdhenj të Greqisë, që jetoi në shekullin V, në
politikë ishte kundërshtar i Perikliut.
Një ditë e pyetën:
- A din ta çmosh ti
forcën e Perikliut ?
- Po- tha Tuçiditi
- Prandaj unë ju them se ai është aq i fortë dhe i zoti, sa di të them se, në
rast se unë e munda, ka qënë ai që më mundi mua, dhe këtë e bëri përpara atyre
njerëzve që panë përleshjen.
***
Ndërsa ishte duke
vdekur, e pyetën Perikliun pse ishte aq krenar në jetën e tij.
- Se për shkak
timin asnjë në Athinë nuk ka mbajtur zi.
E kur burri i madh
i shtetit vdiq, e gjithë Athina mbajti zi.
24. PROTAGORA
490-420 p.Krishtit.
Sofist grek,
dishepull i Demokritit. E paditën për sjellje të mbrapshta dhe e qitën jashtë
Athinës. U mbyt në një stuhi në det. Asgjë s’ka mbetë e shkruar prej tij.
Njërit, që e pyeti
përse nuk lejoi që e bija të marrë për burrë armikun më të madh të babait,
Protagora u përgjigj:
- Për hakmarrje !
25. EURIPIDI
80-407 p.Krishtit
Poet tragjik i madh
grek, shumë pjellor. Lindi ditën kur grekët munden persianët në grykën e
Euripidit, nga ku mori emrin. Ishte rival e armik i Sofokliut. Fliste keq për
gratë, por u martua dy herë dhe lëshoi gratë e veta. Sokrati shkonte në teatër
vetëm për të dëgjuar tragjeditë e nxënësit tij të madh. Euripidi duke parë se
athinasit nuk e honepsnin si duhej, shkoi në oborrin e Arkelaut, mbretit të
Maqedonisë, nga i cili pati nderime të mëdha. Nga 75 tragjeditë e tij, na kanë
mbetur vetëm 17: Elqesta, Ipolito, Hekuba, Heraklidet, Herakli, Andromaka,
Lutësit, Joni, Trojanët, Efgjenia në Tauridë, Elektra, Helena, Feniqet, Oreste,
Efigjenia në Aulide, Bakanët, Qiklopët.
- Çfarë mëndimi
keni për fatin - e pyeti një tregtar athinas Euripidin ?
- Për mendimin tim
fati ndihmon në të vërtetë, por vetëm ata njerëz që gjithë jetën punojnë dhe që
udhëhiqen nga një gjykim i shëndoshë !
***
- Nuk ka sëmundje
më të pashërueshme se ajo e gruas - thonte Euripidi.
- Si është e mundur
- pyetnin dëgjuesit.
- E po. Janë gjetur
ilaçet kundër kafshimeve të gjarpinjëve të helmosur e të shtasëve të tjera të
egra, por kundra gruas nuk u gjet asnjë shërim.
***
- Të këqiat vijnë
të gjitha nga gruaja - pohonte gjithnjë Euripidi.
- Si i bëhet halli
për të shpëtuar nga kjo e keqe - pyeti njeri.
- Po t’ishte e
mundur që njerëzimi të prodhohej me anë të një mjeti tjetër, dhe jo nga barku
femëror, njerëzimi do të ishte i shpëtuar nga çdo e keqe.
***
- Ti i urren shumë
gratë - i thanë një ditë.
- Gratë - Zemra ime
nuk ngopet kurrë duke i urryer- u përgjigj Euripidi.
***
E shoqja e Sokratit
shkoi e mbytur në lot për t’i bërë të ditur të shoqit të burgosur se gjyqtarët
e kishin dënuar me vdekje.
- Të kanë dënuar
fare pa të drejtë - thirri ajo gjithë dëshprim.
Sokrati, me qetësinë
më të madhe, por edhe me krenari iu përgjigj:
-Mos vallë do të
deshe që të më dënonin me të drejtë ?…
***
Para se të vdiste,
Sokrati i tha një nxënësi:
- Mos harro se jeta
është e shkurtër, por e vërteta është e përjetshme. Mund të krenohet se nuk jetoi
kot, vetëm ai njeri që flet gjithnjë në gjuhën e së vërtetës.
***
Pas dënimit me
vdekje, gjyqtarët kërkuan nga Sokrati që ky të thotë fjalën e fundit.
- Nuk mund të
kërkoj aspak mëshirë, nga ata që kanë më shumë frikë se unë, u përgjigj
filozofi plak.
***
Një tregtar athinas
i dërgoi Sokratit një dhuratë të vogël, por me vlerë të madhe.
Filozofi ia ktheu,
duke i thënë prurësit:
- Kjo dhuratë është
një lajkë.. Si dhuratat ashtu dhe lajkat, për mua, nuk kanë asnjë vlerë…
***
E pyetën Sokratin
se cilin mund ta quajmë njeri të paditur.
- Njeriu më i
paditur,- tha filozofi - është ai që thotë se i di të gjitha.
***
Kriti, një nxënës i
Sokratit një ditë e pyeti filozofin:
- Ç’gjë është më e
vështirë në jetën e njeriut ?
- Të pranojë të
metat e tij - ia ktheu filozofi.
- Po më e lehta ?
- Të japë këshilla…
***
Një ditë një nxënës
e pyeti Sokratin:
- Cilin keni pasur
mjeshtër ?
- Përvojën e jetës
- ia priti filozofi.
***
Duke kaluar bashkë
me nxënësit para një dyqani, ku punoheshin kurora për fituesit e olimpiadave
dhe për heronjtë e luftës, Sokrati tha:
- Është më e lehtë
të thurësh një kurorë, se sa të gjesh një kokë për ta vënë atë…
***
Një nxënës i tha
filozofit:
- Ç’këshillë më
jepni që ta kem parasysh gjithmonë ?
Sokrati iu përgjigj:
- Përpiqu të mos
përdorësh dy fjalë, kur mjafton vetëm një…
26. DEMOKRITI
470-361 p.Krishti
Filozof i Miletos,
ndër më të mëdhenjtë e lashtësisë. Shpenzoi tërë pasurinë ndër udhëtime për të
mësuar. Me sy indiferent, shikonte ngjarjet më të rëndësishme. Ndër rreziqe
qeshej gjithmonë për të gjithë. I ngritën një statujë, por bashkëqytetarët
dyshuan mos është i çmendur dhe e dërguan tek Hipokrati. Mjeku i famshëm mbas
një bisede të gjatë e deklaroi shumë të dijshëm. Ndoqi filozofinë atomike,
imagjinoi i pari shumësinë e botëve dhe zbuloi se Kashta e Kumtrit është e
përbërë nga yje të panumërt. Paralajmëroi ekzistencen e spermatozoideve.
Njeri i pyeti
Demokritin për të vërtetën.
Ai u përgjigj:
- Në qoftë se e
vërteta ekziston, ne nuk mund ta njohim.
***
- Pasuria - thoshte
Demokriti - është një shkencë.
E mbasi nxënësit e
tij tregoheshin të çuditur, ai shpjegoi:
- Po. Shkenca thotë
të kënaqesh me atë që ke. Prandaj më i pasuri i botës është ai që kënaqet me
atë që ka.
***
Duke kaluar mbi
urë, një athinas po falej, u kërkonte ndihmë perendive. Por, pa dashur,
rrëshqiti në ujë dhe shpëtoi mbasi dinte not.
Demokriti, filozofi
materialist, që ishte duke peshkuar aty pranë, tha:
- Besoj se u binde
se rreziku mund të përballohet edhe pa ndihmën e perendive.
***
Dikush mori
sandalet e Demokritit. Kur ky e zuri, vjedhësi u shfajësua:
- Më fal, nuk e
dija që ishin tuajat.
- Po që nuk ishin
tuajat e dije - i tha dijetari…
***
Demokriti nga fundi
i jetës së tij u verbua. I tha një mikut të tij:
- Nuk jam në
gjëndje të dalloj të bardhën nga e zeza, por dalloj të vërtetën nga gënjeshtra,
të ndershmen nga e pandershmja.Mund të jesh i lumtur edhe pa dalluar ngjyrat,
por kurrë pa njohur jetën !
***
- Çfarë mund të më
thoni për Ferrin ?- e pyeti një aristokrat athinas Demokritin, që ishte një
filozof materialist.
- Pritni deri sa të
shkoj aty - iu përgjigj me ironi filozofi. Mbasi ta shikoj atë dhe të kthehem,
mund të jem në gjëndje t’jua përshkruaj.
***
Një pasanik i tha
Demokritit
-Kam bindjen se
truri ynë drejtohet nga perenditë.
-Në rast se arsyeja
dhe besimi - ia priti Demokriti - janë dhuratë e perendive, atëherë ta dish se
këto dy “dhurata” kundërshtojnë njera-tjetrën.
27. SOKRATI
470-401 p.Krishtin
Princ i filozofëve
të Athinës. Bir i skulptorit Sofnirmit. I mësuar për të fuqizuar trupin duke
ecur mbi dëborë zbathur, luftoi veset dhe paragjykimet e kohës së vet, sidomos
tepritë e demokracisë. Doktrina e tij ishte e thellë, e lartë e mprehtë nga ana
e moralit. Ishte i varfër dhe këtë varfëri e lavdëronte, me të cilën ishte i kënaqur.
Jepte leksione për të gjithë pa shpërblim. Platon, Senofonti, Alcibiadi qenë
nxënësit e tij. U martua me Santipen, gruan me karakter të fuqishëm. I akuzuar
nga Meliti për ateizëm dhe për korruptimin e rinisë, sepse tallej me zotat dhe
njihte një krijues të vetëm suprem, u dënua të pijë helm (çikutën) të cilin e
piu pa farë ngurrimi. Meliti u dënua me vdekje, ndërsa Sokratit athinasit i
lartësuan një statujë e tempuj, në nderim të filozofit.
Sokrati fitoi nam
të madh dhe u çmua si njeriu më i urti i njerëzve. Ky njeri i madh desh, të
ndërtojë një shtëpi shumë të vogël në Athinë.
Dikush u çudit e
tha:
- Shtëpia që po
ndërton është shumë e vogël. Një njeri kaq në zë e me merita kaq të mëdha, ka
nevojë për një pallat, bile shumë të madh.
- E di, shtëpia ime
është e vogël, - tha Sokrati- Po sa i lumtur do të isha sikur këtë shtëpi të
vogël ta mbush me miq të vërtetë…
***
Kur Sokrati ndodhej
pranë oborrit të tiranit Jerome, ky i fundit i tha:
- Të jap një ditë
afat që të më sqarosh ç’është Perendia !
Kaluan tetë ditë
dhe Sokrati nuk po i përgjigjej.
- Përse e zgjatë
kaq shumë një përgjigje me dy fjalë - e pyeti tirani.
Dhe Sokrati ia
priti:
- Sepse sa më shumë
mendoj për perëndinë, aq më e vështirë më duket.
***
E pyetën filozofin:
- Cilat janë gjërat
më të lehta e më të rënda ?
- Gjëja më e lehtë
- u përgjegj Sokrati- është të japësh këshilla. Gjëja më e vështirë është t’i
zbatosh…
***
Njeri nga nxënësit
e pyeti një ditë Sokratin:
- Si shpjegohet që
shumë aristokratë flasin keq për Aristofanin pa e njohur mirë ?
Sokrati u përgjigj:
- Aristokratët e
njohin Aristofanin, por nuk njohin të mirën, virtytin dhe të vërtetën, që
predikon ai.
***
Dikush i tha
Sokratit:
- Katër athinas
flasin keq për ty.
- Të shkretët ata!
- u përgjigj filozofi - Nuk vuajnë vetëm nga dobësitë e tyre, por edhe nga të
mirat që kam unë !
***
Një ditë një nxënës
i tha Sokratit:
- Duke i dhënë fund
shkollës suaj, unë e ndiej veten të përgatitur për gjithçka në jetë.
- Kurse unë, sapo
kam filluar të mësoj në jetë - foli filozofi…
***
Një nga nxënësit e
Sokratit tip dorëlëshuar, e pyeti filozofin:
- A mund të më
tregosh ndonjë mënyrë për të kursyer të hollat ?
Dhe Sokrati i tha:
- Të këshilloj që
kur del nga shtëpia të mos marrësh më shumë të holla nga sa të duhen dhe të
shpenzosh më pak nga sa të nevojiten…
***
Sokrati i thoshte
kështu një njeriu që aprovonte me hipokrizi gjithnjë mendimet e tij:
- Më kundërshto
njëherë të shkretën, që të kem përshtypjen se jemi dy vetë…
***
Duke ecur rrugës,
filozofi pa një djalosh që po hidhte gurë lart e poshtë. Iu afrua dhe i tha:
- Kij mendjen se,
pa dashur, mund të goditësh dhe prindërit e tu.
***
Sokrati nuk donte
që nxënësit e tij të loznin me zare. Duke qortuar njërin, ky i kërkoi ndjesë
duke i thënë se rrezikonte një shumë fare të vogël të hollash.
- Mirë, mirë, - ai
priti Sokrati - por mos harro se humbet shumë kohë…
***
Sokrati shpesh herë
shahej nga njerëz madhështorë dhe injorantë, të cilët ai i kishte qortuar për
gabimet e tyre.
- Një ditë po
kalonte rrugës me disa miq. Një i ri i afrohet dhe i bie shqelm. Të pranishmit
u çuditën se si Sokrati duroi një dhunë të tillë.
- Ç’duhet të bëja -
u tha atyre.
- Ta paditësh në
gjyq - thanë të gjithë.
- Si ? - vijoi
filozofi - në se një gomar më bie shqelm, ju më këshilloni që ta padis te
gjykatësi ?
***
Duke biseduar me
nxënësit e tij për arsyen, Sokrati tha:
- Me sa po duket
arsyeja qenka shpërndarë në mënyrë të barabartë tek të gjithë njerëzit.
- Nga e nxjerr këtë
përfundim - pyeti një nxënës.
Sokrati iu
përgjigj:
- Sepse deri sot
nuk kam dëgjuar që ndokush të ankohet për mungesën e saj…
***
Një mik e pyeti
Sokratin se ç’mendonte për një llafazan i cili kishte folur gjysëm ore rresht.
- Duke përjashtuar
thashethemet - ia priti Sokrati - ai nuk tha asgjë…
***
Alqibiadi krenohej
për pasurinë e tij e tokat e shumta. Sokrati, miku i tij i urtë dhe i matur, e
çoi një ditë te harta gjeografike dhe i tha ta kërkojë se ku gjindet Atika.
Alqibiadi i tregoi një pikë që mezi shihej. Atëherë Sokrati:
- E tokët tuaja në
cilën pjesë të Atikës janë të vendosura ?- e pyeti.
- Janë tepër të
vogla për t’u shënuar në hartë - u përgjigj Alqibiadi.
- E shikon -
përfundoi Sokrati - se ajo, për të cilin ti lavdërohesh aq shumë, nuk është
tjetër, veçse një pikë e dukshme mbi tokë.
***
Kur e dënuan
Sokratin për vdekje, një nxënës i tij shkoi në burg dhe e pyeti:
- A ke frikë nga
vdekja ?
- Përse të kem frikë?
- iu përgjigj Sokrati - Unë nuk do të takohem me të. Tani që jam unë nuk është
ajo, dhe pak më vonë, kur ajo të jetë këtu, nuk do të jem unë…
***
Kur Sokrati u
paraqit para gjyqit, i thanë:
- Ti për të
vërtetuar pafajsinë tënde, duhet të paraqitësh dëshmitarë.
Filozofi 82 vjeçar
u përgjigj:
- Varfëria dhe
ndershmëria janë të vetmit dëshmitarë që do të flasin deri në fund në favorin
tim…
***
Kur filloi gjyqi,
njëri nga gjykatësit i tha Sokratit:
- Ki mëndjen, duhet
t’i peshosh mirë fjalët që do të thuash këtu.
Sokrati ai priti me
ironi:
- Do t’i peshoj
nëse më jepni peshoren tuaj të drejtësisë… por siç duket ju mungon…
***
Në qelinë ku
Sokrati priste vdekjen, një nxënës i tha:
- A mund të më
thoni diçka për vdekjen ?
- Që të dish të
vdesësh - ia priti filozofi - më parë duhet të dish të jetosh…
***
Sokratit i kërkuan
të paguante para për helmin që do të pinte. Filozofi kërkoi hua duke thënë:
- Të lutem, ma jep
këtë borxh pasi në Athinë duhet të paguash jo vetëm për të jetuar, por edhe për
të vdekur.
28. HIPOKRATI
468-372 p.Krishtit
Njihet si mjeku i
madh i lashtësisë, i lindur në Athinë. Krijoi doktrinën e krizave dhe
diektikën. Nga ai arritën deri tek ne shumë vepra: Aforizmat, Pornjostikat,
Traktati i erërave etj.
Një i njohur i tha
Hipokratit:
- Si lum ju mjekët.
Duke njohur sëmundjen që ju kërcënon, merrni masat menjëherë.
- Ne mjekët - ia
priti Hipokrati - u ngjajmë rojeve të natës. I njohim mirë rrugët e rrugicat që
ruajmë, por nuk dimë çfarë ndodh prapa mureve…
***
Një athinas shkoi
për t’u vizituar tek Hipokrati dhe i tha:
- Ndjej lodhje dhe
mungesë oreksi. Çfarë më këshillon të bëj ?
- Në rast se
dëshiron të kesh oreks dhe të jesh i fuqishëm - i tha Hipokrati - vrapo. Nëse
dëshiron të kesh mendje të freskët, mos e lë trupin të plogështohet. Në rast se
nuk merresh me asnjë nga këto, do të duhet të vraposh kur të sëmuresh….
***
Një mjek i ri e
pyeti Hipokratin:
- Ç’parim duhet të
frymëzojë mjekun në ushtrimin e profesionit ?
Hipokrati iu
përgjigj:
- Të ushtrojë
profesionin me urti, thjeshtësi e pastërti. Kur të hyjë në shtëpinë e sëmurit,
të thellohet në dhënien e diagnozës dhe të mos pranojë asnjë ryshfet.
***
Hipokrati, kur po
ndodhej në shtratin e vdekjes, u tha atyre që e rrethonin:
- Po vdes i qetë
pasi lashë tre mjekë të zotë.
Të pranishmit, të
habitur, e pyetën:
- Qysh nuk i dimë
edhe ne ? Cilët janë këta ?
Dhe Hipokrati
vazhdoi:
- Uji, dielli dhe
ajri.
***
Një pasanik
athinas, dembel i madh, iu ankua një ditë Hipokratit:
- Nuk më hahet
asgjë. Çfarë salcash dhe erëzash të përdor për të hapur oreksin ?
- Salcat dhe erëzat
më të mira - ia ktheu mjeku - do t’i gjesh pas punës…
29. ALÇIBIADI
452-404 p.Krishtit
Nxënës i Sokratit,
por nuk ndoqi mësimet e tij. Ambicioz, ekstravagant, guximtar dhe i pasur,
arriti të bëhej gjeneral athinas. Inteligjent e gojtar, ushtroi në Athinë
influencë të madhe e të rrezikshme. E futi Athinën në luftë me Siçilinë, që
provokoi luftën vdekjeprurëse peleponeze. I paditur për sakrilegj, iku në Tebe,
në Beozi. Athinasit e thirrën prapë, dhe kur u kthye e mbushën me nderime. Më
vonë ai u mund nga Lacedemonët, Antiuku i tij, e shkarkoi nga fuqia. U largua
nga Athina dhe shkoi te Farnabasi, i cili e mbyti me dorë të Lisandrit.
Në Athinë disa
thashethemexhinj e zinin shpesh herë në gojë Alqibiadin, heroin e betejës së
Maratonës.
Një ditë Alqibiadi
del në rrugë me një qen, të cilit i kishte prerë bishtin dhe njërin vesh.
- Përse e sakatove qenin
? E gjithë Athina flet për këtë ngjarje - erdhën dhe i thanë. Këtë dëshiroja -
ia priti Alçibiadi - që thashethemexhinjtë të merren me qenin tim dhe të më
lenë rehat; duke mos më zënë në gojë.
30. ANTISTENI
444-365 p.Krishtit
Filozof i Athinës,
dishepull i Sokratit e Diogjenit, themelues i Shkollës Cinike
E pyetën një herë
Antistenin:
- Në çka përmbahet
lumturia e vërtetë.
- Lumturia e
vërtetë përmbahet në përbuzjen e pasurisë, qejfeve dhe sqimës. Këtë mendim,
Antisteni e mësonte edhe në shkollën e tij.
31. ISOKRATI
436-338 p. Krishtit
Gojtar i shquar dhe
rektor athinas, hapi një shkollë gojtarie në Athinë. I penduar se kishte
ndihmuar Filipin e Maqedonisë që të pushtojë Greqinë, e la vetën të vdesë urie
duke qenë 98 vjeç.
Një athinas e pyeti
oratorin:
- Në Athinë ti je
mbreti i fjalës. Ku qëndron sekreti i këtij vlerësimi ?
- Unë flas vetëm
atëherë kur kam diçka për të thënë - u përgjigj Isokrati.
***
Një ditë, një
nxënës e pyeti Isokratin: Ku qëndron sekreti i të folurit ?
- Shumë thjesht: Në
çdo rast, që ndjeni se flisni pa vend, heshtni me mënd - ia priti oratori.
***
Isokrati i tha një
nxënësit:
- Në rast se ti do
të vazhdosh shkollën time, duhet të paguash dyfish.
- Pse - pyeti
nxënësi i habitur.
- Sepse - vazhdoi
Isokrati - duhet të të mësoj të flasësh dhe të heshtësh.
***
Isokrati ishte
ftuar për drekë nga mbreti i Qipros, por nuk po merrte pjesë në bisedë me të
ftuarit e tjerë të aristokracisë së vendit. Duke iu drejtuar filozofit, mbreti
i tha:
- Dëshirojmë të
dëgjojmë zërin tënd.
- Ato që di unë -
ia priti Isokrati - nuk janë për këtu, kurse ato që thuhen këtu, unë nuk i di.
***
E pyetën Isokratin:
- Çfarë të kënaq më
shumë në jetë ?
- Ajo që fitohet me
mund dhe me djersë - u përgjigj filozofi.
32. PLATONI
429-347 p.Krishtit
Më i madhi filozof
grek i lashtësisë. Dishepulli i Sokratit, shpalli Doktrinën e Dialogëve. U dha
mbas koleksionit të orendive të vjetra.
Platoni nuk donte
që nxënësit e tij të luanin me zare.
- Duke luajtur me
zare përveç parave, shpenzoni shumë kohë, u thoshte atyre.
***
Timoteu, kapiteni
athinas, u ftua për darkë nga Platoni, gjatë së cilës u bisedua gëzueshëm dhe u
trajtuan disa argumenta morali shumë të rëndësishëm.
Timoteut sikur iu
muar mendja, dhe kënaqësia e thellë që ndiente nuk mund të krahasohej me
gëzimet e potershme të aq sofrave të tij me shokët e ushtrisë. Një muzikë e
këndshme plotësonte kremtimin. Shkurt, kapiteni u nda nga kjo darkë plot
kënaqësi, që nuk kishte provuar ndonjëherë.
Mbas një gjumi të
lehtë e të qetë, rrjedhë e një darkës së përkorë, në mëngjes u ngrit nga
shtroja i shkathët dhe i fortë.
- Sofrat tuaja, i
tha Timoteu Platonit kur e takoi, nuk të kënaqin aty për aty, por edhe ditën e
nesërme gjithashtu.
***
Platoni thonte për
vallëzimin:
- Siç prodhon
lëvizjen e të gjithë organeve, vallëzimi ka detyrë t’i japë trupit e organeve
të tija shëndetin, shkathësinë e bukurinë, duke stërvitur në përkulje, hedhje e
në kërcime, sipas një rregulli të lëvizjeve ritmike të shpërndara në një mënyrë
të barabartë ndër arterie.
Fisnik apo vulgar,
i gëzuar apo i trishtuar që të jetë, vallëzimi interpreton gjithmonë fjalët e
muzikën që e shoqërojnë.
33. DIOGJENI
413-323 p.Krishtit
Filozof i shquar
grek i mbiquajtur “ Ciniku”. U shqua për gjeni e trille. Si e përzuri nga
shtëpia i ati, jetoi në Athinë dhe nuk zotëronte asgjë përveç një shkopi e një
kupe. Banonte pranë tempullit të Çibelës në një fuqi të vjetër pa fund, që e
merrte me vete nga do që shkonte. Në vdekjen e tij, qyteti i lindjes, Sinope, i
ndërtoi një statujë. Për të, filozofia përmbahej në kursim, në privacionin
vullnetar, dhe në përbuzjen e çdo nderimi shoqëror.
Diogjeni, që nuk
kish tjetër veçse një fuqi pa fund, shkopin dhe një kupë, kur shikoi një fëmijë
që pinte ujë me dorë të mbledhur, e hodhi kupën e tha:
- Edhe kjo qënka e
tepërt...
***
Në banjot publike
të Athinës, disa qytetarë laheshin në një pishinë me ujë të papastër.
Diogjeni kur i
shikoi tha:
- Ku do të laheni
pas kësaj banjoje që po bëni ?
***
Një mik e pyeti
filozofin:
- Cilin nga
filozofët mund të merrni si shëmbull ?
- Atë që ka
përjetuar diturinë me thjeshtësi e urtësi - iu përgjigj Diogjeni.
***
Në bisedë e sipër,
një mendjelehtë i thotë Diogjenit:
- Unë kam ngrenë
gjithë jetën mish kau, prandaj jam i fortë si një ka.
- Nuk e besoj - ia
ktheu Diogjeni me ironi - sepse dhe unë kam ngrënë gjithë jetën peshk, por
akoma nuk di të notoj.
***
- Ç’duhet mbajtur
mend dhe ç’duhet harruar? - pyetën Diogjenin
- Në se të kanë
bërë mirë, mbaje mend; nëse ke bërë mirë, harroje - u përgjigj ai…
***
Diogjeni, kur
dëgjoi se Platoni e quante njeriun “kafshë”me dy këmbë e pa pupla”, mori një
gjel, dhe si ia hoqi puplat, ia hodhi në shkollë filozofit të madh, duke i
thënë:
- Ja njeriu yt !
***
E pyetën Diogjenin:
- Pse jeta është
kaq e shkurtër ?
- Që ta jetojmë
vetëm për punë të dobishme - u përgjigj ai…
***
Një ditë Aleksandri
i Maqedonisë i dërgoi Diogjenit disa vezë të mbushura me flori.
Diogjeni ia ktheu
duke i thënë prurësit:
- Thuaja Lekës se e
verdha e vezës më bën keq, më lejohet vetëm e bardha…
***
Dionizi, tirani i
Sirakuzës, gjatë një pritjeje, kur e pa Diogjenin që bisedonte me zjarr me një
nga të ftuarit, për ta vënë në lojë tha:
- Kushedi ç’lëvdatë
më ke bërë mua !
- Po i thurja
lëvdata drejtësisë suaj - ia priti Diogjeni.
- Ç’ të bësh ? Pa
gënjeshtra nuk kalohet, shtoi filozofi…
***
Një herë, duke
shetitur me një mikun e tij, Diogjeni ra në një gropë.
- Më falni - i tha
miku - harrova t’ju lajmëroja se para jush ndodhej një gropë.
- Ju faleminderit,
por siç e shihni këtë e gjeta vetë - ia ktheu Diogjeni.
***
Një ditë Dionizi,
tirani i Sirakuzës, e pyeti Diogjenin:
- Në rast se në
njerën anë të një peshoreje është vendosur paqja dhe në tjetrën anë drejtësia,
ti çfarë do të preferoje ?
- Paqen - i tha
Diogjeni.
- Kurse unë do të
preferoja drejtësinë - e sqaroi tirani.
Dhe Diogjeni ia
priti:
- Çdo njeri kërkon
atë që i mungon…
***
Aristofani e pyeti
Diogjenin:
- Ku dëshiron të
varrosin pas vdekjes ?
- Nuk ka rëndësi
vendi - u përgjigj Diogjeni - Pas vdekjes, “e ardhmja” do të dijë të na gjejë
kudo që të ndodhemi.
***
E pyetën Diogjenin:
- Ç’mendim keni për
oratorin Senokrati ?
Diogjeni shfaqi
këtë mendim
- Ai mendohet shumë
kur hesht, që të dijë ç’të thotë kur flet...
***
Kur ndieu se
hajdutët i kishin hyrë në shtëpi për të vjedhur, Diogjeni u fut në një qyp.
Hajdutët e gjetën aty dhe e pyetën:
- Pse u fshehe këtu
?
Diogjeni shpjegoi:
- Duke e ditur
varfërinë time, më erdhi turp t’u dilja përpara...
***
Gjatë një gostie në
shtëpinë e një skllavopronari athinas, një shërbëtor kishte vjedhur një gotë
ari dhe, si dënim, do të ekzekutohej. Të nesermën, sheshi ishte mbushur plot me
kureshtarë.
- Përse janë
mbledhur tërë këta njerëz ?- pyeti një qytetar.
Dhe Diogjeni e
sqaroi:
- Kusarët e mëdhenj
kanë dënuar me vdekje një kusar të vogël…
***
Diogjeni, pasi
kishte mbledhur një tufë me lakra për drekë, gjatë kthimit për në shtëpi takoi
nxënësin e tij Aristip.
- Mjeshtër - i tha
Aristipi - sikur të dije të bëje lajka, nuk do të haje lakra për drekë.
Diogjeni ia priti:
- Edhe ti, sikur të
kënaqeshe me lakra për drekë, nuk do t’i lajkatoje oborrtarët.
***
Pranë një limani,
doganierët e pyetën Diogjenin:
- Ç’pasuri ke me
vete ?
- Shënoni: Kam
drejtësinë, edukatën, vullnetin dhe guximin - i tha.
- Mos janë
skllevërit e tu ?
- Jo, ia priti
Diogjeni - janë padronët e mi…
***
Një pasanik
mëndjemadh dhe injorant, vishte çdo ditë rroba të reja e të kushtueshme.
Diogjeni tha për këtë:
- Mëkat, që një
mall i keq mbështillet kaq bukur…
***
Një llafazan kishte
dy orë që po fliste. Më në fund pyeti:
- Diogjen, mos të
kam mërzitur ?
- Jo, jo-iu
përgjigj Diogjeni - nuk më ke mërzitur aspak, pasi nuk të dëgjova fare.
***
Një mik e gjeti
Diogjenin duke u përpjekur që të mësonte të këndonte dhe i tha:
- Habitem me ty,
dashke të këndosh në këtë moshë ?
Diogjeni buzëqeshi
- Është më mirë të
mësosh vonë, se kurrë.
***
Tirani i Sirakuzës,
Dionisi, e pyeti Diogjenin :
- Çfarë flitet për
mua në Athinë ?
- Athina ka gjëra
të tjera më të rëndësishme sesa të merret me ty - ia priti Diogjeni.
***
- Cila është rruga
më e mirë që të shpie drejt lumturisë - e pyetën Diogjenin
- Të punosh për
lumturinë e të tjerëve - u përgjigj ai.
***
Një mik i tha një
ditë Diogjenit:
- Klisteni është më
i lumtur nga ne, pasi, duke jetuar pranë oborrit, merr pjesë në gostinë që
shtron Aleksandri.
- Thuaj më mirë sa
i mjerë që është - ia priti Diogjeni - Ai është i detyruar të hajë e të pijë
kur i vjen oreksi Aleksandrit...
***
Në Greqinë e
lashtë, një njeri zemërlig, kishte shkruar këto fjalë mbi derën e shtëpisë së
tij: “Nuk lejohet asnjë e ligë të futet në shtëpinë tonë”.Kur e lexoi këtë
shkrim Diogjeni, i tha :
- Po zotrote nga
hyn në shtëpi ?
***
Diogjeni për herë
të parë ishte në qejf dhe i qeshur. Mbi trup nuk kish tjetër, veçse një mantel
të vrazhdë, që i shërbente edhe natën për mbulojë, dhe një trastë ku vendoste
ushqimin. Sillej nëpër rrugët e Athinës duke u zënë herë me njërin herë me tjetrin,
dhe duke u tallur me të gjithë fatkeqësitë njerëzore.
Një herë, ditën për
diell, u duk në sheshin publik me një qiri të ndezur në dorë. Kur e pyetën pse:
- Kërkoj një njeri
- u përgjigj…
***
Diogjeni nuk
shikonte hatrin e askujt. Shpesh kishte zakon të thoshte:
- Mos iu afro shumë
të mëdhenjve, dhe mos i rri shumë larg...
***
Diogjeni tha:
- Kur të vdes më
varrosni në çfarëdo vendi, nuk më intereson
- Do të hanë qentë,
i tha një mik.
- Atëherë më
varrosni me një shkop .
- Po ti nuk do t’i
dëgjosh qentë, ç’ të duhet shkopi ?
- Në qoftë se nuk
do t’i dëgjoj, pse do të më interesojë se do të më hanë - përfundoi filozofi.
***
Një ditë Diogjeni,
si doli nga fuqia për të parë diellin që lindte, çuditet kur sheh një fuqi
pranë së tijës. Një pasanik i ri kishte vendosë të bëhej dijetar si Diogjeni,
dhe prandaj kishte hyrë në fuqi si filozofi “cinik”.
- Shumë mirë !- tha
Diogjeni - Siç shoh dituria paska fituar një dishepull të ri .
Mandej; si
rrotulloi fuqinë e vet dhe e hodhi në det, shtoi:
- Unë kam gjetur tek
ti një nxënës të denjë; plotëso tani fitoren tënde mbi vetveten. M’i dorëzo
pasuritë e tua që t’ua shpërndaj të varfërve.
Djaloshi u çudit
dhe tha:
- Më vjen keq, të
mbes pa gjë për të tjerët nuk mundem.
La fuqinë dhe u
largua. Diogjeni atëherë tha:
- Sa qesharakë janë
njerëzit! Ata kujtojnë se për të qenë të urtë mjafton të imitojnë të urtit në
dukje dhe jo në fakte. Po si do ta predikojnë virtytin kur ata vetë nuk dijnë
ta ushtrojnë?
Si tha këto fjalë,
hyri në fuqinë e re.
***
Leka i Madh, si
njohu varfërinë e Diogjenit, desh ta ndihmojë.
- Ti të më ndihmosh
mua! Nuk ka se si!
- Pse nuk ka se si?
- Asnjë nuk është
më i varfër se ti - iu përgjigj filozofi.
- I pakënaqur për
mbretërinë që të la babai, i vihesh mijëra rreziqesh për të fituar tjera
mbretëri. Ndërsa unë jetoj i kënaqur me këtë që kam, dhe dëshirat e mia nuk
kalojnë përtej torbës dhe zhgunit.
***
Filozofi Antistene
kishte zakon t’i qortonte nxënësit e vet, duke i porositur që të ishin te
vëmendshëm ndaj mësimeve të tij, por pak e dëgjonin. Një ditë, si u hidhërua, i
dëboi të gjithë nxënësit e ndër to edhe Diogjenin. Por duke qënë se ky, i
ndezur nga dëshira për të ndjekë shkollën e filozofit, shkonte shpesh tek ai,
dhe i qëndronte me këmbëngulje pranë. Antisteni iu kërcënua se do t’i binte
shkop kresë. Diogjeni nuk merrte vesh nga ky kërcënim, dhe një ditë Antisteni i
ra përnjëmend.
As nga kjo gjë
Diogjeni nuk iku, po qëndroi i patundur, nga dëshira që të ndriçonte mendjen me
mësimet e filozofit.
- Më rrah, po deshe
prap-tha-Unë vetë do ta afroj kokën. Nuk besoj të gjesh shkop aq të fortë, sa
të ketë mundësi të më largojë nga shkolla yte.
Antisteni e pranoi
atë nxënës aq të dhënë mbas mësimit dhe e deshi shumë.
***
E pyetën Diogjenin
se çfarë gjykimi jepte për gratë inatçore dhe hidhërake.
- Ata - tha ai -
janë si qypa alabastri, ku ruhet uthulla…
***
Diogjeni po shkonte
i vetëm nëpër rrugët e qytetit, kur iu paraqit një djalosh, që donte të diskutojë
me të. Filozofi nuk i foli, por i dha torbën e tij, si një shërbëtori dhe e
urdhëroi ta ndjekte.
Djaloshi mendjemadh
u turpërua dhe hodhi torbën e iku.
Mbas pak kohe
Diogjeni u takua me të, dhe duke parë se ai donte t’i bishtnojë, qeshi e tha:
- Ohoo ! Torba
prishi miqësinë tonë !
***
- Ç’mendoni për
jetën ? - e pyeti Diogjenin një aristokrat athinas.
- Ajo ka një të
mirë - u përgjigj filozofi - diturinë dhe një të keqe - injorancën.
***
I thanë Diogjenit:
- Çfarë mund të
kuptojmë me fjalën egoist ?
- Me fjalën egosit
mund të quajmë një njeri që tregon rreth vetes së tij gjëra që ti dhe unë do të
kishim vështirë t’ia shohim tjetrit….
***
E pyetën Diogjenin:
- Çfarë duhet të
bëjë një njeri që ta quajnë të mirë ?
- Asgjë më shumë
sesa të sillet mirë - u tha Diogjeni …
***
Tirani i Sirakuzës,
Dionizi, kur u takua me Diogjenin, për ta vënë në lojë, i tha:
- Çfarë pasurie
keni siguruar me filozofinë tuaj ?
- Unë kënaqem me
pasurinë që kam dhe që ia fal popullit, ia ktheu filozofi- ndërsa ju kënaqeni
me thesaret që merrni nga populli...
***
Në Greqinë e
lashtë, një aristokrat duke biseduar me Diogjenin i tha:
- Kam arritur të
njoh mirë gjithë filozofinë e ditëve tona.
- Për mendimin tim
- ia priti filozofi - ju i ngjasoni një njeriut që ecën me kandil në dorë dhe
kujton se po shetitë në një ditë plot me diell.
***
Një fisnik athinas,
i njohur për të këqijat që u kishte sjellë njerëzve, shkroi mbi portën e
shtëpisë së tij: “Këtu nuk lejohet të hyjë asnjë e keqe” Pasi e lexoi Diogjeni,
i tha fisnikut:
- Me shënimin që ke
vënë në derë, vetëm zotrote nuk ke të drejtë të hysh në shtëpi…
34. EPAMINONDA
411-363 p.Krishtit
Gjeneral i
përmendur teban. Nënshtroi pjesën më të madhe të Peloponezit dhe mundi spartanët
në Lentro dhe në Mantihe, ku mbet i vrarë.
Epaminonda po
shetiste nëpër rrugët e qytetit të porsaçliruar nga armiqtë. Qytetarët ia kishin
shtruar me ahengje e dëfrime.
- Përse nuk merrni
pjesë dhe ju në gëzimin tonë ?- pyeti një nga ushtarët.
Gjenerali ia priti:
- Në qoftë se do të
dehemi të gjithë prej fitores, atëherë kush do ta ruaj qytetin nga armiqtë ?
***
Artaksersi, mbreti
i Persisë, i dërgoi Epaminondes dhurata të pasura. Burri i madh u tha atyre që
ia sollën dhuratën.
- Në qoftë se
Mbreti don të jetë miku im, nuk është nevoja të ma blejë këtë miqësi; por në
qoftë se ai ka mendim tjetër, nuk është aq i pasur sa të më blejë…
***
Pas betejës me
persët, komandanti i Tebës mbeti i plagosur shumë rëndë nga një shtizë armike.
Duke e hequr shtizën në çastet e fundit të jetës, tha:
- Po vdes i qetë,
sepse asgjë armike nuk mbetet në trupin tim dhe as në atë të Tebës së lirë.
35. DIONIZI
405-318 p.Krishtit
Tiran i Sirakuzës,
i shquar për egërsinë e tij. Ishte i zoti në administrimin e shtetit. Dallohet
në dituri dhe sidomos në mbrojtjen e letërsisë e të filozofisë.
Dionizi, kur mori
vesh se njëri kishte parë ëndërr se e kish mbytur, çoi dhe e thirri:
- Në qoftë se ti -
i tha - nuk e ke menduar se një ditë do të më mbytësh, nuk do ta kishe parë
natën në ëndërr...
***
Tiranit, si i ra në
dorë djali i një armiku të tij, desh të hakmerrej në mënyrën më të rreptë, por
që në dukje të dukej e lehtë. Nuk e dënoi për vdekje as e burgosi, por e zhyti
ndër vese. Kjo gjë do t’i sillte dëmin më të madh si të jatit ashtu dhe të
birit.
Që t’ia bënte jetën
më të gëzueshme, e lejoi në çdo gjë që dëshironte. Asnjë nuk u kujdes për
sjelljet e tij, që ta frenojë dhe ta drejtojë ndër epshe. Djaloshi u lëshua
krejt mbas asaj jete kotësie dhe dembelie dhe humbi çdo ndjenjë të mirë, duke u
dhënë ndër vese të ndryshme. Tirani për këtë sjellje e lëvdonte dhe e
shpërblente.
Kur Dionizi u bind
se djali ishte skllav i këtyre zakoneve të këqija, ia ktheu të jatit.
I ati mori masa
menjëherë dhe djalin e la në dorë të edukatorëve më të mirë, me shpresë se do
ta kthejë në rrugë të mbarë.
Çdo kujdes qe i
kotë, djali nuk u përmirësua. U dëshprua dhe i dha fund jetës me vetëvrasje.
***
Shumë qytetarë
komplotonin për t’u çliruar nga tirania e Dionizit. Ndër ta, një grua, e
quajtur Liona. Komploti u zbulua dhe Liona u kap e para dhe u torturua që të
tregojë shokët.
Vuajti tortura të
tmerrshme, por dikur, duke pasë frikë se mos i mungon fuqia dhe do t’i tregonte
shokët e komplotit, këputi gjuhën me dhëmbë.
***
Tirani i Sirakuzës,
si përfundoi luftën me Kartagjenën, filloi të shkruajë vjersha, për të cilat
kishte shumë pasion.
Si njeri lufte
ishte i madh, por si poet i dobët. Megjithëatë oborrtarët dhe poetët që
mblidhte në sofrën e tij tregoheshin plot entuziazëm kur ai lexonte vjershat e
veta.
Vetëm një nuk
merrte pjesë ndër këto lavdërime. Ky ishte Filoseni i famshëm dhe vjershëtar i
mirë.
Një ditë Dionizi e
pyeti atë si i dukeshin vjershat e tij. Filosteni tha lirisht mendimin e tij pa
asnjë lajkë.
Dionizi, jo i
mësuar të dëgjojë fjalë të tilla, u hidhërua dhe duke ia mbështetur zilisë këtë
gjykim të guximshëm, e futi menjëherë në burg.
Të gjithë oborrtarët
ndërhynë që ta lirojë.
Mbas disa ditësh e
nxori nga burgu dhe i lexoi disa vjersha duke menduar se burgu do t’ia kishte vjeftë
të ndërrojë gjykim.
Si përgjigje,
Filoseni iu tha rojeve:
- Më dërgoni
menjëherë në burg !...
***
Dionizi thirri
Arkimedin që të mësonte prej tij astronominë. Një ditë, gjatë mësimit, ai i tha
shkencëtarit:
- Pa hiqmi tërë
këto llogaritjet e matematikës, mbasi janë shumë të rënda, të mërzitshme dhe të
pakuptueshme.
Arkimedi ia priti:
- Më vjen keq, por
vetëm këtu nuk ka rrugë të privilegjuar as për mbretërit…
***
Dionizi dënoi me
vdekje një filozof. Lukiani, një koleg i filozofit, shkroi për të një epitaf,
në të cilin vinte në dukje meritat e të dënuarit.
Me ta marrë vesh
këtë, Dionizi e thirri Lukianin në pallat e i tha:
- Megjithëse ti
guxove të lavdërosh atë që unë e dënova, po ta dhuroj një vazo të artë që mos
të më harrosh dhe mua.
Lukiani ia priti:
- Nuk do ta harroj
as vazon e artë që ta kam borxh, prandaj po ta kthej qysh tani…
36. FOÇIONI
402-317 p.Krishtit
Gjeneral athinas,
kundërshtar i Demostenit. Këshilloi paqen me Filipin dhe Lekën e Madh. Mundi
disa herë maqedonët, por la të pushtohej Pireu dhe qe dënuar të pijë çikutën.
Është i njohur për ndershmëri. Megjithëse ishte kundër luftës me Filipin, kur
populli i Athinës e urdhëroi, dijti ta drejtojë luftën me besim e guxim. La
veprën e tij me vlerë “Fjalime”.
Leka i Madh i
dërgoi Foçionit një dhuratë prej 100.000 skudësh. Ky e pyeti ambasadorin e
mbretit, - ndër aq athinas,a ishte ai i zgjedhuri.
- Leka - iu
përgjigj i dërguari - don të çmojë virtytin tënd !
- Atëherë të ma
lerë mua këtë virtyt dhe të mbajë për vete thesarin, u përgjigj Foçioni…
***
Një aristokrat
shkoi në shtëpinë e Foçionit. Kur e pa të zhveshur shtëpinë, vizitorja i tha së
shoqes së filozofit:
- Ku i keni stolitë
e shtëpisë ?
Në atë çast hyri
Foçioni me dy djemtë e tij dhe ajo i tha mysafires:
- Ja ku i kam !
***
Një herë tjetër,
Antipatri i Maqedonisë i dërgoi Foçionit një shumë të rëndësishme të hollash,
dhe si ai nuk i pranoi, i dërguari i tha:
- Më lejo t’ia jap
djalit tënd. -
- Jo, u përgjigj
Foçioni - Në qoftë se djali im është i urtë, i mjafton trashigimi im. Në qoftë dorëlëshuar,
sado ar t’i japësh, nuk do të jetë i mjaftueshëm kurrë.
***
Kur filozofi grek u
dënua me vdekje, e priti vendimin duke qeshur.
- Me këtë qëndrim -
i tha gjykatësi- ti po i vë në lojë ligjet tona.
- Po vdes i
kënaqur, pasi kësaj radhe dënohem me një gjobë pa patur nevojë të kërkoj borxh
! - iu përgjegj filozofi i cili tërë jetën e kishte kaluar në varfëri.
***
Aleksandri i
Maqedonisë i dërgoi Foqionit 100 talanta ari.
Filozofi i varfër
nuk i pranoi dhe i tha oborrtarit:
- Kthejani
florinjtë Aleksandrit dhe i thoni që të më lërë të vdes i ndershëm.
37. DANONI
401-360 p.Krishtit
Filozof pitagorik
në Sirakuzë, në kohën e Dionizit.
Pitia, shoku i
Danonit, për të cilin shpifën disa oborrtarë që e kishin smirë, u dënua me
vdekje. Pitia para se të vdiste, kërkoi të dalë nga burgu për të rregulluar
disa punë. Danoni ndej në burg në vendin e tij gjatë kësaj kohe. Në rast se nuk
do të kthehej Pitia, atij do t’i ikte koka.
Pitia u kthye,
Danoni u lirua dhe Dionizi plot admirim desh të bëhej mik i tyre i tretë.
***
Danoni qe njeri i
mirë, këmbët i kishte të sëmura dhe aq të shtrembëra ndër gishtërinjë, sa për
këpucët e tij një këpucar i mirë nuk ia mbaronte para një muaji.
Ngjau që një hajdut
i hyri natën në shtëpi dhe duke mos gjetur tjetër i vodhi këpucët.
Të nesërmen në
mëngjes, duke mos i gjetur këpucët, nuk bëri zhurmë dhe nuk u shqetësua fare,
si do të ishte shqetësuar kushdo.
Me durim të madh
tha:
- Lus Zotin që ato
këpucë, ai që m’i grabiti, mos t’i përdorë kurrë dhe të jetë gjithmonë shëndosh
!
38. POLIKLETI
Shek. V p.Krishtit
Polikleti skulptor
i përmendur i Greqisë së lashtë, nxënës i Fidies.
Skulptori grek, për
t’ia mbyllur gojën kritikëve, nisi të punojë dy statuja me të njëjtën
përmbajtje. E para punohej sipas kritikëve, kurse tjetra në fshehtësi.
Kur u ekspozuan, u
pëlqye ajo që u punua pa ndërhyrjen e kritikëve.
Vizituesve të
ekspozitës u thoshte:
- Truporja që
pëlqehet është vepër e imja, kurse ajo tjetra, është vepra e kritikëve të mi…
39. KRATE
shek.V.p.Krishtit
Filozof grek i përmendur.
Lindi në Tebë, Boeci.
Thuhet se filozofi
hodhi paret e veta në det, që të jepej më lirisht pas mësimeve. Disa thonë se
ai depozitoi pasurinë te një bankier, duke urdhëruar që t’ia dorëzonte femijëve
të tij, vetëm atëherë kur të përcaktohet se ata janë të çmendur.
Ai thonte:
- Në qoftë se
fëmijët e mij kanë për të qenë punëtorë e ekonomikë, do të jetojnë me mundin e
tyre dhe nuk do të kenë nevojë për pasuri; në qoftë se janë përtacë dhe
dorëlëshuar, nuk do t’i mjaftonte kjo që kam dhe sado pasuri të mëdhaja
qofshin.
40. ANASTAGORA
shek.V.p.Krishtit
Filozof i
përmendur, mjeshtër i Euripidit, i Perikliut, thuhet dhe i Sokratit. Vuri
themelet e filozofisë atike! Paralajmëroi eklipset dhe besoi se hëna është e
banuar!
E pyeti njëri Anastagorën
pse njerëzit gënjejnë?
Anastagora u
përgjigj:
- Që të mos u
besohet kur të thonë të vërtetën…
41. ARISTOFANI
shek.V.p.Krishtit
Më i famshmi poet
komik grek, armik i Sokratit e Euripidit. Shkroi më se 50 komedi, nga të cilat
mbetën vetëm 11 të plota. Më e famshmja mban emnin “Retë” dhe u shkrua për të
përqeshur Sokratin.
Një athinas i tha
Aristofanit:
- Deri sot nuk kam
dëgjuar të më bëjnë asnjë kritikë.
- Kjo-i tha
Aristofani-tregon se ti nuk paske asnjë shok të vërtetë…
***
Një tregtar athinas
i dhuroi Aristofanit një qengj, por ky ia ktheu duke i thënë:
- Nëse të pranoj
sot një qengj, nesër jam i detyruar të pranoj një dash, dhe pasnesër një ka. Në
rast se i pranoj, duhet t’i paguaj pastaj me ndershmërinë time…
Dikush e pyeti
Aristofanin:
- Cila është kafsha
më e rrezikshme në botë?
Aristofani tha:
- Nga kafshët e
egra është luani, kurse nga shtëpiakët-lajkatari.
42. ARISTIPI
shek.V.p.Krishtit
Filozofi i shquar
grek nga Çirene. Si dishepull i Sokratit themeloi shkollën e Çerenaike. Mësonte
se lumturia e njeriut fitohet ndër qejfe. Dionizi e mbajti në oborrin e vet.
- Si është e mundur
- e pyeti një mik Aristipin - që nuk je fyer, kur Dionisi, që të ftoi për
drekë, nuk të dha vendin e nderit, por të vuri në vëndin e fundit.
- Pse të fyhem? Unë
kuptova menjëherë se Dionisi desh ta bëjë të luajtshëm atë vend që më shënonte
mua.
***
- Si duhet të jetë
nusja yte-e pyetën.
- As e bukur, as e
pasur, as e shëmtuar dhe as e varfër. Sepse po qe e bukur, të tradhton, po qe e
pasur të sundon, po qe e shëmtuar nuk të pëlqen, po qe e varfër, të varfëron.
***
Aristipi kishte një
mikeshë. Disa gojëkëqinj i thanë se ajo nuk e dashuronte.
Aristipi u tha
atyre:
- As peshqit nuk më
dashurojnë, por mua më pëlqejnë shumë.
***
Dikush donte që i
biri të kishte për mësues Aristipin, por ky kërkoi një shpërblim që ai s’mund
ta paguante.
-Me atë çmim - tha
- unë blej një skllav…
43. ELEAZARI
MAKABEU
shek. V p.Krishtit
Një ndër vëllëzërit
Makabé, princër hebrej të fisit të Asmoneive. Disa nga këta vëllezër dhanë
jetën duke luftuar për atdhe.
Ishtë ndezur lufta
mes hebrejve, të udhëhequr nga Juda Makabé, dhe Sirianëve të udhëhequr nga
Mbreti Antiok.
Eleazari, vëlla i
Judës, duke parë një ndër elefantët e ushtrisë siriane që ishte më i lartë se
tjerët dhe i stolisur dhe i armatosur më mirë, me armaturën mbretërore, mendoi
se mbi të do të qëndronte mbreti armik. Pa frikë se po sakrifikonte jetën për
popullin e vet, hyri me guxim midis ushtrise armike dhe duke hapur rrugën me
shpatë në dorë, u fut nën elefant dhe me një të rëne shpate e mbyti, por kafsha
e madhe duke rënë e zuri nën të guximtarin.
44. KSERSI
shek. V p.Krishtit
Mbret i Persisë,
luftoi me grekët në luftën e famshme të Termopileve.
Para betejës së
Termopileve, mbreti persian i dërgoi Leonidhës një mesazh me dy fjalë:
“Dorëzoni armët! ”
Dhe komandandi grek
iu përgjigj shkurt:
“Ejani t’i merrni!
”…
***
Mbreti Ksers kapi
një zbulues spartan dhe, tek donte që të merrte vesh sekretet e ushtrisë
kundërshtare, filloi ta godiste me kamxhik, duke i thënë:
- Duhet të flasësh
me çdo kusht !
Por zbuluesi
spartan i tha:
- Ai që di të
flasë, di edhe kur duhet të heshtë !
***
Pse spartanët janë
kaq të fortë?- pyeti mbreti i persëve një komandant spartan.
- Një popull - ia
priti komandanti - sado i vogël në numer që të jetë, në rast se është i
bashkuar, nuk njeh kurrë ndjenjën e dobësisë.
45. AGESILAU
399-360 p.Krishtit
Mbret i Spartës,
kapiten i përmendur, më i madhi i Lakedemonve. Mundi persët në Azi e në Korone.
Gjithashtu mundi Tebanët, Argivët, e Athinasit, të besëlidhur kundër Spartës.
Epaminonda e mundi në Mantinea.
Agesilau, mbret i
Spartës, në rrethin familjar harronte madhërinë mbretërore kur jepej pas
përkdheljeve të të birit të tij të vogël. Ky monark i tmerrshëm për armiqtë,
shpesh vraponte kaluar mbi shkop për të dëfryer trashëgimtarin e fronit.
Një dëshmitar i
këtij qëndrimi qesharak të mbretit nuk e përmbajti të qeshurit:
- O mik - tha
mbreti - prit të qeshësh kur edhe ti të bëhesh baba si unë…
46. ARISTOTELI
386-332 p.Krishtit
Më i madhi dhe më i
dijshmi ndër filozofët grekë të lashtësisë. Lindi në Stagjirë të Maqedonisë. Në
rini u dha pas armëve e bëri jetë të çthurur. Më vonë iu vu studimeve
filozofike, si dishepull e pastaj si rival i Platonit. Themeloi filozofinë
peripatetike. “Peripat” quhej në Athinë një vend ku Aristoteli mësonte duke
shetitur. Për 8 vjet qe pedagog i Lekës së Madh. La shumë vepra ndër të cilat:
Retorika, Poetika, Dialektika.
- Ç’ mendon për
Platonin - e pyetën një herë Aristotelin.
Është njeri i madh
! u përgjigj Aristoteli
- Domethënë e do ?
- E dua - vazhdoi
dijetari - por më tepër se atë, dua të vërtetën…
***
- A e din - i thanë
disa miq Aristotelit - se janë shumë që flasin për ty ?
- Si mund ta di që
ata flasin për mua, kur unë nuk jam aty.
- Shi për këtë kemi
ardhur ta themi.
- Shi për këtë nuk
më intereson fare - u përgjigj Aristoteli
- Le të më rrahin
po deshën… kur unë të mos jem aty…
***
- Pse ?- e pyetën
disa miq- i dhe lëmoshë atij njeriu. Ai nuk është aspak i mirë.
Dhe Aristoteli ia
ktheu:
- Unë i dhashë
lëmoshë një njeriu..
- Nuk desha t’i jap
lëmoshë një të mirit…
***
Aristoteli ndodhej
në një mbledhje publike, ku mori fjalën një llafazan, që u zgjat shumë. Më në
fund e pyeti filozofin:
- Nuk të çuditi
aspak kjo elokuenca ime ?
- Një gjë më çuditi
shumë - iu përgjigj qetë Aristoteli - si patën durim aq shumë këta njerëz, të
cilëve nuk i mungonin këmbët që të iknin…
47. DEMOSTENI
384-322 p.Krishtit
Gojëtari më i madh
i Greqisë së vjetër. Ciceroni e quajti Princi i Gojëtarëve.
U ngrejt kundër
tutorëve kur ishte i ri dhe i detyroi t’ia kthejnë pjesën më të madhe të
pasurisë. Për 15 vjet iu kushtua ngjarjeve të atdheut e të luftojë kundër
Filipit të Maqedonisë, që donte të vinte nën zgjedhë vendin e tij. Kundra këtij
mbreti janë të famshme Filipiket dhe 3 Olintiaket, që ngjallën urrejtje të
fortë tek Grekët kundra mbretit maqedon. Luftoi në Korone, e pas asaj ditë të
kobshme u kthye në Athinë e u përpoq të mbrojë qytetin. Mbas vdekjes së Filipit
u tregua jo më pak armik i Lekës, të birit. Por i akuzuar se Leka e theu me
para, u largua nga Athina, dhe u kthye vetëm pas vdekjes së Lekës. Si i shpalli
luftë Antipatrit, sunduesit të Maqedonisë, dhe duke parë se nuk kishte farë
shprese në fitore që të mos bijë në dorë të armikut, u arratis dhe menjëherë
piu helmin e vdiq.
Një orator i ri e
pyeti Demostenin:
- Si duhet të veproj
për t’u bërë gojëtar i mirë?
- Të flasësh në
dhomë, të flasësh në publik, dhe vazhdimisht të flasësh…por të thuash vetëm të
vërtetën.
***
E pyetën
Demostenin:
- A është e vështirë
që të bëhesh gojëtar i madh ?
- Oh jo ! - ia
priti Demosteni - përkundrazi është shumë e thjeshtë… Mjafton të jesh i
ndershëm dhe të thuash gjëra të vërteta, pa fraza të stërholluara.
***
Demostenin e pyetën
se si u bë gojëtar i shquar.
Ai u përgjigj se
kish harxhuar më shumë vaj se verë.
Bënte aluzion se
nuk dëfrente, por lexonte edhe natën me kandil.
***
Në kohën e sundimit
të 30 tiranëve në Athinë, në një mbledhje publike Demosteni tha:
- Duhet të shpallet
me anën e një dekreti që gomerët janë kuaj.
- Përse duhet bërë
kjo - pyeti Soloni.
- Që t’u mbyllim
gojën fqinjve e të mos thonë për ne se kemi fatin të qeverisemi prej gomerëve…
***
Kur bënte fjalë për
aristokracinë e Athinës, Demosteni thoshte me ironi:
- Kur shkoi Herkuli
në Olimp dhe i përshendeti të gjithë perënditë, i ktheu krahët Plutosit,
perendisë së pasurisë.
Zeusi, i habitur, e
pyeti:
- Përse nuk e
nderon Plutosin ?
Dhe Herkuli ia
priti:
- Sepse në tokë e
kam parë të shoqëruar vazhdimisht me njerëz të ligj…
***
Demostenin e pyetën
një herë:
- Ç’duhet të bëj
njeriu që t’i përngjaj sa më shumë Zotit ?
- Të bëjë mirë - u
përgjigj ai.
***
E pyetën një ditë
Demostenin:
- Një gojëtar i
mirë - ç’duhet të dijë të bëj
- Të deklamojë- iu
përgjigj.
- E mandej?
- Të deklamojë.
- E mandej ?
- Të deklamojë.
48. TEOFRASTI
371-386 p.Krishtit
Filozof grek,
nxënës i preferuar i Aristotelit, të cilin e zevendësoi mbas vdekjes në
drejtimin e shkollës. Vepra e tij kryesore: Karakteret morale.
Teofrasti, duke
biseduar me një mik të tij, i thotë:
- Kam parë një rast
interesant. Një gjarpër kafshoi një intrigant dhe a dini ç’ndodhi ?
Për çudi - Në vend
që të vdiste intigranti, ngordhi gjarpri !
49. FILIPI I II I
MAQEDONISË
359-336 p.Krishtit
Mbret i një
politike të rafinuar, pushtoi vende e qytete më tepër me anë të arit se sa të
armëve. Aktiv e gojëtar i madh, duronte me vullnet të madh sakrificat e luftës.
Administroi shtetin mirë, forcoi ushtrinë dhe krijoi të famshmet “Falangje”.
Mundi Poemët, Trakët, Ilirët dhe pushtoi dhe qytete të tjera të Greqisë.
Demosteni nuk pushoi njëherë së kundërshtuari ambicjet e tij. Por Filipi e
mundi keqas në Kerone, duke luftuar kundër persianëve, u vra nga Pausoni. Leka
i Madh, ishte i biri ,i cili mbretëroi pas tij.
Filipi, edhe pse
zemërgjërë e shpirtmadh, morali i tij qe shumë elastik ?
Shpresh thoshte:
- Fëmijët mahniten
me lojëra, burrat me premtime.
***
Në oborrin e
Filipit ishte njëri që fliste keq për mbretin.
- Duhet ta largosh
- tha një oborrtar.
- Aspak - u
përgjigj Filipi - Sot flet keq për mua vetëm në oborrin tim, nesër, po ta
largojmë, do të flasë keq gjithkund.
50. LEKA I MADH
356-323 p.Krishtit
Leka, mbret i
Maqedonisë, bir i Filipit, lindi në Pelm. Kur qe djalosh zaptoi kalin e egër
Buçefalo, dhe i shpëtoi jetën babait në luftë. Njëzetvjeçar hypi në fron,
nënshtroi Darin në Granik, dhe në Iso. Mori Tiron e Sidonin, pushtoi Egjiptin
dhe ndërtoi Aleksandrinë. Preu Nyjen Gordiane dhe kaloi në Azi. Mundi persianët
në Arbela, mori Babiloninë, Suzen e Persopolin. Tejkaloi Indinë, mundi mbretin
Pero, që pastaj u bë aleat i tij. Vdiq në moshë të re në Babiloni. Ka qenë
njeriu më i madh i lashtësisë. Ëndërroi monarkinë botërore. Ndërtoi mbi 20
qytete në emrin e tij. Mbrojti shkencëtarë, filozofë e letrarë.
Leka i Madh si u
takua me Diogjenin dhe admiroi urtësinë e filozofit të madh, tha: - Po të mos
isha Leka, doja të isha Diogjeni !
***
Leka u thonte të
gjithëve:
- Nuk di ta ndaj
Aristotelin, mësuesin tim, nga Filipi, babai im - njeri më fali jetën e tjetri
më mësoj si të jetoj…
***
Lekës i raportuan
se midis ushtarëve është dhe një i quajtur Lekë, cili para betejës është i pari
që ia mbathi këmbëve.
Leka i Madh e
thirri këtë ushtar dhe i tha:
- Ose hiq dorë nga
frika, ose ndërro emrin, përndryshe nuk ke vënd në ushtritë e mia.
***
Leka i Madh kur
ndodhej në më të lartën shkallë të madhërisë së tij, u gjet një ditë, gjatë
marrshimit ngadhnjimtar, i penguar nga dëbora e madhe. U ndez për të një zjarr
i madh e ndërsa po ngrohej i ulur në fronin mbretëror, vuri re një luftëtar
plak, që dridhej nga të ftohtit. Shpartalluesi i perëndorisë së Darit, u ngrit
e shkoi menjëherë tek ai, e mori për dore plakun e ngathur dhe e vuri në fronin
e tij.
***
Leka, para se të
nisej për të luftuar në Azi, ua shpërndau miqve të vet gati të gjithë pasurinë
me shtëpia, vila dhe ara.
Një ndër gjeneralët
i tha:
- E për vete çka
mban, o mbret ?
- Po mbaj shpresën
- u përgjigj.
- Edhe ne-shtoi
atëherë gjenerali-bëjmë pjesë në të, derisa luftojmë bashkarisht.
***
Egjiptianët iu
paraqitën një ditë Lekës, dhe kërkuan që ai t’i shtërngonte hebrejt, t’ua
kthejnë të gjitha pasuritë, që ata kishin marrë nga Egjipti.
Hebrejt u mblodhën
në këshill. Një plak i shqepët doli e tha:
- E mbroj unë këtë
çështje, e cila nuk ka nevojë për ndonjë avokat me vlerë.
- Të gjithë e
pranuan, dhe si u paraqit në gjyq para mbretit tha:
- Unë e njoh të
drejtën e egjiptianëve, por ti, o mbret i madh duhet të njohësh dhe të drejtën
tonë. Ne hebrejtë, 600.000 vetë, kemi qënë që i kemi shërbyer dhe kemi punuar
për egjiptianët për 400 vjet. Të na paguajnë ata hakun e duhur, dhe ne do t’ua
kthejmë pasuritë që morëm nga Egjipti.
Leka i Madh e gjet
të drejtë fjalën e plakut hebre. Egjiptianët ikën në heshtje.
***
Leka i Maqedonisë
po kalonte orët e fundit të jetës. Pranë tij qëndronte e shoqja, e cila e
pyeti:
- Mund të na tregosh
ku i ke fshehur thesaret ?
- Në xhepat e
gjeneralëve të mi - tha Leka...
51. ZENONI
340-254 p.Krishtit
Filozof në zë grek
nga Qipro. Themeluesi i sektit të stoikëve dhe të dialektikës. Stoik vjen nga
fjala Stoa, kështu quhej Portiku i Athinës, ku ai mësonte publikisht. Abuzoi
duke u dhënë përherë mbas sofizmës.
Filozofi Zeno i
kishte inat llafazanët.
Një ditë i tha një
mikut:
- Disa nuk kuptojnë
që natyra na ka dhënë dy veshë dhe një gojë; për të dëgjuar më shumë e për të
folur më pak.
***
Një athinas i
pasur, dha një mbrëmje kremtimi për nder të ambasadorëve të mbretit të Persisë.
Për t’i dëfryer sa më mirë miqtë mendoi të ftojë edhe filozofët e qytetit. Këta
e panë të arsyeshme të tregojnë gjithë urtinë e tyre me anë fjalimesh të gjata.
Zenoni nuk foli,
por u ndrye në një heshtje të plotë. Ambasadorët të çuditur e pyetën:
- Çka do t’i
tregojmë për ju, o Zenon, zotërisë sonë ?
- Asgjë - u
përgjigj ftohtë filozofi - Vetëm se keni takuar në Athinë një plak që di të
heshtë…
52. TEOKLITI
315-250 p.Krishtit
Poet grek, lindi në
Siçili. Krijues përmes Idileve i poezisë bukolike, ku shprehte me një shije të
rafinuar gjëndje të natyrës.
Para betejës së
Tigranës, një nga luftëtarët e pyeti Teoklitin:
- Përse do të
sulmojmë pikërisht tani? Jam i mendimit se nuk është gjetur moti më i përshtatshëm
për fillimin e betejës.
Teokliti tha:
- Mos harro kurrë
këtë që po ta them tani: Fitorja jonë do ta sjellë edhe motin e mirë.
53. PRAKSITELI
IV. p.Krishtit
Skulptor i famshëm
athinas, i pakalueshëm në krijimin e formave njerëzore, sidomos në trupore
gruaje.
Praksiteli ishte
shumë i thjeshtë. Një ditë u thirr si dëshmitar dhe gjykatësi e pyeti:
- Ç’profesion
ushtroni ?
Praksiteli u
përgjigj:
- Jam skulptori më
i madh i kohës.
Kur e takoi një mik
i tha:
- Më ke habitur me
atë përgjigje që dhe në gjyq.
Praksiteli e
sqaroi:
- Nuk gjeta tjetër
rrugë. Kur deponova në gjyq më detyruan të them të vërtetën, vetëm të
vërtetën,… dhe unë e thashë.
***
Një ditë skulptori
i tha Frinesë, gruas së tij të ardhshme:
- Zgjidh statujën
që unë çmoj më tepër dhe do të ta dhuroj.
Të nesërmen, sapo u
takuan në rrugë, Frineja i tha:
- Renda shpejt, se
të mori zjarr studioja !
- Shpëtoni
“Kupidon”- thirri Praksiteli.
Frineja e zgjuar,
që kishte gënjyer, ia kërkoi këtë statujë dhe ai ia dhuroi.
54. KALIMAKU
III shek.
p.Krishtit
Poet i shquar grek
nga Cirine. Nga ai kemi veprën Epigramet dhe Pagzimin e Pelades. Të lashtit e
deklaruan poet të parë.
E pyetën një ditë
Kalimakun si bënte të gjykojë një libër për një kohë të shkurtër.
- Nga pesha -
përgjigji Kalimaku - sa më shumë peshon, aq më i madh është, sa më i madh
është, aq më shumë budalladheqe përmban.
55. ARKIMEDI
287-212 p.Krishtit
Më i përmenduri
matematikan i lashtësisë. Lindi në Sirakuzë. Mbroi atdheun i sulmuar nga
gjenerali romak Marçelo, të cilit ia dogji anijet me pasqyrat djegëse. Teoria e
tij mbi levën qe bazë e statikës. Shpiku sferen, vidhën, që u quajt me emrin e
tij, makarenë, katapultën etj.
Arkimedi kur zbuloi
teorinë e levës, nuk pushonte duke thënë:
- Më jepni një pikë
mbështetje dhe do të ngre lart botën !
***
Si u pushtua
Sirakuza, një ushtar romak hyri në shtëpinë e tij. Ai e gjet Arkimedin në
studim e sipër, po nuk e njihte cili është.
- Kush jeni ju ?- e
pyeti.
Arkimedi, i kredhur
siç ishte në zgjidhjen e një problemit, nuk mundi të nxjerrë nga goja emrin e
vet.
- Ushtari romak,
duke e marrë për armik e vrau.
56. SIUN - TZE
shek. III p.
Krishtit
Filozof i famshëm
kinez.
Filozofi kinez
ishte i mendimit se njerëzit janë të këqinj.
- Pse ti beson se
njeriu është i keq ?
- Sepse aspiron të
mirën-u përgjigj Siun Tze - është aq e vërtetë kjo, sa që i thati kërkon të
mbajet, i shëmtuari të bëhet i bukur, i ulti të bëhet fisnik.
57. EUKLIDI
shek. III
p.Krishtit
Më i madhi
gjeometër i Lashtësisë. Nuk dihet vendlindja. Në Athinë studioi nën Platonin,
pastaj jetoi në Aleksandri të Egjiptit, ku pati ndër nxënësit e tij, mbretin
Tolome. Elementet e gjeometrisë, përbëjnë veprën e tij më të famshme, me të
cilën lëvdoheshin kohët e lashta.
E pyetën Euklidin
për Arkimedin.
- Arkimedi - tha
Euklidi - për mua është mjeshtri më i madh i botës.
58. STIFLONI
shek. III
p.Krishtit
Filozof grek nga
Magara e istmit të Korintit.
Pas pushtimit të
qytetit Magara, një gjeneral takoi filozofin e i tha:
- Ke ndonjë ankesë
? Mos vallë ushtarët e mi të kanë grabitur pasurinë ?
- Jo-u përgjigj
Stifloni gjakftohtë - pasi dituria nuk mund të grabitet.
59. KURIO DENTALO
III p. Krishtit
Mantilo Kurio
Dentalo, romak me vlerë, tri herë konsull, është autor i ligjëve Curie de
comiting. Mundi sanitët, sabinët, lukanët e luftoi kundër Pirros në Taranto
(274). Tokat e fituara në luftë ia ndau të varfërve, nga 4 jugër secilit. As
për vete nuk mbajti më tepër.
Kur mbas fitores,
iu ndanë tokat të varfërve nga 4 jugër secilit, Kurio Dentalos deshën t’i japin
më tepër.
- Jo- tha ai- Nuk
është e denjë të urdhërojë një ushtri, ai që nuk kënaqet me aq sa i mjafton një
luftëtari të thjeshtë !
***
Konsulli romak u
dërgua për të vendosur kushtet e paqës me Senitët. Këta i dërguan një shumë të
madhe të hollash, që të vepronte në favor të tyre, por ai ua ktheu duke thënë:
-Varfëria ime ju
bën të shpresoni se unë do të thehem me para. Ju duhet ta dini se unë dua më
mirë të urdhëroj e të sundoj mbi ata që kanë ar, se të kem unë vetë ar !
60. SULA
135-78 p.Krishtit
Sula, diktator
romak, që pushtoi Epirin dhe Greqinë njeri shumë i egër dhe luftëtar i paepur.
Pasi romakët
shkatërruan shumë qytete të Epirit, me Sulën në krye dhe po iu afroheshin
Athinës, një filozof grek i tha popullit:
Ngrihuni të gjithë
në këmbë, të përballojmë romakët që duan të fshijnë kujtimin e lavdisë së
Homerit, Sokratit, Perikliut dhe Demostenit…
61. CICERONI
106-41 p.Krishtit
Marko Tulio
Ciceroni, orator i famshëm romak e filozof. Shkrimet e tij janë të shquara.
Traktatet filozofike janë monumente të vërtetë historike dhe modele të larta
gojtarie. Ndër shumë vepra janë për t’u përmendë Katilinet, Filipinet dhe
Letrat.
Ciceroni i tha
Neronit:
- Kur nuk ke të
drejtë, nuk mund të jem i një mendjeje me ty !
- Duhet të mos
harrosh - iu përgjigj Neroni - që koka ime është më e madhja e Romës.
- Një kokë e vetme
- ia priti Ciceroni - vlen shumë pak në krahasim me kokat e të gjithë romakëve.
***
Në Romën e lashtë,
një mjek dhe një avokat, në shenjë respekti për njeri-tjetrin, nuk po vendosnin
dot kush të hynte i pari dhe ia lëshonin radhën shoku - shokut.
Oratori Ciceron, që
i pa, u tha duke treguar me gisht avokatin:
- Më parë duhet të
hyjë xhelati, kusari duhet t’i shkojë pas…
***
Ciceroni i urrente
avokatët dhe i sulmonte sa herë që i paraqitej rasti.
Një ditë një avokat
i tha:
- Si shumë po leh
kundër nesh.
- Unë - ia priti
Ciceroni - leh vetëm kur më dalin përpara kusarët…
***
Ciceroni duke folur
për avokatët, thoshte:
- Në rast se ke të
bësh me avokatin, shkatërrohesh edhe kur e humbet edhe kur e fiton davanë…
***
Në Romën e lashtë,
në një nga seancat gjyqësore, po merrej në shqyrtim vrasja e një kosulli, i cili
ishte një kriminel me emër.
Gjykatësi pyeti
Ciceronin:
- Kur është vrarë
Konsulli?
Ciceroni, avokati
dhe oratori i famshëm iu përgjigj aty për aty:
- Vonë, shumë vonë…
***
Në senatin e Romës,
një senator po vinte vërdallë se nuk po gjente vend për t’u ulur. Ciceroni, që
e njihte mirë senatorin dallkauk, i tha:
- Do të kisha dhënë
karrigen time, por e di se nuk do ta pranosh, sepse zotrote je mësuar të
qëndrosh ulur mbi dy karrige.
62. POMPEU
106-45 p.Krishtit
Gjeneral romak.
Mundi Sestorin dhe shfarosi pjesën e mbetur të ushtrisë së Spartakut;
shpartalloi Mitriadin dhe shkatrroi piratët. Formoi triumviratin e parë me
Çezarin e Krasin. Vdekja e këtij të fundit dhe fitoret e Çezarit në Galje,
ngjallen rivalitet dhe shaktuan luftën civile, e cila mbaroi me humbjen e
Pompeut në Preselie (viti 49 p.Krishtit). U strehua në Egjipt, ku u vra nga
Tolomeo.
Një dezertor u pyet
nga Pompeu pse ishte pa kalë.
- E lashë në
fushatën e Çezarit - u përgjigj dezertori.
- Bukur - tha
Pompeu - nëse shnderove veten, të paktën shpëtove nderin e kalit tënd!
*** Konsujt romakë,
Pompeu dhe Krasi, që ishin kundër kryengritësve, premtuan një shpërblim prej
100 mijë skudash për kokën e Spartakut.
Kur e mori vesh
këtë gjë, Spartaku tha:
- Shumë e paskan
vlerësuar kokën time. Për kokën e tyre unë nuk jap as edhe një kacidhe !
63. ÇEZARI
100-44 p.Krishtit
Kajo Jul Çezari,
gjeneral i famshëm, një ndër njerëzit më të mëdhenj që jetuan, lindi në vitin
100 p. Krishtit nga familja fisnike Julia, që krenohej se rrjedh nga Juli, i
biri i Eneas. Studioi në Rodi pranë Apolonit. Formoi Triumviratin e Parë me
Pompeun e Krasin dhe mbajti sundimin e Galisë, të cilën e nënshtroi. Kur u
kthye në Romë u deklarua Diktator i Përgjithshëm, kështu Republika Romake ra
përgjithmonë. Në Frasalie e mundi Pompeun, rivalin e tij të madh. Bruti, djali
i tij i adaptuar, e vrau, i përbetuar me të tjerë, me qëllim që të ngjallin
qeverisjen republikane. Sipas historianit grek Plutarkut, Çezari pushtoi 800
qytete e nënshtroi 300 shtete. Riformoi kalendarin romak, kultivoi poezinë,
pasuroi muzeumin e tij të madh me gurë të çmueshëm, basorelieve, statuja,
piktura e gjithëfarë objektesh artistikë të vjetër. Nga ai kemi komentarët e
luftës Galike, Anti Catonia, De Analogia.
Si kaloi Rubikonin,
Çezari e dinte se shpallej armik i Republikës Romake. Por me arin e mbledhur në
Galie, ia doli të fitojë të fuqishmit e Romës.
Dhe kështu thohej:
- Çezari pushtoi
Galiet me hekurin e Romakëve e Romën me arin e Galëve.
***
Është e njohur, se
kur u lëshua të kalojë Rubikonin, Çezari briti:
- Zaret u hodhën!
Po jo të gjithë e
dinë, se pak minuta përpara, ai kishte thënë:
- Jam i humbur, në
qoftë se nuk e kaloj këtë lum, po nëse e kaloj, do të shkaktoj shumë fatkeqësi
!
***
Vetëm në një rast
mund t’i mbetesh borxh drejtësisë dhe të vertetës - tha Çezari.
- Kur ?- e pyetën.
- Kur don të
mbretërosh…
***
- Nuk mund ta shoh
statujën e Lekës së Madh pa qarë - tha Çezari kur ishte në Kaqide.
- Pse - e pyetën
- Sepse mendoj atë
që bëri, kur kishte ende moshën time.
- E çka bëri ?
- Pushtoi të gjithë
botën !
***
Disa miqve Çezari,
pak kohë para se të vdiste, u rrëfeu se nuk kishte frikë nga personat e
shëndoshë, të plotë, e të majmur, por vetëm nga ata të thatit, shëndetligj e të
mbetë.
I thatë, shëndetlig
dhe i zbehtë ishte Bruti, që mbas pak ditësh do ta vinte nën shpatë diktatorin.
64. KATONI
96-45 p.Krishtit
Romak i shquar,
tribun në vitin 63 p.K., luftoi kundër Pompeut e Çezarit. Pasi humbi luftën në
Tarso dhe s’mundi të mbrojë Utikën, u ther që të mos binte në dorë të Çezarit.
Filozof, stoik, aspironte më tepër të jetë njeri i mirë, se sa të dukej i
tillë. Gjatë luftës civile vishej përherë me rroba të zeza.
Katoni, armik i
përbetuar i Çezarit, thoshte se ky kalonte shumë orë duke studiuar mënyrën se
si ta shkatërronte Republikën.
Po kush e di sa orë
shpenzoi Katoni për t’ia arritur këtij përcaktimi dhe kush e di sa hipoteza i
ishin dashur para se të arrinte të shprehej në atë mënyrë.
Por, sa do të
kishte dhënë Katoni për të ditur, se në ç’mënyrë Çezari donte të shkatërrojë
Republikën.
***
Një ditë, kur Katoni
ishte fëmijë, ndodhej vetëm në shtëpi, kur iu paraqit një senator romak, që
njihej si njeri i pashpirt. Me përkdhelje desh t’ia mbushë mendjen, që të
ndërhynte pranë xhaxhait në favor të tij.
- Nuk mundem-i tha
Katoni - pse çështja nuk më duket e drejtë.
Atëherë senatori
kapi djalin dhe iu afrua dritares.
- Do të të hedh
poshtë - tha- nëqoftëse nuk e jep fjalën.
- Më hedh poshtë po
deshe, po që të flas në favor tënd, mos shpreso. Ta përsëris, çështja yte është
e padrejtë.
65. SPARTAKU
98-71 p.Krishtit
Udhëheqës i
skllevërve që ngritën krye kundër Romës, që për dy vjet me 10.000 skllevër
shpartalloi legjionet e Romës. Më në fund u vra në vitin 71 p. Krishtit.
Konsujt romakë
Pompeu dhe Krasi, që luftonin kundër kryengritësve premtuan një shpërblim prej
100 mijë skudash për kokën e Spartakut.
Kur e mori vesh
këtë gjë, Spartaku, tha:
- Shumë e paskan
vlerësuar kokën time. Për kokën e tyre nuk jap asnjë kacidhe.
***
Para betejës së
famshme midis Spartakut, Pompeut dhe Krasit, një ushtar e pyeti Spartakun:
- Përse e vrave
kalin ?
- Në rast se e
fitoj betejën - iu përgjigj Spartaku - kuaj do të gjej me mijëra. Në qoftë se e
humbas luftën, kali nuk më nevojitet, pasi nuk kam ndërmend ta braktis fushën e
betejes.
66. VIRGJILI
70-19 p. Krishtit
Marrone Plinio
Virgjili, princ i poetëve latinë, i lindur në një fshat afër Mantovës, nga një
kusibërës modest. U vlerësua shumë nga Augusti. Nga ai kemi Eneidën, Egloget,
Bukolikët e Gjeorgjikat, vepra poetike të famshme, të përkthyera në shumë gjuhë
të botës.
I thanë poetit se
një kritik kishte folur keq për të. E Virgjili tha:
- Kundër kësaj
kritike unë do të hakmerrem duke përfituar nga këshilla e saj e mirë.
***
Një intelektual
anglez, duke punuar në një fshat, ku kishte shkuar në çifligun e një miku të
tij, lëvdohej se kishte njohuri për punët e bujqësisë, sepse kishte lexuar
Gjeorgjikat e Virgjilit (ku përshkruhej si punohet dhe si mbillet toka).
Një fshatar, pasi
ia pa punën, tha:
- Poeti megjithë
mend mund të ketë qënë i madh, por duke parë punën tënde, mendoj se ka qënë një
bujk i keq.
67. SENEKA
2-60 pas Krishtit
Filozof i famshëm
latin nga Kordova. Agripina ia besoi edukimin e Neronit. Pjesmarrës në
komplotin e Pisoniti, cili u zbulua, preu damarët ndërsa ishte në banjë. Botoi
Maksimet morale, të cilat nuk i vuri në praktikë. Shumë shkrime filozofike e
pedagogjike kanë mbetur nga ai, si dhe shumë sentenca morale e disa tragjedi si
Trojanet, Agamemnoni, Fedre etj.
E pyetën Senekën:
- Cili është
ndryshimi në mes të kulturuarit dhe injorantit ?
- Po ai ndryshim -
u përgjigj filozofi - që dallon të gjallin nga i vdekuri.
***
Seneka tha:
- Ai që mbyti veten
pse nuk u dashurua, u mbyt tepër shpejt. Është tamam koha që nuk duhet të
dëshprohesh për asgjë...
***
Seneka kishte një
kujtesë të mrekullueshme.
Tregohet se ai
ishte në gjendje të përsërisë dymijë emra të dëgjuar njëherë të vetme.
Fitoi admirimin e
përgjithshëm kur recitoi fjalë për fjalë dyqind vargje të lexuara nga dyqind
nxënës.
***
Filozofi ia përplasi
në fytyrë të vërtetën perandorit Neron.
Një senator që e
dëgjoi, i tha:
- Si nuk ke frikë
nga një njeri para të cilit dridhet tërë bota ?
- Më mirë preferoj
të vërtetën me rrezik - iu përgjigj Senatori - se lajkat që vrasin ndërgjegjën.
***
Një ditë, një
senator e këshilloi filozofin që të përkulej përpara fuqisë së Neronit, për të
mos e dënuar me vdekje.
- Më këshillon të
zgjasë disa ditë të jetës sime - iu përgjigj Seneka - por për mendimin tim,
jeta është një borxh që çdo njeri duhet ta paguajë si i lirë e jo si skllav.
***
- Çfarë mendimi
mund të jepni për jetën ?- e pyeti një mik Senekën.
- Ajo do të jetë e
gjatë - ia ktheu filozofi - në rast se do të matet me punën që bën njeriu dhe
jo me kohën që kalon…
***
Seneka përsëriste
shpesh:
- Njeriu i mençur
është ai që i jep rëndësi kohës, që di t’i vlerësojë ditët dhe orët, duke
kuptuar rëndësinë e çastit. Jeta rrjedh dhe e vetmja gjë që na përket
plotësisht është koha. E keqja është se disa e shkelin me të dyja këmbët këtë
dhuratë të natyrës…
68. KALIGOLA
11- 41
Kaligola njihet si
më i llahtarshmi ndër perandorët romakë. Bir i Gjermanikut dhe i Agripinës, së
pari qeverisi me urti, pastaj shfaqi një karakter të një egërsie të padëgjuar.
U vra nga Kas Çereu.
Kaligola, në një
audiencë me dy senatorë, papritur nisi të qeshë.
- Pse qeshni, o
August - pyetën senatorët.
- Sepse mendoj - u
përgjigj menjëherë perandori - se po të dua, mund t´iu mbys të dyve menjëherë.
***
Kaligola, që nuk
falte njeri, fali një herë një njeri të popullit, i cili, si e pa perandorin të
ulur në tempullin e Kastorit, që ta adhuronte populli, zuri të qeshë. Perandori
i çuditur e pyeti pse qeshi.
-Po qesh - tha
njeriu - pse ashtu ndenjur dukesh tamam një budalla.
69. PLINI
23-79
Natyralist i shquar
dhe shkrimtar latin nga Komo. Prefekt në Misena, vdiq viktimë e një shpërthimi
të Vezuvit, sepse siç thohej, iu afrua tepër kraterit. Është autor i
enciklopedisë së gjerë „Historia e Natyrës“, e cila përmban të gjitha njohuritë
që të lashtit kishin mbi botën dhe qëniet që e popullonin. Vepra e tij
„Commentari electorum“ u vlerësua shumë. Tregohet se një librar spanjol ofroi
84.000 lire për këtë vepër.
- Unë, tha një ditë
Plini - nuk jam hakmarrës, por me gjumin hakmerrëm.
- Shpjegohu - i thanë-
Si mund ta bësh këtë gjë ?
Plini shpjegoi:
- Duke fjetur sa më
pak.
Miqtë qeshën,
atëherë Plini vijoi:
- Kush flen, jeton
më pak se sa do të jetonte po të mos flinte. Kështu që gjumi është autori
grabitçar më i tmerrshmi i jetës së njeriut. Unë dua të jem i grabitur sa më
pak që të jetë e mundur dhe kështu i vjedh gjumit atë çka ai don të më vjedhë
mua, pra duke fjetur sa më pak.
70. AGRIPINA
27- 59
Bija e Gjermanikut.
Lindi në Kolonie, u martua me Enobardin dhe pati Neronin. Për herë të tretë, si
mbeti vejushë u martua me Klaudin, që adaptoi Neronin, i cili e mbyti.
Agripina duke parë
se i biri i prishte paratë kot së koti dhe po i jepte fund pasurisë së tij,
përdori një marifet për ta qortuar.
Një ditë që ai
shpenzoi gjysmë milioni, Agripina vendos në një tryezë të dhomës së vet po atë
shumë me monedha argjendi.
Kur djaloshi u
kthye në shtëpi dhe hyri në dhomë për ta përshendetur nënën, u çudit e pyeti:
- Ç´është gjithë
kjo mori paresh ?
- Biri im, tha
Agripina - këto janë paratë, që ti ke shpenzuar sot marrëzisht në pak orë.
Thonë se kjo
mjaftoi për ta sjellë në vete e në rrugë të mbarë.
***
Neroni, gjakatari i
njohur, dërgoi një besnik të vetin, që të vrasë t`ëmën Agripinën.
- Vrasësi iu mat
t`i binte kokës me një dru.
Agripina i tha:
- Mos i bje kokës,
por barkut tim, sepse ky është fajtor që i dha jetën tim biri!
71. NERONI
37- 68
Perandor romak që
hypi në fuqi me ndihmën e pretorianëve. Preferonte kulturën aziatike mbi atë
perëndimore. La Oktavien dhe mori grua Popenë, e cila e ndihmoi në zhdukjen e
Agripinës, nënës së tij. Thuhet se dogji Romën, së cilës i këndoi me lirë
himnin e djegies së Trojës. Për të marrë hak për këtë djegie, dënoi kristianët
, nga të cilët mbyti me mijëra, së bashku me qytetarë të shquar, ndër të cilët
Senekën, Lukanion dhe vetë Popenë. Për të kënaqur ambicjet, nuk la gjë pa bërë
në mënyrën më barbare. Si mori vesh se Galba u proklamua Perandor, urdhëroi një
libert që ta therë.
Neroni pyeti një
skllav:
- Në rast se do të
isha skllav sa do të më çmoje ti ?
- Tri aspra - u
përgjigj skllavi.
- Vetëm peshqiri që
fshihem unë kushton 3 aspra.
- Unë për atë e kam
fjalën…
***
Një ditë Neroni i
tha Astrologut të tij:
- Pashë në ëndërr
sikur dhurova 1000 sesterca.(monedha romake prej argjendi) Si shpjegohet kjo ?
- Kjo do të thotë
se madhëria juaj është bujar vetëm në gjumë - u përgjigj astrologu…
72. PLUTARKU
50 -120
Historian i shquar
e moralist grek nga Koronea në Beocie. Mësues i perandorit Adrianit. Troiani e
emëroi konsull. Nga ai kanë mbetur këto vepra: Jeta paralele, Veprat morale.
- Ç`mendon për
kurorëthyerjen ?- e pyetën Plutarkun.
S`është gjë tjetër-
u përgjigj ai - veçse kurreshtje e qejfeve të të tjerëve…
***
- Në qoftë se do të
largohem nga Koronea - tha një ditë Plutarku - ky fshat do të bëhet edhe më i
vogël.
Dhe kështu ai nuk u
kthye më as në Romë as në Athinë, po vdiq në Koronea.
***
- Ç`thua për burrin
- e pyetën Plutarkun.
- Burri duhet të
sundojë gruan - tha ai - jo si zotëria siç vepron me skllavin, por si shpirti
që vepron me trupin, me një dashuri e afrim reciprok me të cilin është lidhur,
duke e përgëzuar dhe shpërblyer.
***
- Ç`thua për gruan
- E pyeti Plutarkun një mik.
Dhe ai:
- Me drita të
shuara të gjitha gratë ngjasojnë…
***
Tregon Plutarku:
Një nënë rrinte në
kujdes të madh në kohën, kur jo larg saj zhvillohej lufta. Kur arrin një
shërbëtor i tmerruar.
- Mos kemi humbë
luftën ?- e pyeti.
- Jo, kemi humbur
tre bijtë e tu - u përgjigj me dhëmbje shërbëtori.
- Njeri i poshtër -
briti- gruaja - Unë të pyeta nëse u fitua lufta.
Dhe vrapoi në
tempull për t‘iu falur nderës zotave.
***
Plutarku tregon dhe
këtë:
Një mbret i Persisë
doli për gjah i shoqëruar nga një shumicë e madhe oborrtarësh. Dikur mbretin e
mundoi etja, dhe pikërisht atëherë kur gjindeshin në një fushë të madhe, ku nuk
ndodhej asnjë krua, as rigë uji. Papritur iu paraqit një kopësht i madh me çedra,
portokalla dhe rrush të pjekur.
Një ndër oborrtarët
iu afrua mbretit dhe i tha:
- Madhëri, ju mund
të shuani etjen me frutat e këtij kopështi.
Mbreti nuk pranoi
- Nuk kam guxim të
ha - tha - po ta marr unë një vile të vetme rrushi, i gjithë kopështi do të
shfaroset nga oborrtarët e mi.
73. TROJANI
52-117
Perandor romak, i
quajtur Ati i Atdheut. Qeverisi me drejtësi e maturi. Zgjëroi kufinjt e
perandorisë, duke përfshirë Dacien e Mesopotaminë.
Trojani mori vesh
se një farë Surra donte ta vrasë. Armikun mendoi ta mund me anë të miqësisë. I
paftuar shkoi në një mbrëmje për darkë tek ai, dhe u ruajt nga rojtari i
Surrës.
Një ndër të ftuarve
që e vuri në dijeni se Surra ishte përbetuar ta vrasë, Trojani i tha:
- Nuk është e
vërtetë, sepse po të kishte dashur ai këtë, për të cilën e akuzoni, do ta
kishte kryer shumë lehtë.
- Më vonë Surra qe
emëruar tribun nga vetë Trojani, i cili duke i dhënë shpatën e tribunit, i tha:
- Me këtë, më mbro
nëse qeveris mirë perandorinë, më vra në qoftë se veproj keq.
74. DEMODAÇE
120-200
Filozof nga Kreta,
bashkëkohës i Mark Aurelit. U çlirua nga pasuria që të ishte i lirë për tu
dhënë pas filozofisë. Praktikonte virtytin pa mburrje dhe vesin pa ashpërsi.
Desh të vdesë duke qëndruar përherë i qeshur.
E pyetën Demodaçen
pse kishte aq pak nderim ndaj ligjeve.
- Sepse janë të
padobishme.
- Të padobishme !
- Po, pasi të mirët
nuk kanë nevojë për ta, ndërsa të këqinjtë nuk çajnë kokën për ta…
75. TEODOSI
346 -395
Teodosi I, i
quajtur i Madh, perandor romak, lindur në Galicie, mbrojti Kristianizmin. Me
fitoret mbi Hunët, Vizigotët, vonoi rënjen e perandorisë. Ndau perandorinë mes
dy djemve, Arkadi e Onori, njërit perandorinë e Lindjes e tjetrit të
Perëndimit.
Perandori i Romës,
Teodosi i Madh, duke ditur sa pak vlerë ka lindja fisnike dhe pasuria e
trashëguar pa një edukatë të mirë, dërgoi njerëzit e vet në katër anët e
mbretërisë për të gjetur dijetarin më të mirë. U gjet filozofi Arsene. Këtij ia
la në dorë djemtë e vet, që t`ia mësojë.
Djemtë, madhështorë
si bijë perandori, gjatë mësimit, vetë mësonin ndenjur, kurse filozofin e
mbanin në këmbë para tyre. Kur e shikoi këtë gjë, Teodosi tha:
- Ngrihuni e
lëshojani atë vend mjeshtrit. Lindja e pasuria janë të rastit, për të cilat ju
nuk keni farë merite, dhe një ditë mund t’i humbisni. Kurse dija është meritë e
vërtetë e filozofit, që do të nderohet përherë e gjithkund.
76. HARUM AL RASHID
766-809
Lindi në Ray të
Persisë. Si kalif absid i Bagdadit, luftoi kundër Perandorisë Bizantine. Ishte
një ndër heronjtë e tregimeve Njëmijë e një netë.
Kalifi kishte në
oborrin e tij një shakaxhi të quajtur Baluli. Një ditë kalifi i kërkoi Balulit
listën e të marrëve të Bagdadit.
- Dëgjo - iu
përgjigj shakaxhiu - Më mirë po shkruaj listën e të diturve se është më e
shkurtër, dhe kështu del vetvetiu lista e të marrëve…
77. ALFREDI I MADH
859-901
Mbret i
Anglo-Saksonëve, i përmendur për fitoret mbi Danezët. Hartoi Kodin e Ligjëve.
Ishte ndër mbretërit më të urtë të Anglisë.
Mbreti Alfred, çdo
orë të ditës e kishte të zënë me veprime të veçanta. Njëzet e katër orëshin e
ditës e ndante në tri pjesë. Njerën pjesë ia dedikonte gjumit, ngrënies dhe
shetitjes. Tjetrën leximit e shkrimit. Të tretën, punëve shtetërore. E kish
zakon të thotë:
- Koha është shumë
e çmueshme. Nuk duhet humbur kot. Koha është një minierë nga e cila secili
duhet të nxjerrë metalin e çmueshëm.
78. AVICENA
930-1037
Filozof natyralist,
mjek, matematikan, poet e mendimtar i shquar pers, me emër të vërtetë Abu Ali
ul - Husain.
Një i sëmurë e
pyeti një ditë Avicenën:
- Pse më mjekon
ndryshe nga shoku im që ka të njëjtën sëmundje ?
Avicena iu
përgjigj:
- Duhet të dish se
secili njeri i veçantë ka natyrën e tij, që i përket vetëm atij. Rrallë qëllon,
ose është krejt e pamundur që dy njerëz të kenë të njëjtën natyrë.
79. KANUTI
1015-1056
Mbret i Danimarkës
dhe i Anglisë. Pushtoi Norvegjinë. U quajt i Madh.
Mbreti Kanuto, i
mërzitur nga oborrtarët e vet që e madhëronin më tepër se duhej për fuqinë e
tij, dhe duke dashur t’i tregojë realitetin, një ditë urdhëroi që ta çonin me
gjithë fron në breg të detit. Si e çuan atje tha:
- Ti, o det, je
imi, ashtu dhe toka ku rri është imja. Atëherë pra, unë të urdhëroj, o det, mos
të guxosh të vish te toka ime dhe ta lagësh zotërinë tënd.
Porsa tha mbreti
këto fjalë, deti me një baticë të madhe u shtri mbi një pjesë të mirë të tokës,
dhe ai vetë u lag keqas.
- E shikoni - u tha
oborrtarëve - sa “i fuqishëm” është një mbret…
80. SAADI
1184-1291
Sheik nga Shirasi i
Persisë. Një ndër poetët më të mëdhenj të Persisë. Kryevepra e tij njihet poema
Kopështi i Trëndafilave.
Shahu i Persisë i
tha një ditë poetit:
- Unë jam i pasur,
unë jam i lumtur, mua nuk më mungon asgjë.
- Ty të mungon
vetëm lumturia - i tha Saadi - sepse të pasurit nuk janë të lumtur, kurse të
lumturit janë të pasur.
***
I thonë poetit
Saadi:
- Përse nuk të kanë
në sy të mirë njerëzit e pallatit ?
- Sepse oborrtarët
- ia priti ai - duan ata të cilëve u ngjajnë...
***
Dikush e pyeti
poetin ç’ndryshim kishte mes mbretit dhe atij.
- Mbreti - u
përgjigj ai - është skllav i pasioneve të tij, kurse unë i sundoj ata....
***
Poeti persian,
qortoi një ditë një oborrtar për karakterin e tij të dobët. Oborrtari iu
përgjigj:
- A e din ti, se ky
karakter i lëkundshëm më ka bërë të arrrij ku jam, i mbushur me lavdi dhe
pasuri ? Dhëmbët, që dukeshin aq të fortë filluan të më bien, ndërsa gjuha, që
është aq e butë dhe e lëvizshme nuk pësoi gjë.
- Ki kujdes - ia -
priti Saadi - nëse nuk kafshon atë gjuhë, mund të rrezikosh jetën.
***
Shahu i Persisë,
një ditë thirri poetin dhe i tha:
- Kam shkruar disa
vargje dhe kërkoj një mendim nga ju.
Pasi i hodhi një sy
vargjeve, poeti tha:
- Për ju, madhëri,
nuk ka asgjë të pamundur. Për një çast t’u shkrep të shkruash vargje të dobëta
dhe ia arrite qëllimit…
***
Saadi, kur ishte i
ri, u grabit nga piratët. Një tregtar, pasi pagoi piratët me 30 monedha ari e
liroi dhe e detyroi të martohet me vajzën e tij, një grindavece dhe e paditur,
e cila i thoshte dendur Saadit:
- Mos harro se
babai im të dha lirinë për 30 flori.
- Po - buzëqeshte
Saadi me ironi - për 30 flori e rifitova lirinë, por për 30 mijë (aq ishte
pasuria e saj) e humba përsëri.
***
Poeti shkoi një
herë tek një i pasur për t’i kërkuar borxh.
Pasaniku e pyet:
- Si është e mundur
që dijetari vjen të trokasë në derën e një të pasuri, ndërsa i pasuri nuk shkon
kurrë te dijetari ?
- Shumë thjesht - u
përgjigj Saadi - Kjo ngjet sepse i dituri i çmon të mirat e pasurisë, kurse i
pasuri as që i njeh të mirat e diturisë...
***
Poeti persian Saadi
banonte në një shtëpi të thjeshtë.
- Kjo tregon –
thoshte me buzë në gaz Saadi - se është më lehtë të renditësh vargje se gurë…
81.DANTE ALIGHIERI
1265-1321
Dante (Durante)
Alighieri lindi në Firence dhe vdiq në Ravena. Poet i madh, filozof, teolog,
ishte gjeniu më i madh i Mesjetës. U qujt poeti hyjnor, ati i gjuhës italiane.
Ishte 9 vjeç kur dashuroi Beatriçen (Portinari) dhe e përjetësoi ndër „Rimat“,
sa ajo ishte gjallë, dhe pas vdekjes në Komedinë Hyjnore. Si mësues, pati Bruno
Latinin. Mësoi shpejt matematikën, astronominë, filozofinë, e letërsinë. Nga
Gjoto pikturën, nga Kasela muzikën. Dante martohet me Xhema Donati, me te cilën
ka dy djem e dy vajza. Si guelf lufton trimërisht kundër Gjibelinëve e
Pizanëve. Në v.1294 shkruhet në artin e mjekëve të farmacistëve , në v. 1296
merr pjesë në Çentiviratin, dhe më vonë është në kryesi. Kur ra partia e të
bardhëve, familja dëbohet nga Firence, dhe poeti dënohet dhe më rëndë, me
djegie të gjallë nëse do të kapej në qytet. Endërroi bashkimin e Italisë. Kaloi
një jetë endacake në Paris, Lion, Piza, Padova, Lunigjana, Luka, Verona e në
fund në Ravena. Përveç Komedisë Hyjnore, shkroi „Il convito“, „Jeta e re“, „ De
monarchia“, „De vulgaris eloquii“ etj.
Kur Dante ndodhej
në oborrin e sundimtarit të Veronës, princi i tha njëherë:
- Unë habitem, z.
Dante, si është e mundur që një njeri kaq i ngritur sa ju të urrehet nga gjithë
oborrtarët, kur karagjozin e duan kaq shumë.
Dante u përgjigj:
- Shkëlqesia e juaj
do të habitej më pak po të kishte parasysh se duam më shumë ata që na ngjajnë
më shumë…
***
Pasi qëndroi njëzet
vjet në mërgim, Dante u kthye në vendin e tij.
E pyetën:
- Ç’përshtypje të
kanë lënë vitet e mërgimit ?
- Buka e huaj është
e hidhur-iu përgjigj Dante - Kur ngjitja e zbritja shkallët, më dukej vetja si
në një anije pa vela që përplaset nga dallgët e oqeanit dhe kërkon të kthehet
sa më parë në limanin nga qe nisur…
***
Më kot Firenze,
shumë vonë, plot lavdi për birin e saj të madh, reklamoi eshtrat e tij, por
Ravena nuk dëgjoi t’ia lëshojë eshtrat e shquara.
Mauzoleu artistik
që admirohet në Santa Kroçe në Firencë me fjalët „Nderoni të lartin poet“ është
bosh.
***
Dante i tha Gjotos:
- Sa keq që fëmijët
tuaj nuk janë aq të bukur sa engjëjt që pikturon.
- Puna është se
engjëjt i bëj ditën, kurse fëmijët natën - u përgjigj Gjoto, që mjerisht e
dinte se fëmijët e tij nuk ishin aspak të hijshëm…
***
Dante nuk ia dilte
të çlirohej nga një njeri i mërzitshëm.
- Një ditë poeti,
befas e pyeti, cila është kafsha më e madhe ?
- Nuk e dini ?- ia
bëri tjetri.
- Jo.
Elefanti.
- Tamam - Elefant,
shko !
***
Gruaja yte të
tradhëton - i tha një mik Dantes.
Dante nuk bëri zë.
Të nesërmen miku
përsëriti thënien.
- Dëgjo - atëherë i
tha Dante - mos mendon ti se e njeh gruan time më mirë se e njeh ajo veten ?
- Jo, sigurisht.
- Atëherë pra,
derisa ajo thotë se nuk është e vërtetë sa thua ti, unë nuk kërkoj tjetër prej
teje, veç të më lësh të qetë.
***
Një bufon e pyeti
një ditë Danten, pse ai, Dante, duke qënë aq i dijshëm dhe inteligjent, ishte
aq i varfër.
- Nuk e di u
përgjigj Dante
- Po unë që jam aq
budalla - tha atëherë bufoni - kam arritë të jem aq i pasur ?
- Puna është se ti
ke pasë fatin të gjesh një padron që të ngjan.
***
Një fisnik
napolitan u ndesh në dyluftim me një fisnik tjetër, sepse ai ngulte këmbë se
Ariosti është më i madh se Dante. Simpatizanti i Dantes u plagos për vdekje dhe
para se të vdiste tha:
- E pra, unë nuk
kam lexuar as Danten as Ariostin.
- Po ateherë pse u
përleshe ?- e pyeti një ndër dëshmitarët.
Sepse mora vesh që
as kundërshtari im nuk i kishte lexuar…
82. KENKO YOSHIDA
1283-1350
Kenko Joshida
(Kanejosh) poet japonez, autor i Euresuregusa (Heroi i Cisires) ku i qanë
hallin zhdukjes së mirësjelljes së dikurshme.
- A e dini se
syprina e brishtë e lëkurës së njeriut ka një ngjyrë që të joshë? - tha Kenko
Joshida.
- Si e provoni këtë
?- e pyetën.
- Gjysmëperëndia
Kume, kur pa këmbën e bardhë të një gruaje që po lahej në lum, kaq u trondit sa
humbi mundësinë që të ngjitej në ajër.
83. PETRARKA
1304- 1374
Lindi në Arezo të
Italisë, jetoi për një kohë të gjatë në Avinjon të Francës, ku njohu Lauren.
Pati zyre diplomatike të ndryshme. Është autor veprash historike, filozofike
dhe të poemës latine Afrika. Vepra tjera: Odet, Vjershat. Famën më të madhe e
fitoi me vjershat e shkruara në nder të Laurës, të quajtura „Canzoniera“. Vdiq
në Arkua, ku i ruhen eshtrat.
Françesko Petrarka
u dërgua nga i ati në Universitetin e Bolonjës. I riu, në vend që të jepej mbas
studimit të ligjëve, u vu të mbledhë kode të vjetra dhe të shkruajë vjersha,
për të cilat kishte prirje e talent.
Si e mori vesh i
ati, erdhi në Bolonja dhe e qortoi rreptësisht të birin që po linte drejtësinë.
Poezitë e kodet ia hodhi në zjarr. Djali u dëshpërua duke parë mundin e tij të
shkuar dëm.
- I ati i prekur
nga një dëshpërim i tillë i shpëtoi nga flakët një kopje të Virgjilit e të
Ciceronit.
- Virgjili - i tha
i ati - le të ngushullojë ndër studimet e thata të ligjeve, të cilat do të
mësohesh t’i kesh në hatër sipas udhëheqjes së Ciceronit.
84.TIMURLENGU
1336-1425
Luftetar i madh dhe
udhëheqës fitimtar tartar. Fitoi luftën e Ançirës mbi Bajazitin.
Një herë Timurlengu
si e shikoi veten në pasqyre dhe vuri re sa i shëmtuar ishte, ia shkrepi të
qarit. Shërbëtori sapo e pa, nisi edhe ai të qajë.
- Po ti ç’ke që qan
? - i tha luftëtari i shemtuar.
- Si mos të qaj,
zotëri ? Ju një herë e patë vetën në pasqyrë dhe ia shkrepët të qarit, po unë i
shkreti, që ju shoh për ditë…
85. DONATELI
1383-1466
Skulptor i famshëm
fiorentin. Veprat e tij më të mëdha: Judita e Davidi.
Pak sepse nuk ishte
i kënaqur për kokën e trupores së Gatamelatit, pak sepse venecianët nuk e
nderonin sa duhej, Donateli ia theu kokën trupores që kishte gdhend.
Një nga populli iu
suall me tërbim:
-A di se edhe unë
ta thej kokën ty ?
- Pse jo !- briti
Danoteloja - Në qoftë se je i zoti të ma vendosësh prap në vend, siç do t’ia vë
unë Gatamelatit, jam në dispozicion tënd…
86. ZHANË D’ARK
1412-1431
Heroina e famshme
franceze, bijë fshatarësh, theu anglezët në rrethimin e Orleansit. Bëri të konsakrohet
mbret Karli VII. Kur tentoi të çlirojë Parisin, u zu rob në Kompienjë dhe iu
dorëzua anglezëve që e dënuan me djegie në turrën e druve si heretike dhe
shtrigë. U shenjtërua në vitin 1904.
Zhanë D’Arka në
krye të ushtrisë franceze, i mundi anglezët, por e tradhëtuar u zu rob dhe u
dënua të digjet në turrën e druve.
Një nga ushtarakët,
që luftoi nën komandën e Zhanës, kur pau që po e përpinin flakët, tha:
-Duket e pakët në
mes të zjarrit, por deri dje, ishte kjo, heroina që i dha zjarr luftës për liri
të atdheut të saj.
87. ALFONSI I
ARAGONES
1416-1458
Mbret i Napolit, i
quajtur “Shpirtamdhi”, pushtoi Napolin e Siçilinë e muar emrin mbreti i dy
Siçiljeve Pëlqente klasikët. Kërkoi ndihmën e Skënderbeut në luftë, dhe lidhi
aleancën kundër Venedikut.
Alfonsi ushqente
ambicje të krijonte një perandori të madhe në Mesdhe, prandaj kërkoi ndihmën e
Skënderbeut, duke i premtuar ta ndihmojë kundër turqve.
Skënderbeu pranoi
të bëjë aleancë me të dhe të shkëmbejë ambasadorë. Përkrahja e mbretërisë së
Napolit, ndër shtetet më të fuqishme të kohës, do t’i vlente shumë. Por ndihma
e tij ishte shumë e vogël.
***
Mbretit Alfons i
thanë:
- Nënshtetasit nuk
janë të kënaqur, madhëri.
- Pse ?
- Sepse taksat janë
shumë të rënda !
- E ç’thonë ?
- Flasin keq për
Madhërinë tuaj.
- A paguajnë
- Po, janë të
detyruar
- Shumë mirë. Në
qoftëse ato pranojnë veprimet e mia, edhe unë mund t’i pranoj fjalët e tyre…
***
Që martesa te jetë
e lumtur, duhet që burri të jetë shurdh dhe gruaja e verbër…
- Kështu thoshte
shpesh herë Alfonsi i Aragonës, “Shpirtmadhi“.
88. BELINI
1426 -1516
Belini (Gjon)
piktor i famshëm, mjeshtër i Gjergjonit dhe i Ticianit.
Piktori i famshëm
italian Gjon Belini ishte ftuar nga sulltan Mehmeti II për të punuar tablonë
„Prerja e kokës së Gjon Pagëzuesit“
Pa mbaruar akoma
tabloja sulltani i tha:
- Prerja e kokës
nuk paraqitet ashtu si në realitet.
Për të provuar këtë
ai urdhëroi t’i pritet koka një skllavi para syve të piktorit.
Belini u bind, por
u trondit aq shumë, sa të nesërmen la përgjysëm tablonë bashkë me pallatin...
89. PONTANI
1426 - 1503
Burrë shteti, poet,
historian dhe latinist i mirë, themeloi Akademinë Pontane
Pontani, që njihej
si humanist i shquar, një ditë i tha miqve:
- Sot e mbrapa do
të jem zot i mendimeve të mia.
- Pse, dje nuk
ishe? - e pyetën.
- Jo, sepse vetëm
sot kam rënë në fatkeqësi, dhe mendimet e mia nuk i përkasin më asnjë mbreti.
90. KRISTOFOR KOLOMBI
1446-1506
Astronom,
matematikan, udhëtar, lundërtar italian nga Gjenova. Lindi nga prindër të
varfër. Zbuloi Amerikën në vitin 1492.
Kur udhëtonte
Kristofor Kolombi, një marinar frikacak e pyeti:
- Ka raste që të
mbytet një anije si kjo jona ?
- Mos u tremb - ia
priti Kolombi - pasi anije të tilla mund të mbyten vetëm një herë ...
91. LORENZO DE
MEDICI
1448-1491
Lorenzo de Medici,
i quajtur „Manjifico“ shpëtoi nga komploti i „Pazzi“- ve. Kryetar i Rrepublikës
në Firence. Ndërtoi biblioteka, muzeume, dhe universitetin e Pizës. Mik i
Mikelangjelos, Policianit e artistëve të tjerë të mëdhenj, ndihmoi shumë në
lulëzimin e arteve dhe shkencave. Letrar i shquar, la poezi e shkrime me vlerë.
Lorenci kishte
shumë për zemër të bëjë për vete armiqtë.
Shpesh thoshte:
- Mjeti më i
sigurtë që i shërben më mirë interesave tuaja është të fitosh mirësinë e atyre
që i ke më tepër kundërshtarë.
Një oborrtar i
paraqiti, një ditë, Jak Tebalduçin, fiorentin, i cili kishte komplotuar kundër
jetës së princit, Lorenci i kënaqur i tha atij:
- Nuk do ta dija
për nder në se do të më kishe paraqitur një mik. Po tani, që më bëre të fitoj
miqësinë e Tebalduçit, që në të kaluarën qe armiku im, nuk di se si t’ju
falenderoj. Të lutem, shërbime të tilla, të bësh më shpesh.
Me këto fjalë
Lorenco de Medici fitoi zemrën e Tebalduçit, i cili që prej asaj dite qe një
ndër besnikët e tij.
92. MEHMETI II
1451-1481
Pushtoi
Konstandinopojën dhe nënshtroi Bosnjen. Luftoi kundër Skënderbeut. Rrethoi dhe
u mund nga Skënderbeu, ashtu siç qe mundur dhe i ati Murati II, i cili vdiq në
rrethimin e Krujës.
Paul Eriko,
venedikas, ishte sundimtar i Konstandinopulit, kur Mehmeti II e rrethoi. Si
mbaruan ushqimet, qytetarët, duke parë se u duhej të dorëzoheshin, i dërguan
fjalë Mehmetit se do t’iu nënshtroheshin me një kusht, që t’ia shpëtonte kokën,
sundimtarit të tyre të mirë.
Mehmeti ia dha
fjalën dhe dyert e qytetit iu hapën. Menjëherë kërkoi Paulo Erikon, të cilin e
sharroj përgjysëm. Atyre që thonin se Mehmeti II e hëngri fjalën, ai iu përgjigj
kështu:
- Fjalën e mbajta.
Kokën ia shpëtova, por jo ijët…
***
Mehmeti II mbahej
si trashëgimtari i perandorëve romakë, dhe prandaj, si pushtoi
Konstandinopolin, tha:
- Tani duhet të
pushtoj Romën !
Dhe qe afër
realizimit të ëndrrës së tij perandorake, por vdiç në vitin 1481, pikërisht në
kohën kur ushtritë e tij kishin zbarkuar në Otranto, duke qenë në rrugën drejt
Romës.
93. LEONARDO DA
VINÇI
1452-1519
Leonardo da Vinçi,
lindi afër Empolit, Itali. Piktor, skulptor, arkitekt dhe inxhinier i famshëm.
Bëri shumë shpikje. La një Traktat Pikture dhe shumë piktur, ku ndër më
kryesoret:Darka e fundit (Milano), Xhakonda (Louvre, Paris), disa kode,
Vëllimin e I të Anatomisë.
Si i ke kapërcyer
të gjitha ato vështirësi në jetë ?
- E pyetën Leonardo
Da Vinçin.
- Duke ndjekur
rrugën më të shkurtër - ia priti Leonardi.
- U hyra
vështirësive mes për mes…
***
Leonardi i urrente
lajkatarët. Thoshte për ta:
-Lajkatarët i
ngjasin piktorëve që kërkojnë ta paraqesin portretin e një gruaje, 30 vjet më
të re.
***
Leonardi duke parë
një punim të ri të Rafaelit, i bëri disa vërejtje. Dhe, kur vuri re se Rafaelit
nuk i erdhi mirë, i tha:
-Mos u mërzit !
Duhet ta dish se nuk është nxënës i zoti ai që nuk bën përpjekje që ta kalojë
mjeshtrin e vet !
***
Duke admiruar statujën
e Davidit, e cila ishte një kryevepër, Leonardo da Vinçi i tha Mikelanxhelos:
- Mund të them pa e
tepruar se ju keni përdorë kokën e Zeusit !
- Në rast se nuk do
ta kisha përdorur çekiçin e Hefestit - ia ktheu buzagas Mikelanxhelo - nuk
besoj se do të dilte gjë nga koka e Zeusit.
***
Leonardi punoi
planifikimin e qytetit të ri të Milanos, që parashikonte rrugë të gjëra, shtëpi
të bukura, shërbime shoqërore etj. Në shërbim të familjes Sforca, përfundoi
ndërtimin e kanalit të Martesanas, i cili lidhte dy kanale të lundrueshëm.
Projektoi disa lloj
makinash luftarake, të cilat sot njihen si frymëzime për tankun, mitrolozin,
parashutën, helikopterin etj.
94. LUIGJI I XI
1461-1483
Mbret i Francës,
mundi kualicionin e zotërinjve dhe bashkoi me shtetet e tij Pikardinë e
Burgonjën.
Nxiti industrinë
dhe lundrimin detar. Solli shtypin në Paris dhe krijoi Postën me kuaj.
***
Mbreti Luigji XI,
desh ta ndëshkojë për vdekje astrologun që paralajmëroi vdekjen e favoritës së
tij, e cila vdiq sipas thënieve të astrologut.
Kur e sollën në
prani të mbretit, astrologu pyeti:
- Pse doni të më
dënoni për vdekje ?
- Pse je një
sharlatan.
- E pra unë
paralajmërova atë, që me të vërtetë ngjau.
- Ajo që ngjau
ishte shenuar nga Zoti. Ti nuk mund ta dije më parë. E din për shëmbull se kur
do të vdesësh ti ?
-Po. Tri ditë para
Madhërisë suaj.
Mbas kësaj
përgjigje, mbreti, tepër i prekur, nuk e ndëshkoi për vdekje…
95. SULLTAN SELIMI
1467-1520
Sulltan Selimi i
Turqisë, pushtoi Egjiptin dhe Sirinë.
Sulltan Selimi i
premtoi një çmim të lartë mjekut çifut po t’ia dilte të helmojë Bajazitin,
babanë e tij. Mjeku i mundur nga lakmia e parasë kreu porosinë dhe Bajaziti
vdiq i helmuar.
Sulltani atëherë në
vënd të çmimit, ngarkoi njerëzit e vet t’ia presin kokën çifutit duke i thënë:
- Ky tradhtar do të
më japë helmin edhe mua një ditë, nëse i premtohet një shpërblim i mirë…
96. LUIGJI XII
1472-1519
Mbret i Francës, i
quajtur Ati i popullit. Me ndihmën e Venedikut pushtoi dukatin e Milanos. Me
anë të një pakti të fshehtë, shtiu në dorë Napolin.
I mundur në
Seminora e në Çerinjola, iu desh të braktisë Italinë. Më vonë hyri në
besëlidhjen e Kambrajt kundër Venedikut, të cilin e mundi në Agneledo, por Papa
Juli II, si formoi Lidhjen e Shenjtë, ia arriti ta nxjerrë nga Milano, pas
fitores së Novarës.
Një pasanik i
oborrit të Luigjit XII sillej keq me një fshatar. Si e mori vesh mbreti dha
urdhër që mos t’i jepnin bukë atij fisniku, po vetëm bylmet e verë.
Fisniku iu ankua
mbretit.
- Pse ? - pyeti
mbreti, nuk të mjafton bylmeti e vera ?
- Buka është e
nevojshme për jetën - u përgjigj fisniku.
Atëherë mbreti:-
Nuk e kuptoj pra pse sillesh aq keq me ata që punojnë për ta dhënë atë ?
97. KOPERNIKU
1473-1543
Nikolla Kopernik,
astronom, i famshëm nga Thorn (Prusi) zbuloi Sistemin planetar.
Kur Koperniku
shpalli teorinë e heliocentrizmit, kisha e akuzoi për herezi.
- A e din se këtë
teori kisha e ndalon ?- i tha një prelat.
- Teoritë mund t’i
ndalojë - ia priti Koperniku - por jo tokën.
98. ARIOSTI
1474-1564
Ludovik Ariosti,
poet i shquar italian, autor i vepres së famshme „Orlandi i Terbuar“. Shkroi
edhe satira, komedi, sonete etj. Si komediograf i shekullit XIV, një skenë të
komedisë së tij e pikturoi vetë Rafaeli. Biblioteka e Ferrarës, ku poeti vdiq,
ruan nji divid dhe një karrige të tij.
Një ditë i ati e
qortoi Ludovikun për më se një orë. Ludoviku nuk i doli zot vetes, nuk foli
fare. Si shkoi i ati, dhe si e pyeti i vëllai për gjithë atë heshtje, Ludoviku u
përgjigj:
- Vëlla i dashur,
në komedinë që po shkruaj është një baba që e qorton të birin, kështu që, kur
im atë më bërtiste, unë hapja sytë dhe dëgjoja me kujdes. Nuk doja të humbas as
një fjalë, as edhe një gjest…
***
Kur Ariosti
shkruante Orlandin, Bembo, poet e shkrimtar klasik, i tha:
- Pse nuk e shkruan
latinisht ?
- Pse ta shkruaj
latinisht ?
- Pse latinishtja
është gjuhë botërore.
- Por unë nuk e
njoh aq mirë.
- E njeh shumë
mirë, përkundrazi.
- Po, por jo si
italishten. Dhe unë dua të jem jo shkrimtar i dytë latin, por shkrimtar i parë
italian.
99. MIKELANXHELO
1475 -1564
Mikelanxhelo
Buonaroti lindi ne Firence të Italisë, u shqua mbi të gjithë piktorët dhe
skulptorët e vjetër. Veprat e tij më të famshme janë: Mauzoleu i Julit II,
Davidi e Baku, Gjyqi universal. Drejtoi punimet në Kishën e Shën Pjetrit në
Romë, dhe ndërtoi kupolën e famshme të saj, Kampidolin, pallatin Farnese,
varret e Lorencit dhe Julianit të Medicëve, me statujat Dita e Nata, duke lënë
në çdo vepër gjurmët e gjeniut të jashtëzakonshëm.
***
Një mik i tha
Mikelanxhelos:
- Habitem me ju
mjeshtër. Si mund t‘i kushtoni aq kujdes në punën tuaj dhe detajeve pak
rëndësishme.
-Vogëlsirat sjellin
përsosmëri - u përgjigj skulptori i madh - ndërsa përsosmëria nuk mund të jetë
kurrsesi një vogëlsirë !
***
Një piktor i tregoi
Mikelanxhelos një tablo të kopjuar nga disa vepra të ndryshme. Mjeshtri e pa,
qeshi dhe tha:
- Tabloja është e
bukur, por kur të ndahen „“lakrat“ pas vdekjes, çdo piktor do të marrë pjesën e
tij, kurse ty do të mbetet veçse korniza...
***
Një piktor kishte
paraqitur në tabllo një livadh ku po kulloste një gomar.
- Nuk e kuptoj - i
tha dikush Mikelanxhelos - në mes të natyrës kaq të bukur pse e ka paraqitur të
gjallë gomarin ?
- Mos u çudit,
secili piktor mundohet të nxjerrë veten e tij më mirë se të tjerët - ia priti
Buonaroti, që nuk kishte aspak simpati për piktorin.
***
Një ditë
Mikelanxhelo i tha Leonardo Da Vinçit:
- Njerëzimi për të
cilin keni bërë kaq shumë, nuk do t’ju harrojë kurrë !
- Sa më shumë të
bëj - ia ktheu Da Vinçi - aq më pak kam bërë…
***
Karli V e pyeti
Mikelanxhelon:
- Çmendim ke për
piktorin gjerman Albreht Dyrer ?
Mikelanxhelo i tha:
- Sikur të mos isha
Mikelanxhelo, do të dëshiroja më mirë të isha Dyrer, sesa Karli V.
***
Mikelanxhelo po
bisedonte mbi vdekjen me një mik.
- Unë - tha miku -
e kam frikë vdekjen.
- Po jeta a të
pëlqen ?
- Po.
- Edhe vdekja duhet
të pëlqejë derisa si jeta si vdekja janë vepra të njëjtës natyrë.
***
E pyetën
Mikelanxhelon:
- A është i
vështirë profesioni juaj ?
- Jo, aspak - iu
përgjigj Mikelanxhelo - Mjafton të marrësh një copë mermeri.
- Po pate durim t’i
heqësh pjesët e tepërta, me siguri del statuja …
***
Kur në qëndër të
Firencës po ngrihej një monument madhështor për nder të Neptunit (Perëndisë së
Detrave), oborrtarët servilë dhe lajkatarë të dukës Kozimi dei Mediçi, tundnin
kokën në shenjë pëlqimi për këtë vepër boshe, kurse ditën e përurimit, Mikelanxheloja
i tha një mikut të tij:
- Është për të
ardhur keq që u harxhua kot një copë kaq e madhe mermeri për një vepër kaq të
vogël…
100. TOMASO MORO
1480- 1533
Dijetar, publicist
e kancelar i Henrikut VIII, mbretit të Anglisë. Utopia është vepra e tij. Iu
pre koka sepse nuk pranoi të njohë supermacinë shpirtërore të mbretit.
Tomazo Moro u dënua
me vdekje nga mbreti dhe ndërsa po hypte në podin e vdekjes, iu lut një të
pranishmit që ta ndihmojë, duke ia dhënë krahun. Ngase ai ngurroi, buzëqeshi
dhe i tha:
- Mos ki frikë, o
mik, se unë nuk do të zbres dhe nuk do t’ju jap asnjë shqetësim tjetër.
- Kur e vuri qafën
në konop, mjekrra iu vesh atij, atëherë u kthye nga xhelati e i tha:
- Prit sa ta
rregulloj mjekrën, ajo nuk ka bërë asnjë faj dhe nuk meriton të pritet.
Me këto fjalë ai iu
nënshtrua vdekjes.