Andrea Zef Skanjeti
[20.gusht 1906 – 29 nentor 1992]
ishte regjisor, dramaturg shqiptar nga Shkodra. Lindi ne Shkoder me 20.08.1906, Vdiq më 29
nëntor të vitit 1992.
Në moshën 12-vjeçare shkroi dramën e tij të parë
“Kusarët”, e cila tërhoqi vëmendjen e specialistëve. Në vitin 1946 u emërua
regjisor në Shtëpinë e Kulturës, Shkodër. Ka vënë në skenë shfaqjen me tri akte
“Dasma shkodrane”, e para në llojin e vet në Shqipëri, gjithashtu operën e parë
shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës me Libret të Llazar Siliçit, e cila pati
sukses të jashtëzakonshëm. Skanjeti njihet si themeluesi i Teatrit të Kukullave
dhe ndër nismëtarët kryesorë të krijimit të Estradës së Shkodrës. Po ashtu
shkroi edhe dramën e ndarë në tri akte "Nora".
I është dhënë titulli “Artist i Popullit” më 28 Nëntor
1992.
Veprimtaria e përgjithshme artistike e A. Skanjetit ka
një shtrirje në kohë gati gjysëm shekullore dhe përmblidhet:
1. Krijimtaria Teatrale
a. 22 drama, komedi, melodramma, skece estrade etj.
b. 27 pjese teatrale te perkthyera e te adaptuara.
c. 8 pjese per teater kukullash.
2. Regjisure
a. rreth 75 pjese teatrale shqiptare dhe te huaja te
vena ne skene, nga te cilat 20 me aktoret e Teatrit “Migjeni” te Shkodres.
b. 20 platforma regjisoriale.
c. 30 pjese teatrale me grupe diletantesh te klubeve
dhe shoqerive te ndryshme te Shtepise se Kultures Shkoder, qendrat e punes,
Shtepine e Pionierit, shkollat etj.
3. Krijimtaria ne proze
a. Rreth 45 tregime
4. 100 vjet teater ne Shkoder, 1879-1979 (Kujtime),
botuar liber ne vitin 2002.
5. 4000 vjet nga urtesia boterore (Anekdota), botuar
liber ne vitin 2006.
6. Fjalori Italisht-Shqip ( I pabotuar)
7. Filatelist (Koleksionin e pullave shqiptare e ka
pothuajse te plote)
Andrea Skanjeti, mësuesi i guximshëm i talenteve
Shtysën për të përkujtuar 101-vjetorin e lindjes së Artistit
të Popullit, regjisorit të shquar, Andrea Skanjeti (1906-1992), apo për
"të shlyer" disi, një 100 vjetor të shkuar e të papërkujtuar të tij,
e mora, nga i nipi, Zefi, shoku im. Pati mirësinë të më dhuronte veprën
postume, librin me anekdota "4000 vjet nga urtësia botërore", të
mbledhur e përkthyer nga xhaxhai i tij, A. Skanjeti. Shtanga kur në kopertinën
e prapme pashë CV e tij. "Paskësh patur 100-vjetorin e lindjes, po s'kam
dëgjuar për ndonjë aktivitet, - i them. "Eh, - ofshani shoku im, - kush me
u kujtue…". Vite më parë, MKRS, ku unë punoja atëherë, i kishte refuzuar
padrejtësisht mbështetjen financiare për botimin e këtij libri të mbetur në
dorëshkrim. Ky dikaster, në jo pak raste, vazhdon të bëjë shurdhin para
dukurisë tipike shqiptare, që dhjetra e dhjetra vepra me vlerë të
personaliteteve të letërsisë, artit e kulturës, të gjallë apo jo, mbeten ende
në dorëshkrime, për arsye financiare, apo edhe ngaqë ua zënë përherë rrugën më
të shkathtët, ose fitimtarët e përhershëm të projekteve, të cilët, duke
mbijetuar "nën dardhë", natyrisht nuk lënë pa ndonjë gjë edhe
firmëtarët zyrtarë të këtyre projekteve...Pa lë, ka autorë, që fatkeqësisht
"shesin" copyright-in e veprës së tyre "për bukën e gojës"
te ndonjë botues gjahtar… Përkundër, duhet thënë, rrofshin e qofshin pinjollët
amanetqarë kulturëdashës, të cilët e bëjnë mirë atë që duhet ta bëjë vetë
shteti i tyre, të paktën, si homazh dhe shpërblim i vonuar për atë punë
shumëvjeçare e në heshtje që bënë në dobi të kulturës sonë kombëtare
paraardhësit e tyre. Kjo konsideratë m'u përforcua, kur mora thuajse në një
kohë veprat postume "Anekdota", të zgjedhura e të përkthyera nga Dr.
Ihsan Çabej, të botuar nën kujdesin e së mbesës, Brikena Çabej, si dhe
"Humor shkodran", mbledhë e rreshtue prej Gjush Sheldisë, e të botuar
me iniciativën e të birit të autorit, Pashkos.
Pra, ishte këmbëngulja e përkushtimi fisnik i Zefit, ashtu
siç kishte vepruar edhe më parë me librin tjetër të rëndësishëm "100 vjet
teatër në Shkodër 1879-1979. Kujtime" (Tiranë, 2002, mbështetur nga
Fondacioni "Fan Noli dhe Bashkia e Shkodrës), që bëri të mundur nxjerrjen
në dritë të këtij libri. Ashtu si dhe besoj që do të jetë po ai që do të
vazhdojë botimin e pjesës tjetër të veprës së Andrea Skanjetit, tregimet e
novelat e zgjedhura, fjalorin italisht-shqip etj.
Para se të ndalem te përvijimi i portretit në suazën e një
shkrimi të tillë të njeriut fisnik, regjisorit të talentuar të qytetit të
Shkodrës, mjeshtrit të skenës Andrea Skanjeti, le të shpalosim shkurtazi për
lexuesin e gazetës një bilanc të veprës së tij, e cila ka një shtrirje kohore
gati gjysmëshekullore. Është autor i 22 dramave, komedive, melodramave, skeçeve
të estradave etj; ishte regjisori i parë i teatrit profesionist
"Migjeni" dhe vuri në skenë rreth 75 pjesë teatrale shqiptare dhe të
huaja, nga të cilat 20 me aktorët e teatrit "Migjeni" të Shkodrës;
regjisor i Operës së parë shqiptare "Mrika"; ka përgatitur 20
platforma regjisoriale dhe ka vënë në skenë 30 pjesë teatrale me grupe
diletantësh të klubeve dhe shoqërive të ndryshme, të Shtëpisë së Kulturës
Shkodër, qendrat e punës, Shtëpinë e Pionierit, shkollat etj.; është autor i
rreth 45 tregimeve e novelave, shumica e të cilave të botuara në revistat e
kohës, madje tregimi "Një dhuratë e papritur" është përkthyer në
gjermanisht dhe botuar nga albanalogu i shquar Masksimilian Lamberc; ishte
filatelist (koleksionin e pullave shqiptare e ka pothuajse të plotë) etj. Më 28
Nëntor 1992 i është dhënë titulli "Artist i Popullit", lajm të cilin
s'arriti ta merrte vesh kurrë, pasi po atë ditë vdiq dhe u varros të nesërmen.
Historia e jetës së regjisorit të mirënjohur të skenës dhe
pionierit të saj, Andrea Skanjetit mund të konsiderohet edhe si historia e
teatrit, mbase edhe e lëvizjes kulturore e artistike të Shkodrës. "Kur
flitet për teatër në Shkodër, flitet edhe për Andrea Skanjetin, dhe kur flitet
për regjisor Andrean, flitet edhe për teatër"- do të vinte në dukje Tano
Banushi, Artist i Popullit. Ai nuk pati një formim profesional, por siç pohonte
edhe vetë "mjeshtërinë e teatrit e njoha me anë të përvojës dhe si
autodidakt". Ishte njeri me kulturë të gjerë, shumë studioz dhe lexonte në
disa gjuhë. Falë talentit të tij dhe pasionit të madh për teatër, ai arriti të
kapërcente vështirësitë e mungesës së këtij arsimimi profesional dhe vuri në
skenë me dinjitet shumë pjesë, të cilat edhe pas 4-5 dekadash mbahen mend.
Veprimtaria artistike e Andrea Skanjetit, duke qenë mjaft e
gjerë dhe e shtrirë në kohë për gati gjysmëshekulli, natyrisht që mund të
shihet në këndvështrime të ndryshme e ngushtësisht më profesionale. Dëshiroj të
vë në spikamë ato, që shpeshherë, "humbasin" në kujtime, në libra
memuarësh, që edhe mund të anashkalohen: intuitën, promovuesin e guximshëm të
talenteve, dashamirësin e kujdestarin më të mirë të punës me aktorin.
Andrea Skanjetit i përket merita e madhe se mundi të
zbulonte nga lëvizja diletante e të promovonte artistë të shquar të skenës
shqiptare, si Tinka Kurti, Artiste e Popullit; Vitore Nino, Artiste e Merituar
do ta quante "mësuesi i parë" në shkollën e madhe të artit teatral;
Artisti i Merituar Bep Shiroka kujton "Andrea Skanjeti më mori nga
"rruga" dhe më futi në teatër, siç duket diçka pau tek unë"; ai
bashkëpunoi dhe ishte shok e mik me artistë të njohur të skenës shqiptare etj.
Kam përshtypjen se portretin më të goditur e të sintetizuar
për Andrea Skanjetin, e ka vizatuar Artisti i Popullit Tano Banushi. Në
kujtimet e tij ai shprehet: "Ti (Andrea) në "estradë", ti në
dramë e komedi, ti me melodramën dhe operën, ti deri me Teatrin e Kukullave ku
unë kam marrë pjesë ndonjëherë. Pra me pak fjalë siç thotë populli "edhe gurët
e sokakut" e kanë marrë vesht se sa kontribut të madh i ke dhanë skenës
shkodrane, të cilës i vune bazat e një teatri vërtetë profesionist në të gjitha
gjinitë".
Mbiemri Skanjeti për ndonjë mediokër të kohës nuk ka
tingëlluar shqiptar. Kështu, njëherë në Tiranë, në kafenenë
"Internacional", ku në atë kohë (1921-1922) mblidheshin ministra,
deputetë e nëpunës të ministrive, njëri syresh, një babaxhan fanatik ksenofob,
u ngrit e tha:
- Zef Skanjeti ( babai i A. Skanjetit-shënim i autorit të
shkrimit), që punon si teknik në Ministrinë e Botores, nuk ka mbiemër shqiptar…
Luigj Gurakuqi, me atë humorin e tij të zakonshëm, ia priti:
- E ke gabim, lum miku, më shqiptar se këtë, S'ka
njeti…(kund, gjetiu, gjetkë)
Kujtim Dashi, "Shekulli", 20.08.2007
No comments:
Post a Comment